Bugajski: Efekti domino i krizës greke, në Shqipëri e sjellin emigrantët

Postuar në 12 Mars, 2012 05:50

Kriza greke mund të kapërcejë kufijtë shtetërorë dhe të prekë si në një efekte domino një pjesë të mirë të Ballkanit. Në analizën e tij, në emisionin "Bugajski Hour", në Albanian Screen, politologu dhe analisti i njohur, Janush Bugajski thotë se dhe Shqipëria mund të vuajë pasojat e shpërthimit social dhe ekonomik që po përjeton Greqia.
Zhgënjimi nga 2 partitë e mëdha, Pasoku i qendrës së majtë dhe Demokracia e re e qendrës së djathtë, mund të krijojnë terren në zgjedhjet e prillit, për partitë ekstremiste të të dy kampeve, të cilat edhe përpara masave të ashpra të kursimeve mbështeteshin nga më shumë se 40 për qind e elektoratit.

"Unë mendoj se Greqia është pranë një shpërthimi social, i cili mund të kapërcejë edhe kufijtë e saj.Pavarësisht nëse Athina dështon në plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga borxhet massive apo nëse ajo vazhdon të varet nga ndihma ekonomike për të shpëtuar nga ato borxhe, ekonomia është bllokuar dhe vendi përballet me trazira të paparashikueshme. Hakmarrja e votuesve mund të rezultojë në një seri qeverish të dobëta apo në kthimin në pushtet të një koalicioni radikal, me një axhendë nacionaliste", shprehet z. Bugajski.

Papunësia ndër të rinjtë llogaritet në 48 për qind,- komenton Bugajski. GDP-ja është zvogëluar me 16 për qind gjatë recesionit 4-vjeçar. Ndrësa këmbëngulja e sektorit shtetëror dhe sindikatave të fuqishme po bllokon reformat që nevojiten për rimëkëmbjen e ekonomisë. Një qeverisje ekstermiste, sipas tij, do ta fundoste dhe më shtetin fqinj, duke u reflektuar dhe në Shqipëri.

"Shkatërrimi social i Greqisë mund të jetë i ngjashëm me atë që ndodhi në Shqipëri në vitin 1997,kur skemat piramidale dështuan.Por në vend që të çojë drejt një dështimi të mundshëm të shtetit, trazira greke mund të jetë një paralajmërim për nevojën urgjente për një qeveri autoritare,e cila do të bllokojë demokracinë në vend. Minoritetet mund të jenë veçanërisht të prekshme nga këto sulme. Dhjetëra mijëra prej tyre mund të humbasin vendet e punës apo të detyrohen të largohen.Kjo gjë do të shkaktojë presione ekonomike dhe sociale jashtëzakonisht të mëdha për Shqipërinë fqinje", tha ai.

Një tjetër krizë, shteti grek mund të pësojë, dhe në politikën e tij të jashtme thotë Bugajski.

"Në një skenar të tillë,objektivat kryesorë të jashtëm për Greqinë do të jenë Turqia dhe Maqedonia,ku shtimi i nacionalizmit grek do të shtojë në të njëjtën masë reagimet nacionaliste.Konfliktet mes Ankarasë dhe Athinës do të ndikojnë në çështjen e sigurisë në Qipro, në Egje dhe në Ballkan.Këto situata mund të përshkallëzohen në konflikte ushtarake, pavarësisht se të dyja vendet janë anëtare të NATO-s.Maqedonia mund të përballet me një presion më të madh dhe shqiptarët do të jenë gjithnjë e më të shqetësuar nëse ajo bllokohet përfundimisht nga anëtarësimi në NATO dhe BE", shprehet ai.

Por në analizën e tij, Janush Bugajski, flet dhe për një skenar B, më optimist. Tragjedia greke mund të jetë më pak dramatike sipas tij nëse qyetarët pranojnë të kosiderojnë masat e tejzgjatura të kursimeve si një çmim që duhet paguar për qëndrueshmërinë kombëtare dhe anëtarësinë në BE. Ndërkohë, zgjedhjet mund të prodhojnë një koalicion të qendrës,që do angazhohet për implemetimin e përgjegjësive të tij financiare. Fatkeqësisht,thotë Bugajski, vitet e fundit kanë treguar se skenarët e mirë janë shumë të pakët në Greqi.

 

Elona Gjylmi

 

Albanian Screen 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.