TAP, METE firmos marrëveshjen me “E-ON Ruhrgas", Haxhinasto: Kjo do të sjellë zhvillim të shpejtë për të gjithë vendin

TIRANË- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto firmosi sot një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë gjermane të energjisë “E-ON Ruhrgas” për furnizimin e Shqipërisë me gaz natyror. Haxhinasto e ka cilësuar shumë të rëndësishme arritjen e kësaj marrëveshje, pasi sipas tij kjo do të garantojë sasinë e nevojshme që ka Shqipëria për gaz natyror. Kreu i METE-s theksoi se projekti i gazsjellësit TAP është i një rëndësie strategjike për vendin tonë, rajonin, por edhe për Europën. “Sot arritëm në një marrëveshje tjetër shumë të rëndësishme për garantimin e sasisë së gazit me një nga kompanitë më të mëdha në Europë. Projekti TAP mbi të gjitha krijon mundësi reale për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri dhe sjell një zhvillim më të shpejtë për të gjithë vendin. Prandaj shpreh edhe njëherë vlerësimin për nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Kemi folur me drejtuesit e kompanisë e “E-ON Ruhrgas” edhe për mundësitë e investimeve të tjera në Shqipëri”,- deklaroi Haxhinasto.
Edhe përfaqësuesi i kompanisë gjermane “E-ON Ruhrgas” e vlerësoi marrëveshjen e nënshkruar si mjaft të rëndësishme për të dyja palët. “Kjo kontrate është shumë e rëndësishme sepse ka lidhje me projektin TAP. Jemi shumë mirënjohës dhe shumë të kënaqur sepse po marrim pjesë në politikat e zhvillimit të Shqipërisë. Marrëveshja që firmosëm do të jetë përfituese për të dyja palët”,- u shpreh përfaqësuesi i “E-ON Ruhrgas”.
Tre ditë më parë në kuadër të projektit TAP (Trans Adriatic Pipeline), ministri Haxhinasto nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për furnizimin me gaz me kompaninë zvicerane 'Axpo Trading Ag'. Ndërkaq, sot rreth orës 12:30 pritet që Ministria e Ekonomisë e drejtuar nga Edmond Haxhinasto të firmosë Marrëveshjen e Përkohshme midis Këshillit të Ministrave dhe kompanisë Trans Adriatic TAP AG, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans- Adriatic Pipeline.
SHEKULLI
Add new comment