Ulja e kostos së lekut, Meksi: Synohet t’i jepet stimul ekonomisë

Ermelinda Meksi anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë shpjegon në një intevistë për News24 se vendimi i një dite më parë, për uljen e normës bazë të interesit për lekun, u mor për t’i dhënë një stimul ekonomisë, në kushtet kur qeveria ka ulur ndjeshëm shpenzimet në përpjekje për të mbajtur nën kontroll borxhin.
“Ka rënë stimuli fiskal, kanë rënë shpenzimet e qeverisë, të kushtëzuara këto nga niveli shumë i lartë i borxhit publik. Ajo që është shqetësuese është që, në fillim të këtij viti vërehen rënie e shpenzimeve qeveritare por në drejtimin e rënies së investimeve dhe vihet re një rritje e shpenzimeve korente, c’ka nuk flet mirë për performancën e e zhvillimeve ekonomike në të ardhmen. Në këto kushte kemi përdorimin e instrumentit të politikës monetare, i cili sigurisht nuk mund të bëjë cudirra”, komentoi Meksi.
Ulja e kostos së lekut pritet të shoqërohet me rritje të kreditimit dhe rrjedhimisht edhe të kërkesës që aktualisht është shndërruar në një problem për ekonominë vendase.
“Ulja e normës bazë të interesit nga banka synon që të stimulojë kërkesën, të stimulojë kreditimin duke mundësuar një kosto më të ulët të kreditimit, kjo shkon edhe në favor të uljes së kostos së borxhit. Shqipëria dhe ekonomia jonë ndodhet përpara sfidash të vështira në vitin 2012”, komentoi Meksi.
Në 6 muajt e fundit Banka e Shqipërisë e ka ulur me 4 herë normën bazë të interesit për lekun, duke e cuar koston e monedhës vendase në minimumin historik të 4,25%.
Ballkanweb.com
Add new comment