Greqi, përplasje për masat mbi emigrantët klandestinë

Postuar në 04 Prill, 2012 07:18

Zv/ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Manolis Othonas ka përparuar në tërheqjen e përkohshme të amendamentit të ministrit të Mbrojtjes së Qytetarit, për qendrat e mbajtjes së emigrantëve. 

Amendamenti u tërhoq pas protestës që bënë tek kryetari i Parlamentit deputetët e Koalicionit të së Majtës Radikale (SYRIZA), si dhe pas reagimeve të Partisë Komuniste, në lidhje me amendamentin e ministrit të Mbrojtjes së Qytetarit, Mihalis Krisohoidhis për emigrantët e paligjshëm. Dy deputetët e SYRIZA thanë se bëhet fjalë për një paraqitje arbitrare dhe me vonesë të amendamentit, i cili do të riparaqitet në projektligjin e Ministrisë së Punës, që do të votohet në fillim të javës së Pashkës. 

Amendamenti nxit izolimin e shtetasve të huaj, të cilët përbëjnë rrezik për shëndetin publik dhe dërgimin e tyre në strukturat e duhura shëndetësore. Gjithashtu, amendamenti parashikon dhënien e një vendimi ministror me të cilin përcaktohet numri i Qendrave të Pritjes së Parë dhe të vendeve të mbajtjes që do të krijohen në çdo rajon administrativ të vendit si dhe vendndodhja specifike e këtyre qendrave. 

Ndërkohë mësohet se menjëherë pas Pashkëve në Atikë do të funksionojë Qendra e parë e pritjes së Emigrantëve. Këtë e deklaroi ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Mihalis Hrisohoidhis gjatë prezantimit të 200 policëve të rinj që iu bashkuan grupit Dias. Sipas informacioneve kjo qëndër do të jetë në Amigdhaleza, ndërsa sot në mëngjes banorët e Amigdhalezas u përplasën me policinë për qendrën e pritjes së emigrantëve klandestinë që pritet të hapet aty. Shumë këshilla lokale në Maqedoninë Perëndimore kanë reaguar negativisht në drejtim të funksionimit të këtyre qendrave në zonat e tyre, ndërsa «po» me një shumicë të madhe tha këshilli bashkiak i Dheskatit, duke marrë parasysh se përfitimet reciproke do të rriten. 

«Veçanërisht alarmante», i karakterizon Amnesty International planet e qeverisë greke, për izolimin për një kohë të pacaktuar të emigrantëve të paligjshëm në Greqi, të cilët përbëjnë një kërcënim për shëndetin publik. 

Mbështetje por edhe vërejtje ka dëgjuar nga KE për çështjen e emigrantëve të paligjshëm, ministri i Mbrojtjes së qytetarit, Hrisohoidhis në takimin e tij me Komisioneren Cecilia Malmstrom, e cila shprehu dëshirën e Komisionit për të shqyrtuar të gjitha mundësitë e mbështetjes për Greqinë në përputhje me rregullat evropiane e standardet ndërkombëtare. Megjithatë, ajo theksoi nevojën për përdorimin më efektiv të burimeve të komunitetit që janë për emigracionin e paligjshëm. 

Në të njëjtën kohë me 200 oficerë të rinj të policisë do të forcohen grupet DI.AS. tha ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, të cilët do të ndihmojnë në luftën kundër krimit, veçanërisht në lagjet e qendrës së Athinës. 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.