Rama mbledh sot tryezën e aleatëve, mungon Milo
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/4329_1_354.jpg?itok=lRieGxN1)
Aleatët e koalicionit opozitar do të mblidhen sot, për të diskutuar në lidhje me situatën politike në vend. Kryetari socialist, Edi Rama ka thirrur në një takim, rreth orës 12:00, në hotel “Tirana International” të gjithë kryetarët e partive opozitare, për të shqyrtuar paktin e propozuar prej Partisë Socialiste me 10 pika. Por, në të njëjtën kohë, aleatët kanë ditë që qarkullojnë mes tyre një draft-marrëveshje parimesh, të cilat do të diskutohen edhe sot, në takimin zyrtar dhe që kanë lidhje me qëndrimin e opozitës për reformën zgjedhore. Partitë e vogla kanë propozuar gjatë gjithë këtyre ditëve që PS të shprehet qartë, në lidhje me disa pika të kësaj reforme, siç janë masa e reformimit të Kodit Zgjedhor, një pikë tjetër që ka të bëjë me ndarjen e qarqeve nga 12 në 6 të tillë, ndryshimi i formulës së llogaritjes për ndarjen e mandateve mes partive të vogla në koalicione, e një sërë çështjesh të tjera. Paraprakisht, mësohet se kreu i PDS-së, Paskal Milo nuk do të jetë i pranishëm, për shkak të angazhimeve të tij, në mësimdhënie, në Kosovë. Por, në fakt, ditët e fundit janë pohuar edhe divergjencat mes tij dhe kreut të PS-së, Edi Rama. Këto i pohoi edhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka, i cili deklaroi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se ka mendime të ndryshme, por njëkohësisht të vegjlit kërkojnë një qëndrim publik të PS-së në lidhje me këto çështje. Pritet që dot, të deklarohet një qëndrim i të gjithë aleatëve për reformën zgjedhore, e cila është edhe tema e momentit, ndërsa do të diskutohet edhe për situatën brenda koalicionit.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
Add new comment