Meta: I qëndrojmë paktit 4-vjeçar me PD-në

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, konfirmoi se nuk do të dalë nga qeveria para zgjedhjeve. Ai e cilëson politikën e heqjes së taksave nga Rama si demagogji
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, pohoi dje se do t’i qëndrojë marrëveshjes 4-vjeçare të koalicionit me PD-në. I ftuar në emisionin “Zip” në Vizion Plus, Meta ka përsëritur se vendimi për rreshtimin e LSI në zgjedhje do të merret në prill, ndërkohë që e ka cilësuar demagogji fushatën e PS-së për heqjen e taksave.
Do të bëni një koalicion parazgjedhor me PD-në për zgjedhjet e 23 qershorit, siç nga Partia Demokratike kërkohet?
Mendoj se jemi herët për shpalosjen e koalicioneve të ardhshme. Për ne është e rëndësishme të jemi korrektë dhe t’i qëndrojmë marrëveshjes 4-vjeçare që kemi me PD-në pas zgjedhjeve të vitit 2009. Natyrisht që ne e kemi shprehur edhe më parë që do të jetë Konventa Kombëtare e LSI-së në muajin prill e cila do të shprehet edhe për vendimin sesi LSI do të paraqitet në zgjedhjet e 23 qershorit. Ne dëshirojmë që këtë debat ta hapim në kohën e duhur dhe jo në mënyrë të parakohshme dhe të marrim një vendim të përgjegjshëm edhe transparent.
Keni filluar të takoheni me z.Idrizi, kryetarin e PDIU-së, apo jo?
Jo vetëm me z.Idrizi, por jemi takuar me të gjithë politikanët. Me z.Idrizi jemi takuar edhe për shumë arsye të tjera dhe një prej tyre ka qenë dhe mbetet edhe rezoluta për çështjen çame, një rezolutë që ne e kemi përkrahur dhe e përkrahim fuqimisht.
Cilat janë pikat e LSI-së, për sa i përket ekonomisë, dhe a e mbështet propozimin e FMN-së për rritje taksash?
Ne radhë të parë, unë dua të shpreh një keqardhje lidhur me një fushatë për heqje taksash. Kemi dëgjuar një program që synon heqjen e taksave, i cili për mua është një demagogji, sesa një politikë reale. Në këtë kohë krizash, siç e thatë edhe ju, FMN-ja kërkon rritje të taksave për arsye sepse kërkohet rritja e të ardhurave. Ne jemi kundër çdo lloj demagogjie lidhur me politikat ekonomike, sepse ato të çojnë atje ku është sot situata në Greqi apo edhe në vende të tjera. Mbetet shumë e rëndësishme për të dhënë mesazhe të qarta të qëndrueshmërisë në radhë të parë, duke ruajtur parametrat makroekonomikë, borxhin, deficitin, inflacionin. Së dyti, për ne mbetet e rëndësishme një politikë ekonomike që synon rritjen e vendeve të punës. Është gjëja më e lehtë të themi sot në Shqipëri se ne do të bëjmë ndryshe nga të tjerët, se do ua marrim lekët të pasurve dhe do t’ua shpërndajmë të varfërve. Ne harrojmë se këta që i konsiderojmë të pasur, biznesmenët apo sipërmarrësit janë edhe punëdhënësit kryesorë në këtë vend dhe janë njerëz të cilët vërtet mund të duken në pamje të parë si shumë të pasur, por çdo muaj duhet të paraqiten te banka për të shlyer këstet e kredive, ndërkohë që konsumi mund të ketë rënë, tregu mund të mos ketë nevojë për momentin për prodhimet e tyre e kështu me radhë. Një element që unë të theksoj është ajo që është thënë nga opozita, taksa e sheshtë si një taksë jo sociale. Kjo varet nga këndvështrimi, sepse taksa e sheshtë ka treguar se është edhe më rezultateve për tërheqjen e investimeve edhe në drejtim të rritjes së punësimit. Ndërkohë që absolutisht që ka forma të tjera përmes rishpërndarjes, pra mbrojtjes së kategorive të caktuara që kanë të ardhura më të pakta, përmes të cilave qeveria mund të realizojë mbrojtjen sociale. Marrë me shkurtime nga “ZIP”
MAPO
Add new comment