Peticioni, Shoqëria Civile: Të vendoset drejtësi për Gërdecin

Nëpërmjet një peticioni drejtuar Gjykatës së Tiranës, asaj të Apelit por edhe Prokurorisë, Shoqëria Civile kërkon drejtësi për tragjedinë e Gërdecit. Peticioni është nënshkruar nga 41 individë dhe shoqata nga Shqipëria dhe Kosova.
Në të thuhet se “Vendimi i Gjykatës së Tiranës i datës 12 mars 2012 nuk i përgjigjet shkallës së tragjedisë dhe përgjegjësive për Gërdecin dhe lë pa autorë shkaktarët e vdekjes së 26 viktimave të pafajshme. Vendimi nuk dha drejtësi, por u karakterizua nga një proces gjyqësor i padrejtë dhe deficitar”, thuhet në peticion.
Në peticion shkruhet se drejtësia për këtë proces është edhe test për shtetin ligjor. “Nëse ky proçes dështon, besimi tek drejtësia dhe demokracia do të jetë i pamundur për t’u rikuperuar”, shkruhet më tej.
Duke arsyetuar se padrejtësia e hasur në çdo hap nga familjarët e viktimave është padrejtësi në kurriz të çdo qytetari shqiptar, nënshkruesit e këtij peticioni u kërkojnë njëzëri institucioneve përkatëse të tregohen në lartësinë e situatës dhe të realizojnë detyrat me të cilat i ngarkon Kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi.
Konkretisht:
1. Gjykata e Tiranës të zbardhë pa vonesë vendimin e plotë me qëllim për të mundësuar apelimin nga Prokuroria e Përgjithshme brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.
2. Prokuroria ta çojë deri në fund, në përputhje me sa dikton ligji, këtë proçes që përfshin interesin e të gjithëve.
3. Gjykata e Apelit Tiranë të trajtojë me precedencë absolute ngjarjen e Gërdecit. Në vendimin e saj të tregojë seriozitetin dhe profesionalizmin e domosdoshëm në trajtimin e çdo kërkese nga ana e institucionit të Prokurorisë.
4. Këshilli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të ërrëta të këtij procesi tejet të zgjatur.
5. Institucionet shtetërore të lartpërmendura të trajtojnë pa vonesë dhe brenda kompetencave të veta çdo kërkesë legjitime të familjarëve të viktimave të Gërdecit.
6. Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrin e Financave, dhe Gjykatën e Tiranës të marrin masat përkatëse për të përjashtuar familjarët e viktimave të Gërdecit nga detyrimi për pagimin e taksës gjyqësore, duke u garantuar kështu aksesin në gjykatë dhe në drejtësi.
Ballkanweb.com
Add new comment