ALARMI I FONDIT

Postuar në 06 Janar, 2013 07:51

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar druan nga përsëritja e situatës së vitit 2010, kur institucionet e Kosovës, për shkak të premtimeve zgjedhore, e futën vendin në telashe financiare. Ky institucion kërkon nga Qeveria t’i menaxhojë me kujdes projektet për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Shkup dhe privatizimin e PTK-së. Krejt kjo pasi në raportin e FMN’së fundi i vitit 2013 dhe fillimi i vitit 2014 konsiderohen si periudhë zgjedhore.

Fondi Monetar Ndërkombëtar po u frikohet zgjedhjeve në Kosovë. Kurdo që ato të mbahen, ky institucion thotë se ka një përvojë të hidhur me politikën kosovare. Jo se ka lidhje direkte me të, por herën e fundit për shkak të saj u desh t’i prishë punët me Kosovën.

Fondi vlerëson se e njëjta situatë mund të përsëritet prapë në vitin 2013 ose në fillim të vitit 2014, kur parashihet të mbahen zgjedhjet parlamentare në vend.

“Përvoja e pafavorshme me SBA (programin e parë Stand By) e Kosovës në korrik të vitit 2010 sugjeron, megjithatë, se trazirat politike mund t’i vënë këto arritje në rrezik, veçanërisht në kontekstin e fushatave elektorale”, thuhet në vlerësimin e FMN-së.

Dy vite më parë, Qeveria e Kosovës përkundër marrëveshjes dhe kushteve të përcaktuara nga Fondi, vendosi t’i rrisë pagat e mësimdhënësve në prag të zgjedhjeve. Kjo asokohe bëri që Kosova të dalë nga programi si shkelëse e marrëveshjes për t’u kthyer prapë në një program monitorues të stafit.

Ky institucion kërkon nga Qeveria e vendit dhe kryesisht partitë politike të ruajnë të arriturat e deritashme gjatë dy viteve të fundit dhe stabilitetin makroekonomik në kuadër të marrëveshjes me Fondin.

“Rreziku kryesor në këtë program janë pengesat potenciale politike”, thuhet në këtë vlerësim.

Parashikime të tilla patën ardhur nga zyrtarë të këtij institucioni edhe një vit më parë, por tani ato janë futur edhe në raport të veçantë për Kosovën.

Përveç kësaj, një rrezik tjetër që mund të prishë bilancin buxhetor dhe të shkaktojë telashe të mëdha financiare është edhe investimi në ndërtimin e autostradës së re Prishtinë-Hani i Elezit.

Buxheti i vitit 2013 ka marrë përkrahjen e FMN-së, por jo edhe alokimet e mjeteve për autostradën e re, që njihet ndryshe si rruga 6.

Ekzekutimi i pagesave për këtë projekt, që shihet si ambicioz e që do të zgjasë disa vite deri në realizimin e plotë, është subjekt i kushteve të rrepta të institucioneve financiare ndërkombëtare.

“Këto kushte duhet të respektohen plotësisht dhe përgatitja e R6 nuk duhet nxituar, në mënyrë që të sigurohet se financimi i R6 është një investim i zbatueshëm, që nuk përbën rrezik të panevojshëm për financat publike”, thuhet në raportin e Fondit.

Kujdes i veçan kërkohet edhe për iniciativa tjera të institucioneve të Kosovës si për përfitimet e mundshme veteranëve të luftës ose modifikimet në kuadrin e pensioneve.

Këto dhe shumë projekte tjera, sipas vlerësimeve të Fondit, mund të çojnë në debalanc makroekonomik dhe zbrazëtirat buxhetore duhet të mbulohen nga një financim i madh alternativ.

Shitja e PTK-së shihet si mundësia më e mirë për të mbuluar nevojat buxhetore.

Me 300 milionë euro, sa mendohet të fitojë Qeveria e Kosovës nga shitja e 75 për qind të aksioneve të ndërmarrjes më fitimprurëse në vend, sipas FMN-së, bilanci bankar do të kthehet në nivelin e duhur.

Kjo ndërmarrje tashmë është në proces të privatizimit dhe, sipas planifikimeve, në fillim të këtij viti do të duhet të shpallet blerësi.

Megjithatë, nga pesë kompani sa ishin në garë, në fund të vitit 2012, kompania e ish sekretares amerikane të Shtetit, Madeline Albright, është tërhequr nga gara.

Albright Capital Management LLC ka hequr dorë nga privatizimi i PTK-së, siç thuhet, për shkak të mosarsyeshmërisë ekonomike të investimeve.

Gazeta Express

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.