Çrregullimet mendore. Dyfishohen rastet në psikiatri

Dyfishohet numri i vizitave në qëndrat e shëndetit mendor. Nga 7 vizita që kryheshin më parë në një ditë, në një nga këto qëndra numri ka shkuar në rreth 14 të tilla. Psikiatrit e lidhin këtë shtim të numrit të personave me çrregullimet e ankthit e për pasojë dhe humorit me disa ndryshime në organizëm. Sipas tyre gjatë dimrit disa neurone hidhen në gjak me forcë për të mbajtur të ekuilibruar humorin dhe për pasojë në pranverë këto neurone janë konsumuar dhe duhet pak kohë të rinovohen.
"Në periudhën e dimrit ne harxhojmë të gjitha rezervat tona të këtyre neurotransmetuesve të cilët kontribuojnë që ne ta mbajmë stabël dhe në nivele normale humorin tonë. Këto defiçite shfaqen me një gjendje ankthi që normalsiht mund të mos e kemi pasur përpara. Ne e përjetojmë si më të rëndë gjatë kësaj periudhe. Nëse ne kemi ankth atëherë kujdes se mund të vijë edhe një humor disi më anormal"- thotë psikiatria Arjana Reli.
Jo vetëm çrregullimet e lehta psiqike, por dhe gjendja e atyre me sëmundje të rënda, në këtë periudhë është më e agravuar.
"Në këtë stinë ne kemi edhe rëndimin e sëmundjeve madhore siç janë depresioni apo çrregullimet madhore të mendimit, psikozat, skizofrenia apo çrregullimi skizo- afektiv. Ne mundohemi t'a shpjegojmë pse ka ardhur ky lloj problemi, pastaj i tregojmë edhe familjarëve se sa duhet ndihma e tyre për ta kaluar këtë fazë qoftë edhe pa shtuar medikamente. Në fazën kur problemi është evident atëherë jemi përpara faktit dhe duhet të shtojmë dozën e medikamentit"- thotë Reli.
Pasi u shpjegohet edhe të sëmurëve ndryshimet që lidhen kryesisht me ndryshimet e stinës, në disa raste atyre u shtohen edhe dozat e medikamenteve. Kjo sasi e pacientëve u ulet sërisht në verë.
Albanian Screen
Add new comment