FRD: KQZ, praktikë abuzive. Na përjashtoi nga fondet për partitë dhe përfitimet sipas Kodit

Postuar në 14 Janar, 2013 08:35

 

Fryma e Re Demokratike nëpërmjet Sekretarit të saj për Çështjet Zgjedhore Ervin Karamuço akuzoi KQZ per praktike abuzive, duke shprehur shqetesimin per perjashtimin e saj nga perfitimi i ndarjes se fondit per partite dhe gjithe perfitimeve qe sipas saj i takojne me ligj nga Kodi Zgjedhor.

Deklarata

Sipas nenit 2 pika 12 e Kodit Zgjedhor, çdo parti politike që posedon të paktën një vend në Kuvend ka të drejtën të përfitojë çdo atribut që i njihet nga ky kod lidhur me financimin partiak, prezencën e tij te vazhdueshme pranë KQZ-së, përfshirjen e saj në strukturat e tjera zgjedhore etj.

Ditën e martë, më dt. 15.01.2013 KQZ, ka caktuar në rend dite shpërndarjen e fondeve për partitë politike parlamentare, duke përjashtuar nga lista e këtyre partive FRD-në. Ky veprim përforcon edhe më shumë parashikimet që ne si forcë politike kemi pasur dhe kemi për veprimtarinë e këtij komisioni, shoqëruar kjo edhe nga një skepticizëm i shtuar i partnerëve ndërkombëtare.

Këto veprime po afirmojnë një strukturim të marrëveshjeve okulte nga dy partitë e vjetra lidhur me ndarjen abuzive të pushtetit që synon deformimin e vullnetit të zgjedhësve dhe të zhvillimit të një gare të pastër politike. FRD mbetet me shpresë se orientimet që dalin nga zyra e Kryeministrit Berisha për KQZ-në e tij politike, të mos gjejnë mbështetjen e përfaqësuesve të partive të tjera, pasi këto veprime të përsëritura po degradojnë pavarësinë e institucioneve, besimin e popullit në votën e tyre si dhe do të dëmtojnë rëndë performancën e shtetit shqiptar në proceset integruese.

Me këtë rast i bëjmë thirrje KQZ-së që të rishikojë vendimmarrjen e saj ditën e nesërme dhe të zbatojë në mënyrë të paanshme Kodin Zgjedhor duke garantuar një garë të ndershme dhe jo përjashtuese ndaj FRD-së. Gjithashtu, i bëjmë apel partnerëve ndërkombëtarë që të fuqizojnë qëndrimin dhe monitorimin e tyre për këto zgjedhje edhe në drejtim të procesit përgatitor të tyre dhe jo të mbeten vetëm në terma pas-zgjedhore.

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.