6-mujori, INSTAT: Indeksi i shitjeve me pakicë pësoi rënie
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/8943_2_204.jpg?itok=62b-RhRM)
TIRANE – “Indeksi i shitjeve me pakicë pësoi rënie në 6-mujorin e parë, por ndërsa më e dukshme ishte në 3-mujorin e parë, në të dytin situata nisi të përmirësohet”,- konfirmon Instituti i Statistikave.
Indeksi i shitjeve me pakicë shënoi vlerën 169.4 % përkundrejt periudhës bazë, viti 2005, ndërsa në qershor 2010, ishte 181%. Në krahasim me vitin 2005, shitjet me pakicë shënuan rritje graduale deri në gusht 2010, kur indeksi shënoi vlerën 195%, me një rritje 95% kundrejt vitit bazë. Sipas treguesve të INSTAT, rënia e konsumit filloi në muajin shkurt 2011. "Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 6.9% dhe krahasuar me tremujorin e parë u rritën 1.9%", njofton INSTAT.
Rënien më të madhe në 3-mujorin e parë e pësoi sektori i pajisjeve shtëpiake me 21% më pak i shoqëruar nga aktivitetet tregtare që vuajtën rënien e konsumit në sektorët si ushqimet, dyqanet e specializuara, produktet farmaceutike, shitja dhe mirëmbajtja e makinave, etj.
Treguesit pësuan përmirësim në 3-mujorin e dytë ku vërehet se konsumatorët i janë rikthyer disi normalitetit, me përjashtim të mallrave që konsiderohen të luksit, të cilat vijuan të shiten më pak. Shitjet në dyqanet ushqimore të specializuara u rritën 7.2% në terma vjetorë, produktet farmaceutike e mjekësore u rritën 13%, mirëmbajtja e makinave 16%. Shitjet e elektroshtëpiakeve kanë rënë me 21% në terma vjetorë, shitja e librave e gazetave me 17%. Përkundrejt tyre, u rritën shpenzimet për mirëmbajtjen e makinave, shitja me shumicë e karburantit, etj.
Rënia e shitjeve këtë 6-mujor preku punësimin në sektorin e tregtisë me pakicë. "Indeksi i punësimit në ‘Tregtinë me pakicë’, në tremujorin e dytë të këtij viti, arriti 170.1 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100) dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, u ul 1.1%", vëren INSTAT. Sipas tij, punësimi u rrit me 3,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010 në grupin "Tregtia dhe riparimi i automjeteve".
Ballkanweb.com
Add new comment