“Mostra” i Durrësit me antiplumb në gjyq, kërkohet gjykim i shkurtuar për Shaban Norjen

Masa të forta sigurie në seancën e parë të procesit gjyqësorë të ngarkim të Shaban Norjes, vrasësit të 18-vjeçares Ajshe Vata. 80-vjeçari Norja, që vrau dhe gjymtoi kufomën e Ajshe Vatës, shtatzënës 18-vjeçare nga fshati Xhafzotaj, është shfaqur i qetë dhe me jelek antiplumb në sallën e gjyqit.
Avokati mbrojtës Osman Dashi ka kërkuar gjykim të shkurtuar për vrasësin e Vatës, i dënuar më parë për armëmbajtje paleje. Mbrojtësi ligjor i tij ka deklaruar se Norja është thellësisht i penduar për krimin e kryer. Ndaj kërkesës së mbrojtjes nuk ka shfaqur kundërshtim as prokurori i çështjes Sokol Nishani, ndërkohë që trupi gjykues i kryesuar nga kreu i gjykatës Ervin Metalla është tërhequr për të shqyrtuar kërkesën e mbrojtjes. Në përfundim togat e zeza kanë vendosur që seanca e radhës të zhvillohet mesditën e 24 janarit. Ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe armëmbajtje paleje. Ai rrezikon të dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, nëse gjykata e Durrësit nuk do të marrë parasysh kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar.
Në 11 tetor të vitit të kaluar, 80-vjeçari Shaban Norja vrau dhe gjymtoi në mënyrë makabre 18-vjeçaren Ajshe Vata, e cila ishte tre muajsh shtatzënë. Vajza u gjet e masakruar dhe pa kokë në një arë me misër, disa metra larg banesës së saj. Koka e 18-vjeçares, e cila sapo kishte nisur jetën studentore në kryeqytet, u gjet tre ditë pas krimit. Norja dhe viktima kishin një lidhje dashurore, që zgjaste prej disa vitesh. Norja ka pranuar se ishte babai i fetusit tre muajsh, ndërkohë që pas arrestimit ka deklaruar se vajza nuk kishte pranuar të abortonte dhe i ishte lutur 3 ditë për ta vrarë, sepse nuk përballonte dot turpin.
SHQIP
Add new comment