Qarku i Kukësit, policë dhe punonjës administrate u zhvendosën nga Tirana

SKANDALI
Auditi i PS-së përpilon raportin. Biba, thirrje për ndarjen e re
Policë nga Tirana dhe rrethe të tjera kanë shtuar masivisht në lista popullsinë e Qarkut të Kukësit për t’i ruajtur atij mandatin e katërt. Skandalin e ka zbuluar dje nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, gjatë një prononcimi për mediat, ku auditi i kryer në Ministrinë e Brendshme, nga ekspertët e miratuar prej KQZ-së, fakton lëvizjet e diktuara në mënyrë mekanike, me qëllim marrjen e mandatit të tetë të Qarkut të Beratit dhe dhënies së tij për Qarkun e Kukësit, duke e çuar në katër të tilla. “Ashtu sikundër dyshonim, lëvizja ishte e inxhinieruar. Ajo është bërë fare afër ditëve përpara dërgimit të informacionit pranë KQZ-së, kryesisht punonjës të Ministrisë së Brendshme, efektiva policie. Formalisht ata janë regjistruar në respekt të ligjit, ndërsa numrat e dërguara nga Ministria e Rendit në atë kohë rezultojnë të saktë, formalisht. U mbetet subjekteve të interesuar, prokurorisë të hetojë dhe ndoshta kjo fare mirë mund të jetë subjekt i një hetimi penal”, tha Denar Biba, nënkryetar i KQZ-së. Më tej numri dy i këtij institucioni ka bërë të ditur se lëvizje ka pasur edhe të personave që kanë votuar në Tiranë më 8 maj 2011, që rezultojnë të jenë punonjës të administratës së lartë shtetërore. “Nga informacioni vërehet lëvizje të familjeve të tëra nga Tirana e rrethinat e saj (si p.sh. Paskuqani) për në komunat e Kukësit (Topojan, Shishtavec). Individë, të cilët prej vitesh jetojnë në Qarkun e Tiranës, që në zgjedhjet e 2011-s kanë votuar në Tiranë, tashmë zhvendosin gjendjen e tyre civile drejt komunave të thella malore të vendit. Kam informacion, por të paverifikuar zyrtarisht, se mes të lëvizurve ka edhe punonjës të institucioneve shtetërore”. Ndërkohë që mësohet se të hënën pritet të depozitohet raporti i auditit, të përfaqësuesit të PS-së. Opozita ngriti pretendimet e saja për rritje fiktive të popullsisë, me qëllim dhënien e mandatit të katërt të deputetit në Qarkun e Kukësit. Kjo skemë manipulimi u krye tre muaj para paraqitjes së numrit të popullsisë zyrtarisht nga Ministria e Brendshme në KQZ, e cila, sipas Kodit Zgjedhor, shërben për ndarjen e 140 deputetëve të Kuvendit. Rritja fiktive e popullsisë u bë pikërisht në katër komunat e Qarkut të Kukësit, Tropojë, Topojan, Shishtavec dhe Fierzë.
Nisma e Bibës
Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, bën të ditur se pavarësisht këtyre marifeteve të partisë në pushtet, janë të gatshëm të votojnë ndarjen e re të mandateve të 140 deputetëve. Ai shprehet se Kuvendi është vënë në lëvizje nga një shkresë e paligjshme prej zyrave të KQZ-së, ndaj ky institucion do të vijojë t’i ndajë vetë mandatet, në përputhje me lëvizjen demografike. “Do të shpëtojmë Kuvendin nga një procedurë që ka nisur përmes një akti të pavlefshëm dhe që po vazhdon në mënyrë antikushtetuese. Shumica me koshiencë të plotë po shkon drejt një vesimi, term juridik, pra e vesuar, e cenuar në thelb të zgjedhjeve. Pra, startojnë të krisura në kuptimin antikushtetues, është cenuar barazia e votës së qytetarëve”, tha Biba. Komisioni i Ligjeve miratoi të mërkurën ruajtjen e skemës së 2009-s për shpërndarjen e deputetëve nëpër qarqe edhe për 2013-n. Ndërsa për numrin 2 të KQZ-së, vijimi i kësaj procedure nga Kuvendi mund t’i hapë rrugë një serie ankimimesh në Kushtetuese për pavlefshmëri të procesit zgjedhor.
Rusmali: Nismë joligjore e Bibës
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PD-së, Ilir Rusmali, në një prononcim për mediat e cilësoi si joligjore kërkesën e tre anëtarëve për shqyrtimin e skemës së re për ndarjen e 140 deputetëve. Sipas tij, gjithçka është e mbyllur dhe se Kuvendi ka marrë një vendim të tillë. “Kuvendi i Shqipërisë e ka mbyllur një proces të tillë, çdo veprim tjetër është i kundërligjshëm”, theksoi Rusmali
SHQIP
Add new comment