Kryesia e PS: Ja qëndrimi për ndarjen e mandatave

Nëse mazhoranca kalon në Kuvend ndarjen e 2009-s, kryesia ka vendosur ta kundërshtojë, ndërsa në rast se mazhoranca do të kërkojë të kalojëndarjen e propozuar nga KQZ, atëherë do të jenë deputetët e komisionit të ligjeve ata që do përcaktojnë qëndrimin
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për të ndarë territorin e Shqipërisë në 89 Zona të Administrimit Zgjedhor, por edhe vendimmarrja e pritshme e Kuvendit për ndarjen e mandateve për çdo qark ka “prishur” planet organizative të Partisë Socialiste për zgjedhjet. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur vetë sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Damian Gjiknuri, dje gjatë mbledhjes së kryesisë së PS-së, e cila ka zgjatur për më shumë se 4 orë, ku ndërmjet të tjerave u diskutua edhe për censusin dhe çështjet e tjera organizative zgjedhore. Burime nga kryesia e PS-së kanë bërë të ditur se e gjithë mbledhje ishte e karakterit organizativ, ku në mënyrë të veçantë u fol për vendimmarrjen e institucioneve shtetërore për përgatitjen e zgjedhjeve dhe nevojën për të përshtatur strukturat dhe palët organizative të PS-së me këto vendime.
ZAZ dhe mandatet
Lidhur me këtë çështje, mësohet se Damian Gjiknuri ka paraqitur para anëtarëve të kryesisë dhe kryesisë së grupit parlamentar një material të zgjeruar, ku ai informonte me vendimet e deritanishme të institucioneve që merren me organizimin e zgjedhjeve si KQZ, por edhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor, si dhe për vendimin e pritshëm të Kuvendit për ndarjen e mandateve. Kështu, mësohet se Gjiknuri në materialin e tij, të cilin edhe e ka raportuar në mbledhjen e djeshme, ka vënë theksin se ndarja e re Zonave të Administrimit Zgjedhor nga 66 në 89 ka sjellë probleme sa i përket ndarjes së deputetëve që duhet t’i mbulojnë ato. Deri më tani territori ka qenë ndarë në 66 ZAZ dhe thuajse në çdo njërën prej tyre ishte caktuar 1 deputet socialist që të punonte. Ndërkohë që ndarja e re me 89 ZAZ ka krijuar një situatë që të re, pasi një deputet nuk mund të punoj në dy ZAZ njëkohësisht. Situata bëhet edhe më e koklavitur për shkak se një pjesë e deputetëve që janë anëtarë kryesie janë të deleguar në qarqe, ku nuk janë deputetë, pra ku ZAZ-ja e tyre nuk është pjesë. Ndaj Gjiknuri ka parashtruar para kryesisë nevojën dhe për t’iu përshtatur kësaj ndarje të re, duke përcaktuar njerëzit, që në fakt duhet të jenë dhe kandidatët për deputetë, që do të jenë përgjegjës për organizmin zgjedhor në çdo ZAZ. Një çështje tjetër që është prekur jo vetëm nga materiali i shpërndarë nga Gjiknuri, por është diskutuar gjatë edhe nga kryesia ka qenë ajo e mandateve, edhe ajo me ndikim në çështjet organizative zgjedhore. Sa i përket asaj, kryesia ka qenë thuajse në një mendje që çështja është parimore dhe ka të bëjë me respektimin e ligjit, prandaj është vlerësuar se ndarjen duhet ta bëjë KQZ dhe jo Kuvendi. Megjithatë është parë e arsyeshme që të merren masa për qëndrimin që do mbahet edhe nëse mazhoranca do të tentojë ta kalojë me forcën e kartonave këtë çështje në Kuvend. Siç mësohet, kryesia ka vendosur që në një rast të tillë të mbahet një qëndrim kundër ndarjes së mandatave sipas vendimit 2009, ndërsa në rast se mazhoranca do të kërkojë të kalojë ndarjen e propozuar nga KQZ, atë sipas të dhënave të servirura nga Ministria e Brendshme, atëherë do të jenë deputetët e komisionit të ligjeve ata që do përcaktojnë qëndrimin që do të mbajnë në komision dhe më pas gjithë grupi në seancë.
Censusi
Po ashtu në katër orë diskutime është raportuar edhe mbi mbarëvajtjen e censusit, që sipas burimeve mbetet ende shumë punë për të bërë, pasi ai ende nuk ka përfunduar në terren. Grupi i punës që është ngritur për realizimin e tij ka raportuar mbi situatën në çdo rreth dhe siç mësohet se në rastet më të mira ky census është realizuar në masën 80 për qind, ndërsa ka jo pak raste të tjera që kanë pasur probleme. Censusi i PS ka për qëllim që të identifikojë zgjedhësit që jetojnë në Shqipëri, ata që janë jashtë, kush do votojë, cili prej tyre e ka emrin në listat e zgjedhësve etj. Të dhëna këto që parashikohet të ballafaqohen me të dhënat që jep dhe lista e zgjedhësve. PS ka ndërtuar edhe një anketë që përmban pyetje mbi ekonominë. Synimi i këtij anketimi është ndarja në tri shtylla të gjendjes ekonomike të popullsisë shqiptare. Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur që të shtunën do të mbledhë Asamblenë Kombëtare, ku do të diskutohet më gjatë mbi vendimet e Kryesisë.
MAPO
Add new comment