Shqipëria në fokusin e gazetarëve torinezë

Postuar në 31 Mars, 2012 11:32

Shqipëria europiane dhe mesdhetare, kultura dhe realiteti i saj ishin temat në qendër të takimit që u zhvillua të premten, 30 Mars 2012, në Bibliotekën “Italo Calvino” të Torinos me gazetarët torinezë Rosita Ferrato dhe Sergio Miravalle. 

Gjatë takimit të organizuar nga Qendra e Kulturës Shqiptare në bashkëpunim me bibliotekat e Torinos, dy firmat e njohura të shtypit italjan i përcollën publikut të pranishëm vështrimet e tyre mbi Shqipërinë, përmes fotografive dhe shënimeve të udhëtimit të mbledhura gjatë vizitave të zhvilluara në vendin tonë. 

Publiku priti me mjaft kuriozitet pamjet e rralla të fotografive të realizuara nga Sergio Miravalle, gazetar i të përditshmes La Stampa, gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri në vitin 1982 si pjesë e një grupi turistësh të huaj që e vizitonin vendin tonë për të parë me sytë e tyre zhvillimet e asaj që propagandohej në botë si “parajsa socialiste”. 

Ndërsa Rosita Ferrato i prezantoi publikut librin “Shqipëria, vështrime të një reportereje”. I botuar në Torino në prill të vitit 2011, libri është fryt i punës së kujdesshme kërkimore dhe i disa udhëtimeve të autores në vendin tonë gjatë vitit 2010. 

Ai i përcjell publikut italian një larmi vëzhgimesh dhe të dhënash historike, turistike, sociologjike dhe zakonore mbi Shqipërinë, të hedhura në letër me një stil të këndshëm dhe lehtësisht të lexueshëm. Një rrugë e ndërmjetme mes shënimeve të udhëtimit dhe reportazhit të mirëfilltë, libri i grish lexuesit të udhëtojnë drejt Shqipërisë, këtij vendi ekstravagant e mikpritës, që është ende i gjithi për tu zbuluar. 

Takimin e moderuar nga gazetari Benko Gjata e përshëndeti edhe deputeti i parlamentit italian Marco Calgaro, i cili ju kujtoi të pranishmëve lidhjet e hershme kulturore dhe historike mes dy vendeve tona, që duhet të shërbejnë edhe sot për të nxitur dhe forcuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat. 

QENDRA E KULTURËS SHQIPTARE, PIKË REFERIMI PËR DIASPORËN DHE INSTITUCIONET SHQIPTARE DHE ITALIANE 
Procesi i emigracionit drejt vendeve të zhvilluara perëndimore, që ka nisur në fillim të viteve 90-të ka çuar deri më sot drejt Italisë fqinje mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë. Rreth një e treta e tyre jetojnë dhe punojnë në rajonet veriperëndimore të Lombardisë dhe Piemontit, që përfaqësojnë së bashku një prej zonave më të zhvilluara të Europës. 
Pikërisht në këtë territor vepron tashmë prej disa vitesh edhe Qendra e Kulturës Shqiptare. Ajo është themeluar nga një grup intelektualësh, artistësh, sipërmarrësish dhe aktivistësh të shoqërisë civile me qëllim kryesor promovimin e kulturës dhe të imazhit të Shqipërisë. 
Qendra mbështet gjithashtu procesin e integrimit të bashkësisë shqiptare, nxit pjesëmarrjen aktive të qytetarëve shqiptarë në jetën kulturore, sociale, ekonomike dhe politike të Italisë dhe bën përpjekje për zhvillimin dhe konsolidimin e marrdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve. 
Veprimtaria e dendur dhe cilësore ka bërë që Qendra e Kulturës Shqiptare të jetë sot një prej realiteteve më të njohura e më të spikatura të bashkësisë shqiptare në Itali. Ajo është shndërruar tashmë në një pikë referimi si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për organizatat dhe institucionet e territoreve ku vepron. 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.