Deja Vu në Teheran
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/8927_4_65.jpg?itok=0nHJBL7J)
Sulmi i së martës kundër ambasadës britanike në Teheran, pa mëdyshje i ngjason sulmit kundër ambasadës amerikane në këtë qytet, më 4 nëntor 1979, kur ithtarët e udhëheqësit të atëhershëm dhe kryesuesit të revolucionit, Ajatollah Khomeini, morën peng 52 diplomatë amerikanë, të cilët i mbajtën nën dhunën e tyre për 444 ditë me radhë.
Pamjet e studentëve ithtarë të vijës së fortë, duke ju vërsulur një ambasade të huaj në Teheran, duken si një deja vu. Është madje nënror, sikur edhe atëbotë.
Natyrisht, me atëbotë nënkuptojmë periudhën menjëherë pas revolucionit në Iran, në vitin 1979, kur një grup i të rinjve, që e quanin vetën “Studentë ithtarë të vijës së Imamit” (Ajatollah Khomeinit, themeluesit të Republikës Islamike), sulmuan ambasadën amerikane në Teheran, duke marrë peng 52 diplomatë amerikanë, të cilët i mbajtën nën dhunën e tyre për 444 ditë.
Incidenti i fundit në Teheran është krahasuar me ngjarjet që ndodhën para 32 viteve. Por ka edhe dallime. Kriza e pengjeve në vitin 1979 filloi në mënyrë spontane. Ajo që ndodhi më 29 nëntor të vitit 2011, duket se ishte një hap i llogaritur nga ana e ithtarëve të vijës së fortë brenda regjimit.
Në një kumtesë, personat e ri që morën përgjegjësinë për sulmin kundër ambasadës britanike, e cilësuan vetën si “Studentë myslimanë ithtarë të udhëheqësit supremë”. Ata ambasadës britanike ju referuan si një “çerdhe tjetër e spiuneve” dhe theksuan se aksioni i tyre është një përgjigje ndaj sanksioneve, të cilat Britania ja vendosi së fundi Bankës Qendrore Iranit, për të cilat sanksione ata theksuan se paraqesin një deklaratë të luftës.
Në kumtesën e dytë pasuese, ambasada britanike u cilësua si “çerdhe e komploteve” dhe ajo u akuzua se ka luajtur një rol vendimtar në organizimin dhe provokimin e protestave, të cilat shpërthyen pas zgjedhjeve në Iran, në vitin 2009, protesta këto të cilat u shtypen brutalisht nga regjimi.
“Çerdhja e spiunëve” është një frazë, e cila është dëgjuar shpesh në vitet e para të periudhës pas revolucionit, për të përshkruar ambasadën amerikane, e cila është akuzuar se ka spiunuar iranianët.
Përderisa në vitin 1979 studentët menjëherë morën pengje në ambasadën amerikane, ekziston konfuzion për atë se a janë mbajtur për disa orë peng gjashtë pjesëtarë të personelit të ambasadës britanike, pas sulmit të së martës.
Më vonë, agjencia e lajmeve FARS njoftoi se gjashtë pjesëtarët e personelit të ambasadës, të cilët janë mbajtur nën rrethim gjatë sulmit, janë shpëtuar dhe liruar më pas nga policia diplomatike. Sekretari i Jashtëm i Britanisë, William Hague, theksoi se nuk do t’i quante “pengje” gjashtë pjesëtarët e personelit të ambasadës.
Sulmi kundër ambasadës amerikane në Teheran, më 4 nëntor të vitit 1979, rezultoi me ndërprerjen e marrëdhënieve mes dy qeverive, duke nxitur një mosbesim të ndërsjellë, i cili vazhdon edhe sot e asaj dite.
Pasojat e sulmit kundër ambasadës britanike ende nuk janë të qarta, por kjo ngjarje padyshim se i ka dhënë një goditje të rëndë marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka tërhequr vërejtje për pasoja serioze.
Tendosjet mes Londrës dhe Teheranit janë thelluar gjatë muajve të fundit, për shkak të refuzimit të Iranit që të ndal aktivitetet e veta bërthamore, të cilat janë cilësuar si të dyshimta nga ana e Perëndimit. Në një raport të OKB-së është theksuar se Irani ka punuar dhe ka shtuar përpjekjet për prodhimin e bombës bërthamore.
Sulmi kundër ambasadës së Britanisë duket se ka qenë reagim ndaj trysnisë në rritje ndërkombëtare ndaj Iranit.
Pengmarrja në vitin 1979 është konsideruar si një reagim ndaj përkrahjes së SHBA-së për shahun e përmbysur të Iranit, Mohammad Reza Pahlavin dhe reagim ndaj asaj që pengmarrësit e perceptuan si përpjekje të Ëashingtonit për të minuar revolucionin.
Vëzhguesit besojnë se sulmi kundër ambasadës amerikane nuk ka mundur të ndodhë, pa miratimin e zyrtarëve të lartë iranian.
Por reagimi i shpejtë nga ana e ministrisë së Jashtme të Iranit, e cila shprehu keqardhje për “sjelljet e papranueshme të një numri të vogël të protestuesve, përkundër përpjekjeve të policisë”, sugjeron se dikush brenda hierarkisë konservatore të Iranit po përpiqet të kontrollojë dëmin dhe të parandalojë tendosjet e mëtutjeshme.
Feshehurazi, okupimi i ambasadës amerikane në vitin 1979 është mbështetur nga Ajatollah Khomeini, i cili e pat cilësuar këtë ngjarje si “revolucioni i dytë në Iran”.
Udhëheqësi aktual suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamnei, ende nuk ka reaguar publikisht ndaj sulmit kundër ambasadës britanike.
Ajo që është ironike, shteti i cili para tri dekadave shpiki sloganin “Vdekje Amerikës”, sot vlerësohet se ka popullatën më pro-amerikane në rajon.
Mbetet të shihet se nëse dhe si sulmi kundër ambasadës britanike do të ndikojë në ndjenjat e iranianëve kundrejt Britanisë.
Gazeta Express
Add new comment