Francë, policia në Toulouse arreston 20 islamistë radikalë

Postuar në 30 Mars, 2012 05:26

Rreth njëzet të dyshuar islamistë radikalë janë arrestuar nga policia franceze tetë ditë pas vrasjes së Mohammed Merah, autor i një serie sulmesh, ku mbetën të vrarë shtatë vetë. Pjesa më e madhe e arrestimeve u krye në Toulouse, në veçanti në lagjen e Mirail, por edhe në Nantes dhe Le Mans në perëndim të Parisit. 

Në Nantes ndërhyrja u përqendrua në një depo, në periferi, që dyshohej se përdorej nga udhëheqësit e grupit të paligjshëm Forsane Alizza (Kalorësit e Krenarisë). Operacioni u koordinua nga shërbimet e inteligjencës vendore me mbështetjen e njësive elitë të policisë. "Arrestimet nuk lidhen drejtpërdrejt me hetimin për krimet e Mohamed Merah, por kishin për qëllim shpartallimin e organizatave të dyshuara e do të vazhdojnë",-deklaroi presidenti, Nicolas Sarkozy, i cili artikuloi gjithashtu dhe mundësinë e dëbimit nga Franca të personave që sipas tij, nuk kanë asnjë arsye të qëndrojnë aty.

Pas vdekjes së Merah, të vrarë në një sulm më 22 marsit, Presidenti Sarkozy i kërkoi policisë të vazhdonte vlerësimin e rrezikshmërisë së personave të njohur për lidhje apo simpati për islamin radikal. "Çfarë duhet të kuptoni është se trauma e Montauban dhe Toulouse është e thellë në vendin tonë. Gati-gati si trauma e shkaktuar në SHBA dhe New York nga ngjarjet në 11 shtatorit të vitit 2001",-deklaroi Sarkozy duke folur për radion Europe 1, menjëherë pas arrestimeve. 

Presidenti tha se gjatë operacionit ishin sekuestruar dhe armë zjarri.  Vala më e fundit e arrestimeve pason funeralin e Merah në varrezat e Toulouse, në prani të rreth 15 -30 të rinjve, por jo familjarëve. Niveli i alarmit në Francë mbetet i lartë pasi janë rritur dyshimit për prezencën e një të dyshuari të tretë për sulmet e Merah, thënë ndryshe, personit që mund të ketë dorëzuar videon e sulmeve apo ka ndihmuar vëllezërit Merah në mbledhjen e materialeve të nevojshme. Në qoftë se një person i tretë është i lirë, rritet mundësia për  prezencën e një tjetër terroristi aktiv, të përgatitur për të sulmuar sërish.

Delina Bitraku

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.