AAK: Shpifje të tmerrshme të TV Klan, nuk kemi thënë se PS na kërkoi falje

Postuar në 12 Dhjetor, 2011 04:45

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani ka reaguar pas lajmeve në TV Klan e më pas në mediat e tjera qeveritare. Këto mediat deklaruan se Ramadani ka theksuar se PS kërkoi falje për gafën për ftesën ndaj Haradinajt. Po ashtu TV Klan deklaroi se Ramadani ka thënë se ishte gabim pritja e zotit Rama në selinë e AAK. Ramadani kërkon që Klan të përgënjeshtrojë lajmin, ose do përballet me padi. Gjeni më poshtë reagimin e plotë të zotit Ramadani:

 

“Po ju shkruaj me indinjatë të thellë në lidhje me lajmin e emetuar në edicionin e lajmeve të mbrëmjes së sotme, 11 dhjetor 2011 (e diel), sa i përket qëndrimit tim për takimin e udhëheqjes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me liderin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Edi Rama.

Ajo që është emetuar nga ju si lajm, është plotësisht e pavërtetë dhe e bazuar në interesa të ngushta të politikës së brendshme në Shqipëri. Unë asnjëherë dhe në asnjë moment nuk kam thënë se “ka qenë gabim pritja e z. Rama në takim me AAK-në” dhe as se “Partia Socialiste na kërkoi falje”. Për më tepër, unë i kam kërkuar falje Partisë Socialiste për përfshirjen e panevojë dhe të pakëndshme të AAK-së në spektaklet abuzuese mediale në Shqipëri. 

E kundërta është e vërteta. Unë kam thënë për Televizionin tuaj (përmes KlanKosova-s), më 10 dhjetor 2011, se ne kemi raporte korrekte me Partinë Socialiste dhe me z. Edi Rama, dhe se ne çmojmë vlerësimet e z. Rama për liderin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj. Kam thënë saktësisht se: “Përkundër faktit se partner yni sipas profilit partiak është Partia Demokratike e Shqipërisë, ne nuk kemi asnjë arsye të vetme që të mos kemi raporte të mira me Partinë Socialiste dhe me partitë tjera politike në Shqipëri”.

Unë kam thënë dhe e rikonfirmoj se nuk ka pasur as më të voglin keqkuptim midis AAK-së dhe PS-së në kërkesën për takim, përkundrazi vlerësoj se takimi ka qenë i frytshëm dhe me interes reciprok.

Lajmi juaj i mbrëmjes së sontme është më tepër se trillim, i shpifur dhe i tmerrshëm. Jo vetëm se fjalët e mia janë nxjerrë nga konteskti, por ato janë përçudnuar skajshëm për qëllime të cilat ju i dini vet më së miri. Për më shumë, ju nuk keni mundur as të shqiptoni saktë akronimin e partisë sonë, duke thënë AKK në vend të se të thuhet AAK (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës).

Kërkoj nga ju që ta emetoni demantin dhe indinjatën time sa i përket lajmit tuaj dhe përçudnimit të deklaratave të mia. Në të kundërtën, definitivisht më duhet të marrë veprime të nevojshme ligjore ndaj jush.

Burim Ramadani

Sekretar i Përgjithshëm

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Tema.al

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.