Politika e lakuriqësisë globale
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/6683_5_87.jpg?itok=z4qrfBpK)
Duke filluar nga artisti kinez Ai Weiwei e deri te blogerja egjiptiane, Aliaa Magda al Mahdi, njerëzit edhe sot i shfrytëzojnë trupat e vetë për provokimin e autoriteteve dhe në shenj proteste për të drejtat e tyre. Edhe në botën e sotme, të seksualizuar në çdo aspekt, lakuriqësia publike vazhdon të përfaqësojë një formë të fuqishme proteste.
Kur mbi 1,000 përkrahës të Ai Weiwei kohë më parë u zhveshën plotësisht në shenj proteste ndaj përndjekjes së artistit kinez, ata deshën t’i bashkoheshin renesancës globale të aktivizmit lakuriq. Ata i vendosën trupat e tyre të zhveshur nëpër rrjetat shoqërore në shenj solidariteti me artistin, pasi pushteti në Pekin nisi hetimin që lidhej me fotografitë ku Weiwei paraqitet me disa femra lakuriq.
Aparati represiv kinez shfrytëzoi një fotografi të vjetër si shkas për akuzimin e Weiwei për “përhapje të pornografisë”, gjë që paraqet vetë njërin prej shumë tentimeve të pushtetit për t’ia mbyllur gojën artistit të njohur dhe kritikut të ashpër të regjimit.
Edhe një rast tjetër i lakuriqësisë publike, si formë e protestave shoqërore, tërhoqi vëmendjen e opinionit në Egjipt, kur blogerja Aliaa Magda al Mahdi vendosi një foto të saj lakuriq në internet. Kjo gjë jo vetëm që u shndërrua në objekt sulmesh të pandalshme nga “mbrojtësit e moralit” islamikë, por u kritikua edhe nga qarqet sekulare dhe liberale egjiptiane.
Duke mbajtur në duar një porosi me shkrim, në të cilën shkruante “Dashuri pa Kufij”, rreth 30 gra izraelite zhveshën publikisht gjinjtë e tyre në shenj solidaritetit me Aliaa al Mahdi.
Toples-protestat ka vite që paraqesin strategjinë aksionale të grupit feminist ukrainas FEMEN. Grupi proteston edhe jashtë kufijve të Ukrainës, kryesisht kundër shkeljes së të drejtave të grave. Aktivistet e FEMEN, të cilat kryesisht janë vajza të reja dhe atraktive, qëllimisht vetveten e prezantojnë në mënyrë provokative, për të tërhequr vëmendjen nga pikëpamjet e tyre politike.
Mes tjerash, ato mundohen të ndalojnë legalizimin e prostitucionit gjatë kampionatit evropian në futboll, të vitit 2012, në Ukrainë dhe Poloni.
Zhveshja e plotë paraqet një shenj proteste kundër normave represive shoqërore dhe ajo është gjithçka tjetër vetëm jo një formë e re e tërheqjes së vëmendjes. Befasia e vetme është ajo se sot, kur lakuriqësia dhe pornografia është gjëkund rreth nesh, kjo teknikë edhe më tej po funksionon.
Zbulimi i trupit të zhveshur në publik ende paraqet një tabu dhe përjetohet si shkelje e rendit publik. Natyrisht, pasojat e një sjellje të tillë ndryshojnë, varësisht nga strukturat e ndryshme shoqërore nëpër botë.
Në shumë shtete islamike, diçka e tillë, pa asnjë dyshim, sjellë lëndime të rënda trupore (në formë dënimesh), e në veçanti kur në pyetje janë gratë.
Në botën myslimane, statusi i trupit të femrës është në qendër të luftës së athët kulturore ndërmjet modernizmit të përkushtuar dhe religjiozitetit reaksionar. Të rezervuarit e të drejtave për kontroll të trupit dhe jetës së femrave nga meshkujt, paraqet njërën prej forcave më të theksuara të fundamentalistëve islamikë - bashkë me kërkesën e çmendur që gruaja duhet të dalë e mbuluar në publik.
Nuk është rastësi që me “dekadencën” e urryer perëndimore më së shpeshti ndërlidhet parimi i vetëvendosjes së grave. Andaj, guximi i blogeres egjiptiane ka goditur vetë thelbin e sindromat politik e kulturor të prapambeturisë, jo vetëm të botës arabe, por edhe të asaj myslimane.
