AK: Berisha po hap vende pune në prag të fushatës për të vjedhur vota

Postuar në 25 Janar, 2013 10:08

 

Sekretari Politik i Aleancës Kuq e Zi, Eduard Kaca, ka mbajtur një deklaratë për shtyp ku denoncoi vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për shtimin e 240 vendeve të pune me kontratë të përkohshme në prag të fushatës elektorale.

“Aleanca Kuq e Zi denoncon përpara opinionit publik vendimin e fundit te qeverisë së shtetasit Sali Berisha që lidhet me krijimin e vendeve të punës në prag të fushatës elektorale.

Ditën e mërkurë Sali Berisha ka firmosur fryrjen e administratës me 240 kontrata të përkohshme nga të cilat një pjesë e mirë në strukturat e Shërbimit Informativ. I njëjti fenomen po vërehet në disa nga Bashkitë dhe Komunat nën drejtimin e partisë-shtet.

Këto kontrata të përkohshme po përdoren nga Sali Berisha për qëllime elektorale, për të blerë votën e qytetarëve duke i krijuar kushte pagese për 6 muaj dhe për t’i flakur më pas në mes të katër rrugëve dhe zhytur në krizë ekonomike dhe sociale”, tha Kaca.

“Sali Berisha është antishqiptari më i madh pasi në kushtet kur arka e buxhetit të shtetit është e boshatisur krejtësisht, ku borxhi publik ka kapur pikën e moskthimit, kur investimet janë bllokuar nga mospagesat dhe kur investitorët e huaj po tërhiqen, ai krijon vende pune për qëllime elektorale duke e thelluar edhe më shumë “gropën e zezë” financiare të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Sali Berisha nuk ka ndryshuar, ai është po i njëjti me Berishën e viteve 1996, ai vijon të tregojë me vepra se është i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbajtur pushtetin duke e mbushur çdo organikë të shtetit shqiptar me militantë në prag të çdo procesi zgjedhor.

Ai këtë herë nuk do t’ia dalë. Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se ai është i ngjashëm me firmat piramidale, kolapsi i të cilave solli trazirat e 1997 dhe që mban sërish firmën e shtetasit Sali Berisha”. 

 TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.