Monti: Britania u vetëpërjashtua nga BE. Reagon Cameron

Postuar në 09 Dhjetor, 2011 13:08

BRUKSEL- Pas Samitit në Brukse Britania e Madhe nuk pranoi të jetë pjesë e monedhës unike as e zonës Schengen. Italia e ka komentuar këtë qëndrim, por kryeministri britanik Cameron shprehet se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. 
Monti 
“Italia do të preferonte një marrëveshje më komunitare për reformën e funksionimit të zonës euro të arritur sot në Bruksel dhe shpreh keqardhjen për vetëpërjashtimin e Britanisë së Madhe”, u shpreh kryeministri italian Mario Monti në përfundim të samitit të Brukselit. 
"Britania e madhe u vetëpërjashtua dhe kjo do të ketë për pasojë një humbje të influencës në procesin e vendimmarrjes", deklaroi ai gjatë një konference shtypi. 
"Është e vështirë të thuhet se si do të vazhdojë roli i Britanisë së Madhe në procesin e marrjes së vendimit, por sigurisht ka një izolim dhe kjo do të ketë një pasojë në aftësinë e saj të influencimit", shtoi ai. 
"Personalisht kjo nuk më pëlqen, sepse është në interes të Italisë të ketë vende në gjendje të kundërbalancojnë influencën e vendeve si Franca", shpjegoi ai. 
"Por, kushtet e vendosura nga kryeministri britanik David Cameron ishin të papranueshme, as për mua", theksoi ai. 
Cameron 
Kryeministri britanik, David Cameron siguroi të premten se Mbretëria e Bashkuar nuk ishte "përjashtuar" nga Bashkimi Evropian, megjithë kundërshtimin e saj ndaj një projekti për ndryshimin e traktatit në Bruksel. 
"Ne nuk jemi përjashtuar, ne jemi në Bashkimin Evropian, ne jemi një anëtar drejtues i tregut unik", deklaroi kryeministri në një intervistë televizive në Bruksel, pas samitit evropian, pas kthimit të tij në Londër. 
"Sigurisht, kjo përbën një ndryshim në marrëdhëniet tona me Evropën", vlerësoi ai lidhur me refuzimin për të pranuar një ndryshim të Traktatit të Bashkimit Evropian. "Por zemra e marrëdhënies sonë - tregu unik, tregtia, investimi, rritja ekonomike, dhe punësimi mbetet po njëlloj", vlerësoi kryeministri konservator. 
"Në fushën e mbrojtjes, ne jemi anëtari kryesor i NATO-s, në fushën e politikës së jashtme, ne jemi një nga aktorët kryesorë", shtoi ai. 
"Por ne nuk jemi në zonën e monedhës unike, sepse nuk duam të jemi, nuk jemi në zonën e qarkullimit të lirë Schengen dhe për këtë jam i lumtur, se dua që t'i përdorim kufijtë tanë për t'u mbrojtur nga imigracioni klandestin, armët dhe droga", shtoi ai.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.