ERE vendos sot çmimet e energjisë për vitet 2012-2014
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/8408_1_1702.jpg?itok=wHzgvvcq)
TIRANË- Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) do të mblidhet sot në mesditë për të vendosur çmimet e reja të energjisë për vitet 2012-2014 për tre operatorët, KESH, CEZ dhe OST dhe për pasojë, për gjithë konsumatorët që furnizohen nga linjat e ndryshme të energjisë.
Ky vendim vjen pas debatit publik që ERE zhvilloi në 30 nëntor me grupet e interesit ku u dëgjuan argumentat e tre kompanive OST, KESH dhe CEZ për rritjen e çmimit të energjisë për vitet 2012-2014.
CEZ kërkoi mosndryshim të tarifës nëse zgjidhen problemet financiare CEZ-Shtet-KESH, në të kundërt, një rritje e tarifës 4,6% më shumë se në vitin 2011.
KESH-i kërkoi rritjen e çmimit të energjisë që ia shet CEZ-it me 5,2 lekë/kwh për vitet 2012-2014, duke argumentuar se duhet të mbulojë shpenzimet për përballimin e kërkesës për energji që e importon me çmime të shtrenjta dhe se parashikon rritje të kërkesës për energji 13% më shumë në vitin 2012 e në vijim, deri në 28 % deri në 2014.
OST kërkoi rritjen e tarifës mesatare të shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike për vitin 2012 me 0.73 lekë/kwh, me argumentin se bazohet në kërkesën e CEZ për energjinë e transmetuar, nivelin e humbjeve në rrjetin e transmetimit, shpenzimeve dhe investimeve, përballimin e kostove gjatë zbatimit të programeve të investimeve.
Aktualisht, çmimi i energjisë për familjarët është 7.7 L/kWh deri në 300 kwh/muaj dhe 13.5 L/kWh mbi këtë kuotë. Tarifa aktuale e KESH -it është 0.63 L/kWh dhe e OST, 0.6 L/kWh.
Duke nisur nga 1 janari 2012 konsumatorët dhe bizneset do të kenë një kontratë të re për furnizimin me energji elektrike me kompaninë CEZ Shpërndarje.
ERE nisi në 27 shtator shqyrtimin e kërkesave për rritje të çmimit të energjisë për vitin 2012 nga kompanitë CEZ, KESH dhe OST.
Balkanweb.com
Add new comment