KQZ konsensus për shpenzime luksi, sherr për mandatet

Postuar në 16 Janar, 2013 03:56

 

Plot 123 milionë lekë do të ketë në dispozicion Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për nevojat e tij për vitin 2013. Buxhet ky që nuk përfshin asnjë lek për përballimin e zgjedhjeve, pasi për këtë do të ketë një fond të veçantë që do të ndahet më vonë. Nga shuma prej 123 milionë lekësh pjesa kryesore ose më saktë 72 milionë shkojnë për paga dhe sigurime dhe pjesa që mbetet, pra rreth 28 milionë lekë, janë programuar për mallra, shërbime dhe investime. Në fakt buxheti i KQZ-së për 2013-n nuk ka ndonjë ndryshim në krahasim me buxhetin e një viti më parë në krahasim me 2012-n, me përjashtim të një fondi prej 3 milionë lekësh të akorduara për rikonstruksionin e një magazine në Farkë. Ajo që bie në sy është detajimi i buxhetit dhe në mënyrë të veçantë ai për mallra e shërbime si dhe udhëtime. Kështu, sipas tabelave që shoqërojnë vendimin e miratuar dje në mbledhjen e radhës së KQZ-së, parashikohen në mënyrë të detajuar blerja e çdo produkti apo marrja e çdo shërbimi, duke filluar që shërbimin i telefonisë, interneti, dhe për të përfunduar me blerjen e kancelarive, apo edhe të karrigeve, celularëve, lap-topëve etj. KQZ ka parashikuar që për vitin që jemi të paguajë 1.2 milionë lekë të reja për telefoninë fikse dhe 407 mijë lekë për telefoninë celulare për anëtarët dhe administratën, 480 mijë lekë për internet, 300 mijë për shërbimin postare, si dhe 800 mijë lekë për përkthime. Një pjesë të mirë fondit të përcaktuar për shërbime e mallra e zënë shpenzimet për transport, plot 1.7 milionë lekë me të cilët parashikohen që të blihen 6 tonë karburant për të gjitha automjetet e institucionit. Në pamundësi për të blerë një automjet, pasi Kuvendi nuk i miratoi kërkesën për një fond prej 3 milionë lekësh, KQZ ka caktuar që të përdorë 1.2 milionë lekë nga buxheti për të marrë një makinë me qira për 6 muaj me tarifë 50 euro në ditë. Bie në sy dhe një fond prej 800 mijë lekë të reja që ky institucion ka programuar për shërbimet e pijeve, si kafe, ujë e lëngje të tjera për pritjen e delegacioneve. Në tabelën detajuese evidentohet se për vitin 2013 KQZ do të përdorë rreth 1.6 milionë lekë të reja për shpenzime udhëtimi, nga të cilat 100 mijë për brenda vendit dhe 1.5 milionë për jashtë vendit. Gjithashtu, në buxhetin e detajuar është parashikuar edhe një fond prej 3 milionë lekësh të reja për shpenzime për pajisje zyre, ku parashikohen të blihet kondicionerë, karrige, skrivani, laptop, celular, skanera etj. Më konkretisht në tabelë thuhet se KQZ do të blejë 4 kondicionerë, të cilët në total do të kushtojnë 470 mijë lekë të reja, 7 karrige të reja për anëtarët e KQZ-së, me një vlerë 40 mijë lekë të reja copa, 1 skrivani me vlerë 160 mijë lekë, 8 laptopë me vlerë 150 mijë lekë copa. Ndër të tjera me buxhetin e këtij viti KQZ programon që të blejë 5 celularë me vlerë 70 mijë lekë një, si dhe një skaner 140 mijë lekë dhe 1 fotokopje 400 mijë lekë.

