Krimi e siguria, Rama: Më keq se asnjëherë, pas ’97. Lufta me krimin, si lojë futbolli e shitur

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka deklaruar sot se siguria e qytetarit shqiptar është më keq se asnjëherë tjetër pas vitit ’97, nderkohe qe lufta me krimin, sipas tij, eshte si nje loje futbolli e shitur nga drejtuesit e skudres.
Në një deklaratë për mediat nga selia rozë, ai duke iu referuar shifrave deklaroi se situata është tërësisht jashtë kontrollit.
“Sot krimi ka marrë rrugët, e kjo bën që 72% e shqiptareve të mendojnë se siguria është e keqe dhe shumë e keqe, kjo është shifër e paparë asnjëherë, qysh se në këtë vend bëhen sondazhe dhe është shifra më e lartë në gjithë historinë e këtij tranzicioni pas asaj të 97”- tha Rama.
Ai premtoi se në 300 ditët e para të qeverisjes së PS shqiptarët do të shohin një Polici Shteti që nuk e kanë parë asnjëherë.
“Në rrugën e Rilindjes do të kenë provat e qarta të vënies së Policisë së Shtetit në shërbimin e tyre si garanci për sigurinë e tyre dhe vendi provën kuptimplotë se nëse loja nuk shitet në kupolën e ministrisë së Brendshme, skuadra e Policisë së Shtetit fiton në cdo ndeshje me krimin dhe kriminelët”- premtoi Rama.
Sipas tij, sot Policia e Shtetit është e tradhtuar, e abuzuar, e rrënuar. “Raporti profesionalizëm klientelizëm partiak është përmbysur kokëposhtë dhe këto janë rezultatet, struktura e drejtimit është e fryrë dhe e pakuptimtë, kupola e inkriminuar dhe e paaftë, ministri i Brendshëm është partiak i rëndomte i llojit më të keq, papagallon Berishën sa herë nxjerr kokën në ekran dhe merret vetëm me vendosje njerëzish në funksion të zgjedhjeve”- tha ai.
Sipas Ramës, së fundi është shpikur një funksion i ri zv/drejtor rendi në të cilin po punësohen njerëz që do ndihmojnë mbajtjen e pushtetit.
“Sot që rrugët janë më jashtë kontrolli se asnjë herë ka tre struktura pa koordinim që merren me policinë rrugore, pa folur për uniformat ato ngjallin keqardhje, brenda xhaketës tjetër tender për jakën, mëngën, xhepin”- tha Rama.
Ai deklaroi më tej se në 2012 u evidentuan 20 688 krime, pra 12 438 krime më shumë se koha që PD erdhi në pushtet.
Sipas tij, vit pas viti kemi mesatare rritjeje 1500 krime, vetëm 2012 evidentoi 3029 vepra penale më shumë, rekordi negativ i 15 viteve të fundit.
“Sot jemi me keq se asnjë herë tjetër pas 97, qytetari më i pasigurtë se asnjëherë tjetër pas 97, policia sot e ka gjendjen jashtë kontrollit”- tha ai.
PANORAMA
Add new comment