Mungon boja e printerit, në rrezik certifikatat dhe listat e zgjedhësve

Dje u prish edhe printeri i parafundit. Nëse do të vazhdojë me këtë ritëm, me siguri publikimi i listave të zgjedhësve do të kthehet në një mision të pamundur. Por jo vetëm lista e zgjedhësve, por edhe shumë shërbime të tjera të nevojshme në përditshmërinë e qytetarëve, siç mund të jenë edhe certifikatat familjare. Njësia Bashkiake Nr. 1 ngriti dje duart lart në shenjë dorëzimi. Po kështu edhe njësia bashkiake Nr. 5, e me radhë. Nuk kanë bojë për printer. Por jo vetëm kaq. Printerët po dalin jashtë pune njëri pas tjetrit. Arsyeja është e thjeshtë. Prej një viti zyrat e gjendjeve civile nuk punojnë me printerët specialë të pajisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por me printerët e njësive bashkiake, që janë të zakonshëm. Lindita Nikolla, kryetare e njësisë bashkiake Nr.1 bëri me dije për gazetën “Shekulli” se dje i është dashur të heqë nga zyra e saj printerin për t’ia vënë në shërbim zyrës ngjitur të gjendjes civile, edhe pse nuk është detyrë e minibashkive t’i pajisin me printer dhe bojë. “Dua të saktësoj që në fillim që fondi për shërbimet operative, si bojë për printer, format A4, stilolapsa e me radhë në shërbim të zyrave të gjendjeve civile pranë njësive bashkiake nuk mbulohet nga buxheti akorduar këtyre njësive, por nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në varësi të Ministrisë së Brendshme. Situata sot është e tillë që Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka një vit që nuk na furnizon me bojë për printer.” Në këto kushte, edhe pse njësitë bashkiake nuk e kanë për detyrë të mbulojnë shpenzimet operative, për të mos ndalur punën, ato u kanë ofruar zyrave të gjendjeve civile printerët e tyre të zakonshëm. Kjo sepse në mungesë të bojës speciale, printerët specialë që ndodhen në zyrat e gjendjes speciale nuk munden të punojnë. “Deri tani si zgjidhje ne kemi gjetur ofrimin e printerëve tanë. Cilësia e printimit kuptohet që nuk ka qenë e mirë. Problemi është se edhe këta printer po na dalin jashtë loje. Dje më është dashur, pasi doli jashtë pune një printer, t’i ofroj zyrës së gjendjes civile printerin që ndodhej në zyrën time, vetëm e vetëm që të mos pezullohej puna. Por sa do të vazhdojë kjo punë kështu?
SHEKULLI
Add new comment