 

 

Tabelë

 

Telefoni fikse                          1.2 milionë lekë

Tarifë për celularë                   407 mijë lekë

 

Internet                                   480 mijë lekë

Shërbim postar                        300 mijë lekë

Përkthime                                800 mijë lekë

Karburant 6 tonë                     1.7 milionë lekë

Makinë me qira                       1.2 milionë lekë për 6 muaj

Udhëtime jashtë                       1.5 milionë lekë

Kondicionerë 4 copë               470 mijë lekë

Karrige 7 copë                                     40 mijë lekë copa

Skrivani 1 copë                       160 mijë lekë copa

Laptop 8 copë                                     150 mijë lekë copa

Celular 5 copë                         70 mijë lekë copa

Fotokopje 1 copë                    400 mijë lekë

Skaner 1 copë                          140 mijë lekë

 

 

 

Kryetarja Lleshi dhe nënkryetari Bina janë përfshirë në një debat të ashpër me fjalor të rënduar dje në mbledhjen e KQZ-së

 

Ndarja e mandateve, debat

me sharje dhe fyerje në KQZ

 

Ka mbaruar “muaji i mjaltit” për anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe secili prej anëtarëve e ka pozicionuar tashmë veten në frontet përkatëse politike. Prova ka qenë dje kur anëtarët e KQZ-së kanë lënë pas mirëkuptimin dhe gjuhën e kujdesur dhe i janë kundërvënë njëri-tjetrit me një fjalor të rënduar dhe duke krijuar një situatë të tensionuar. Shkak është bërë çështja e ndarjes së mandateve dhe në mënyrë të veçantë letra që sekretarja e përgjithshme e KQZ-së, Aliona Mansaku, i nisi para disa ditësh Kuvendit, ku e informonte atë mbi pamundësinë e ndarjes së re të tyre dhe duke e ftuar legjislativin që ta zgjidhte ai tashmë çështjen. Nisur pikërisht nga kjo letër, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, dhe anëtarja Albana Shtylla kishin depozituar dy ditë më parë në protokoll një kërkesë për të shtuar në rendin e ditës së mbledhjes së djeshme dy pika një për të marrë informacion nga administrate lidhur me korrespondencën e zhvilluar me Kuvendin për këtë çështje dhe një pikë të dytë për marrjen e masës disiplinore ndaj sekretares së përgjithshme Aliona Mansaku. Sipas kërkesës së dy anëtarëve që të KQZ-së, sekretarja Mansaku ka tejkaluar kompetencat e saj dhe në emër të KQZ-së ka dërguar një letër të pavlefshme Kuvendit dhe për më tepër duke i bashkangjitur vendimin e 2009-s për ndarjen e mandateve. Por që në fillim kryetarja e KQZ-së bëri të ditur se kërkesa e dy anëtarëve nuk mund të pranohej, pasi roli i KQZ-së është të marrë vendime dhe jo të diskutojë çështje që s’kanë projekt-akt. “Kërkesat tuaja janë të pavlefshme. Anëtarët mblidhen për të marrë vendime. Ne na është bashkëngjitur kërkesë pa akt-vendimmarrje. Është kërkesë administrative. Materialet bashkëlidhur këtyre kërkesave duhet të kenë projekt-akt”, – tha kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi. Ndaj ajo ka urdhëruar sekretaren e përgjithshme që të japë informacion me shkrim për çështjet që ngrenë dy anëtarët e këtij institucioni. Ndërsa vetë Mansaku ka shpjeguar se letrën dërguar Kuvendit e ka bërë me rekomandim të kryetares së KQZ-së dhe se ajo është në vazhdën e komunikimeve të përhershme administrative mes dy sekretarëve të përgjithshëm të dy institucioneve. “Me autorizim të kryetares është përpunuar informacioni që përmban vetëm fakte dhe nuk ka asnjë interpretim ligjor që të orientojë Kuvendin”, – deklaroi Mansaku. Ky qëndrim i kryetares dhe për më shumë vendosmëria e saj për të mos lënë të shpjegohen iniciatorët e kërkesës ka acaruar së tepërmi debatin në tryezë, ndërsa ka filluar dhe një komunikim me fjalë ofenduese mes anëtarëve. Madje nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, në pamundësi për të folur në tryezë, ndërsa mbledhja vazhdonte, ka tentuar që fjalën e tij ta thotë para kamerave të pranishme në sallë. Ndaj në këtë situatë është ndërprerë mbledhja për të rifilluar sërish pas disa minutave, ku anëtarët e KQZ-së ashtu si dhe përfaqësuesit e partive politike kanë mundur ta marrin fjalën dhe të shprehin qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje. “Ne kërkojmë mbledhje të KQZ dhe prezantim të çështjeve që na shqetësojnë dhe na refuzohet pa asnjë bazë ligjore. Zotërinjtë e KQZ nuk morën vendim për ndarjen e mandateve dhe i ndani ju si më 2009-n. Së pari, të paktën më 2009 Arben Ristani pati guximin edhe e dërgoi vetë dhe mori përgjegjësinë e tij, mirë apo keq”, – tha Biba para mediave. Pavarësisht këtij debati të ashpër, në fund KQZ ka miratuar me konsensus të gjitha aktet e tjera që gjendeshin në rendin e ditës, përfshi këtu ndarjen e buxhetit për partitë politike, si dhe detajimin e buxhetit të vetë institucionit.