Përderisa gruas të mos i lejohet një sovranitet i plotë ndaj trupit të saj, të gjitha tentimet për përparim do të mbesin vetëm një farsë cinike. Ekziston një çik shprese se revolucionet arabe mund të hapin paksa derën e ndryshimeve, sepse më nuk është e mundur që të shmanget fakti se suksesi i demokracisë në rajon varet edhe nga niveli i lirisë së grave.
Edhe pse nuk krahasohet me rastin e guximit të blogeres egjiptiane, rebelët evropianë dhe amerikanë të viteve të 60’a po ashtu arrinin të shokonin aparatin autoritar dhe të inhibuar. Që nga Fëmijët Kalifornianë e deri te John Lennon e Yoko Ono, çdokush që dëshironte të ngriste zërin kundër kufizimeve dhe konventave shoqërore zhveshi rrobat publikisht, zakonisht duke rrezikuar padinë për prishje të rendit publik.
Zhveshja e rrobave në publik ishte sinonim i rrënimit të normave shoqërore lidhur me atë se çfarë duhet të bëhet e çfarë jo, por edhe i jepnin një jetë të re formës së protestave, duke i shndërruar ato në të preferuara edhe gjatë gjeneratave të kaluara. ‘Cullakët e viteve të 60’a si paraardhës të tyre i shihnin lëvizjet reformuese të fundshekullit të 19. Njerëzit e përfshirë në këto lëvizje lakuriqësinë e shihnin si kthim të asaj që konsiderohej esencë e çiltërsisë së natyrës njerëzore. Në koloninë e njohur Monte Verita, në Ascona – në kantonin zvicerano-italiane Tichino- nudizmi çiftëzohej me vegjetarianizmin.
Teoria e filozofit dhe shkrimtari gjenevian, Jean Jacques Rousseau (1712-1748) është e gravuar thellë në historinë kulturore evropiane. Sipas Rousseau, në një moment ekzistoi një kohë e “njerëzve natyralë”, për të cilët padrejtësia dhe shëmtia e civilizimit modern ishte plotësisht e huaj, dhe të cilët jetonin brenda bashkësive fisnore. Që prej atëherë ideja për kthimin prapa në lakuriqësinë natyrale lidhet me mirësinë e lindur të njerëzimit.
Në botën e sotme, kur artisti kinez Ai Weiwei dhe përkrahësit e tij zhvishen lakuriq, kjo parimisht është në përputhje me interpretimin e Rousseau (të shekullit të 18’të) për një mesazh të shenjtë, që apelon për një shoqëri më të mirë dhe më demokratike. lakuriqësia e tyre simbolin një brishtësi absolute në raport me vullnetin e shtetit, por përmban edhe shenja të refuzimit ndaj vullnetit vetjak. Gjestet e tyre thonë: trupi im më përket mua, natyra ma ka dhënë këtë vepër dhe ajo është e patjetërsueshme, edhe atëherë kur të mi merrni të gjitha të tjerat.
Lakuriqësia absolute e Ai Weiwei ka për qëllim shpjegimin personal: Më shikoni, ky jam vërtet unë. Ekzistimi im është ofendim për juve, por kështu do të jetë edhe në të ardhmen.
Në këtë rast, trupi i tij joperfekt por i zhveshur paraqet një vërejtje ekzistenciale kundër totalitarizimit.
Por, aktivistet e reja ukrainase të FEMEN veprojnë në një nivel tjetër simbolik. Ato janë fëmijë të kohës në të cilën trupi i gruas është seksualizuar publikisht për qëllime tregtimi. Pasi që janë aktivistet për të drejtat e njeriut luftuan për dekada me radhë kundër nënçmimit të pjesës femërore, duke e trajtuar vetëm si një objekt të epshit, ose si “një mall joshës”, këto feministe të reja, në fakt, veshin uniformat e objekteve seksuale dhe ato i shfrytëzojnë si mjet të shprehjes së vetëdijes dhe shpirtit luftarak.
Ato janë të vetëdijshme për atraktivitetin e tyre seksual, si një armë potenciale: “Po qe se na dëshiron, eja dhe na merr”, thonë ato, “por do të duhet të paguash me pranimin e kërkesave tona shoqërore e politike”.
Në një prej fushatave të tyre, ato kërkuan nga gratë që të përmbahen nga seksi me meshkuj, deri atëherë kur të jenë përmbushur synimet e fushatës. E, objektet e epshit – plotësisht të vetëdijshme për fuqinë që kanë – janë në përparësi.
Gazeta Express
Add new comment