Siri, 15 mijë mercenarë luftojnë kundër Assad

Postuar në 09 Mars, 2012 08:35

Në Siri ndodhen të paktën 15 mijë mercenarë të cilët luftojnë përkrah rebelëve në luftën e tyre përballë presidentit Bashar al-Assad. 

Deklarata erdhi prej zëvendësambasadorit rus në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, gjatë një forumi për gjendjen aktuale të Sirisë.

”Rebelët janë duke torturuar, duke vrarë, duke plaçkitur dhe tmerruar qytetarët e thjeshtë. Si rrjedhojë e mungesës së qëndrueshmërisë, fluksi i terroristëve nga shtetet e ndodhura pranë është në rritje të vazhdueshme”, deklaroi diplomati Mikhail Lebedev. 

“Janë të paktën 15 mijë luftëtarët e huaj, që po përpiqen të rrëzojnë qeverinë e al-Assad. Mendoj se për OKB-në duhet të jetë një shqetësim më vete edhe fakti që askush nuk ka mbetur për të ruajtur kufinjtë e Sirisë”, shtoi ai.

Me deklaratat e Lebedev, Rusia mbështet për herë të parë hapur versionin e qeverisë së al-Assad, i cili konsideron se është përfshirë në një luftë kundër militantizmit botëror dhe se “forcat e errta” po përpiqen ta kthejnë Sirinë në një vatër të terrorizmit. 

Më parë, Moska ka ndihmuar regjimin e Assad duke bllokuar dy rezoluta që përmbanin sanksione të rëndësishme dhe i bënin thirrje Assad që të largohej, pasi sipas Rusisë, nisma e vendeve arabe dhe atyre perëndimore ngjasonte me skenarin e ndërhyrjes “së paligjshme” në Libi.

Sipas të dhënave zyrtare të Damaskut, rreth 2 500 ushtarë qeveritarë janë vrarë në luftën me rebelët. Raporti i OKB-së flet për 7 500 civilë të vrarë në një vit konflikt, ndërsa raporte paralele e ngrenë numrin e viktimave deri në dy herë më shumë. 

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.