PO KEQMENAXHOHET PARAJA PUBLIKE

Postuar në 09 Janar, 2013 02:25

 

Keqmenaxhimi i parasë publike ka rritur edhe më shumë problemet ekonomike në Kosovë.

Menaxhimi i financave publike kritikohet ashpër nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë. Ata thonë se paraja publike po keqpërdoret dhe po menaxhohet në mënyrën më të dobët të mundshme, duke krijuar kështu probleme të mëdha ekonomike.

 

Shfrytëzimi i mjeteve buxhetore apo parave të tatimpaguesve, sipas profesorit të ekonomisë Bedri Selmanaj, në të gjithë vendet e tranzicionit, përfshirë këtu edhe Kosovën, është bërë në mënyrë të pakoordinuar dhe jo profesionale. Një pjesë shumë e madhe e mjeteve publike, thotë Selmanaj, shpenzohen përmes prokurimit publik që fatkeqësisht në Kosovë mbetet njëra nga fushat më të korruptuara.

“Mjetet publike shpenzohen përmes tenderëve. Tenderët janë problemi kryesorë në të cilat janë ballafaquar të gjitha vendet në tranzicion, kështu që edhe Kosova është duke u ballafaquar me problemin e një fenomeni që ka marrë përmasa të tenderomanisë. Në këtë rast kemi probleme shumë të mëdha”, tha Selmanaj për Radion Evropa e Lirë.

Prokurimi publik edhe në raportet vendore dhe ndërkombëtare ishte konsideruar si burim i korrupsionit. Kjo fushë ishte thënë se ka krijuar probleme të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit. Në anën tjetër, sipas monitorimeve bërë nga shoqëria civile thuhet se në shumicën e institucioneve publike ka keqpërdorim të parasë publike. Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se menaxhimi i financave publike nga institucionet e Kosovës nuk është transparent dhe i keq menaxhuar.

“Nga monitorimi i KDI që e bënë në vazhdimësi në institucionet e Kosovës për menaxhim të parasë publike e në veçanti në sektorin e prokurimit publik, ne kemi vërejtur se ka terren shumë të përshtatshëm për keq menaxhim të parasë publike, sidomos për zhvillim të korrupsionit për shkak se ende mungojnë njerëz që kanë vullnet për ta luftuar korrupsionin dhe për të mirë menaxhuar paranë publike”, shprehet Mustafa.

Ajo shton se kanë informacione se edhe paratë e donacioneve të ndryshme që vinë për Kosovën po keqpërdoren

“Kemi disa indikacione që edhe në sektorin e bujqësisë vinë shumë donacione nga Banka Botërore dhe Komisioni Evropa nuk menaxhohen në mënyrën e duhur, ato para nuk shkojnë te njerëzit relevantë apo te bujqit, pra në përgjithësi kemi mungesë të kontrollit të parasë publike”, bën të ditur Mustafa. Sipas ekspertit të çështjeve të ekonomisë Bedri Selmanaj, nga keqmenaxhimi i parasë publike Kosova nuk ka arritur që të absorbojë as edhe fonde apo donacione nga mekanizmat financiare ndërkombëtarë.

Ai rikujton konferencën e donatorëve ku ishin premtuar mbi 1 miliard euro për Kosovën, e që sipas tij, Kosova nuk ka arrit të merrte nga këto donacione as 40 për qind.

Pavarësisht kritikave të shumta për menaxhim të buxhetit, autoritet kosovare vazhdimisht janë deklaruar se bëjnë menaxhim të duhur të buxhetit dhe se ka transparenca dhe llogaridhënie. Ata kanë thënë se të gjitha raportet e hartimit dhe ndarjes së buxhetit, pas finalizimit publikohen edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave.

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.