Beogradi ashpërson tonet me Tiranën: Berisha, deklarata destabilizuese

Postuar në 22 Janar, 2013 12:57

 

Beogradi i cilësoi jo koherente dhe destabilizuese deklaratat e kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe zyrtarëve të tjerë shqiptarë pas heqjes së përkujtimores së dëshmorëve të UÇPMB-së në Luginën e Preshevës.

Nëpërmjet një komunikatë zyrtare, Ministria e Jashtme serbe deklaron se deklaratat Ministria e Jashtme serbe konsideron se fjalori i përdorur nga Kryeministri Berisha nxit destabilitetin e situatës në jug të Serbisë, por edhe në vendet fqinje ku banojnë shqiptarë.

“Kualifikimet dhe akuzat e orientuara kundër Qeverisë së Serbisë, janë nën çdo dinjitet dhe në kundërshtim të plotë me bindjet e dhëna personalisht nga ana e kryeministrit shqiptar. Berisha gjatë vizitës së mëhershme të Ministrit të Jashtëm të Serbisë Mërkiç në Tiranë, se Shqipëria është e gatshme të shpalos një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve”, thuhet në deklaratë. Ministria e Jashtme serbe vlerëson më tej se: “Arsyetimi i retorikës së zjarrtë me brengosje për pozitën e pakicës kombëtare shqiptare në jug të Serbisë, paraqet manipulim të vrazhdë,  duke pasur parasysh se mbrojtja e pakicës shqiptare dhe e të gjitha pakicave tjera në Serbi është në harmoni me standardet më të larta ndërkombëtare, shumë më tepër nga ato që zbatohen ndaj pakicave kombëtare që jetojnë në vetë Shqipërinë”. Beogradi i ka bërë thirrje Tiranës zyrtare të mos kontribuojë në destabilitetin e situatës në vendet fqinje. “Nga Shqipëria, si shtet i cili si prioritet të vetin e thekson pranimin e vlerave evropiane dhe anëtarësimin në BE, presim që vërtetë edhe të sillet në harmoni me prioritetet e proklamuara dhe me aksionet e veta të mos kontribuojë në destabilitetin e situatës në vendet fqinje”, përfundon deklarata e Ministrisë të Jashtme Serbe.

Të hënën, gjatë takimit të përjavshëm me deputetët e grupit kuvendor demokrat, kryeministri Berisha e cilësoi heqjen e monumentit në Preshevë si akt racizmi, urrejtje dhe frike ndaj shqiptarëve. Berisha shtoi gjithashtu se Tirana do të rishqyrtojë qëndrimin e saj kundrejt Beogradit pas këtij akti. Ashpër reagoi edhe Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, deklaroi gjatë emisionit “Shqip” se:

“Etiketimi i shqiptarëve si terroristë është rikthim tek fjalori i kasapit të Ballkanit, që përdori këtë për t’i paraprirë spastrimit etnik. Prandaj përdorimi i termave të tillë, heqja e paraleleve mes shqiptarëve dhe terroristëve të Al Kaedas është një gjest i ulët që ne nuk do ta tolerojmë dhe do të reagojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Unë jam për një zgjidhje integrale. Kërkohet dialog mes palës serbe dhe shqiptarëve në Preshevë për të zgjidhur në mënyrë të lirë pa paragjykime situatën dhe të drejtat në Preshevë. Memorialet janë një e drejtë e sanksionuar nga e drejta europiane për pushtetin lokal. Por për sa kohë kemi etiketime të shqiptarëve si terroristë, dialogu është i pamundur”, deklaroi Panariti.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.