 

 

Debati

 

Lleshi: Kërkesat tuaja janë të pavlefshme. Anëtarët mblidhen për të marrë vendime. Ne na është bashkëngjitur kërkesë pa akt-vendimmarrje. Është kërkesë administrative. Materialet bashkëlidhur këtyre kërkesave duhet të kenë projekt-akt. Sekretarja e përgjithshme të japë me shkrim informacion.

Aliona Mansaku: Po, dakord jam, se edhe kohët e fundit janë bërë akuza publike për këtë. Ne jemi bazuar te neni 76 i Kodit Zgjedhor. Me propozim të kryetares është përpiluar informacioni që përmban vetëm fakte dhe nuk ka interpretim ligjor, aq më pak të orientojë Kuvendin për ndarjen e mandateve. Nuk është komunikimi i parë ndërmjet dy sekretarëve të përgjithshëm të dy institucioneve.

Lleshi: Fillimin e procedurës disiplinore nuk e shikoj me vend, ajo ka vepruar në autorizimin tim.

Biba: Ju nuk mund të mos më jepni fjalën. Është hera e dytë që më mohoni të drejtën për të folur.

Lleshi: Ik jep konferenca shtypi po deshe, siç bën gjithmonë…

Biba: Nuk na mohon do t`i që ne t`i drejtohemi qytetarëve. Ata kemi.

Lleshi: Drejtohuni, po mos i gënjeni.

Lleshi: Mbledhjen e drejtoj unë. Ju në deklarimet që bëni me mediat mos gënjeni dhe mos thoni fakte që s’janë të vërteta. Të gjitha shkresat i kundërfirmos dhe nënkryetari.

Biba: Mos u fshi pas administratës. Mos gënje. I ke hequr fytyrën KQZ-së.

Lleshi: Jo, unë nuk fshihem pa administratës. Unë do të zbres kamerat poshtë dhe do të tregoj që çdo shkresë është kundërfirmuar nga nënkryetari. Ajo është sekretarja e përgjithshme.

Biba: Bëhu burrë të paktën si Ristani. Këtu po tregon se je një burracake. Kokrra e burracakes je.

Lleshi: Burracak je ti dhe jo unë. Hajde fol në tavolinë dhe jo të më flasësh mua në rrugë.

Biba: Ne jemi këtu për taksapaguesit shqiptarë. Unë nuk kam shkalluar që të largohem.

Lleshi: Je bërë zëdhënës i shtypit të KQZ, që u drejtohesh gazetarëve.

Biba: Kjo është skandaloze. Je serioze apo çfarë?

Lleshi: Serioz nuk je ti. Fjalën skandaloze përdoreni ku të doni. Gjeni një fjalë tjetër që të përdorni.

Biba: Nuk ma heq dot fjalën ti mua, se s’ka rob zoti që të më heqë fjalën, se ka ikur ajo kohë.

Lleshi: Unë po përdor mikrofonin në tavolinë, ti përdor kamerat.

Shtjefni: Bëjmë 5 minuta pushim, se kjo është e turpshme.

Biba: Turpi është i atyre e bëjnë, i atyre që drejtojnë…

Lleshi: Mbledhjen e drejtoj unë.

Biba: Po bëje pra, atë po të kërkoj, kam që të premten. Po bën si kalama.

Lleshi: Si kalama po bëni ju.

Biba: Çdo aksion ka një reaksion, e dashur kryetare.

Lleshi: Pa e dashur, të lutem.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.