DITA H

Partia Demokratike e Kosovës hapi punimet e Konventës së gjashtë zgjedhore me një spektakël dritash, muzike e fjalimesh patriotike. Sot ky subjekt e zgjedh Kryetarin dhe Këshillin Drejtues. Hashim Thaçi la të kuptohet se dëshiron ta mbajë ende timonin e partisë që e udhëheq tash e 12 vjet. Por, Jakup Krasniqi dhe Hydajet Hyseni fjalimin e shefit e përcollën nga shtëpia.
PDK e ka nisur të shtunën Konventën zgjedhore pas një procesi të gjatë të zgjedhjeve të brendshme.
Subjekti më i madh politik në vend hyri në këtë kuvend pa dy figurat e rëndësishme, Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajn.
Sekretari i PDK’së e kishte kushtëzuar pjesëmarrjen në Kongres me shtyrjen e tij derisa të lirohet Fatmir Limaj nga paraburgimi.
Ndërkohë, mospjesëmarrjen e ka bërë të ditur edhe njëri nga anëtarët e ditëve të para të PDK’së, Hydajet Hyseni.
Sidoqoftë, Thaçi ka pasur afër vetes pothuajse shumicën e zyrtarëve të vjetër të PDK’së, duke përfshirë edhe anëtarët e rinj.
Lideri i PDK’së është ulur në mes të Hajredin Kuçit e Kadri Veseli në anën e djathtë, ndërsa në anën e majtë e ka pasur Bajram Rexhepin e Flora Brovinën.
Në fjalimin e gjatë tridhjetë minuta, Thaçi ka deklaruar se nuk e ka dëshiruar mungesën e asnjë prej zyrtarëve të PDK’së, ndërsa për Fatmir Limajn ka thënë se pret se do të lirohet.
“Asnjë ushtar i UÇK’së nuk ka kryer krime”, ka thënë Thaçi para delegatëve të PDK’së.
Ndryshe, fjalë të mira për PDK’në dhe Hashim Thaçin kanë thënë mysafirët e Konventës së PDK’së, që kishin ardhur nga Shqipëria, Maqedonia e Lugina e Preshevës.
As ky tubim politik nuk ka kaluar pa u përmendur bashkimi kombëtar.
Liderët e shqiptarëve në Luginë kanë uruar Liderin e PDK’së që të jetë njeriu i cili do të nënshkruajë bashkimin e shqiptarëve, ndërkohë kanë kërkuar më shumë veprime për të ndihmuar qytetarët e asaj pjese.
“Uroj që të jeni edhe nënshkruesi i parë i bashkimit kombëtar”, ka thënë Ragmi Mustafa, Kryetar i Preshevës.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Liderit i PDK’së. Ai ka thënë se shteti i Kosovës do të jetë gardian i të gjithë shqiptarëve, ndërsa ka përmendur se bashkimi do të ndodhë në BE.
Edhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se shqiptarët do të bashkohen në kombin europian.
"Hashim Thaçi dhe PDK janë në rrugën e duhur", ka thënë kryesocialisti Rama.
Pjesë e Kongresit të PDK’së kanë qenë edhe zyrtarët tjerë të partive. Në emër të LDK’së, Teuta Sahatçia ka përshëndetur zgjedhjet në PDK. AKR’në e ka prezantuar Ibrahim Makolli, ndërsa AAK’në Avni Arifi.
Aty nuk është parë Presidentja Jahjaga, edhe pse ishte paralajmëruar pjesëmarrja e saj.
Pavarësisht kësaj, Thaçi ka folur vetëm për sukseset që ka arritur prejse ka ardhur në pushtet në vitin 2007.
“Ne, bashkë, e kemi ndërtuar shtetin dhe po qeverisim për jetë më të mirë. Shteti i Kosovës sot është i njohur nga rreth 100 shtete. Ne kemi filluar qeverisjen me rrugët me baltë. Tani kemi një nga sistemet më të zhvilluara rrugore në rajon. Infrastrukturë moderne me mbi 1500 km. Po përfundojmë punimet në afat rekord në ndërtimin e autostradës më moderne në rajon, që lidh Kosovën dhe Shqipërinë”, theksoi Thaçi.
Lideri i PDK’së i ka lexuar të dhënat e rritjeve të pagave për profesorë, mjekë, policë e zjarrfikës në letrat e vendosura përballë tij.
“Mbi 50 % për mësimdhënësit e shkollave të mesme. Për punëtoret universitarë mbi 100%. Për policët, 60%. Për infermierët, 80%. Për gjykatësit dhe prokurorët mbi 150%. Për pjesëtaret e FSK-së, 40%. Për zjarrfikësit, 50%. Për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, mbi 50%. Për pensionistët, mbi 40. Ne kemi bërë gjithë këtë pa shkaktuar borxh kombëtar. Ne kemi bërë shumë ndryshime, e këto ndryshime ne i kemi bërë së bashku”, tha ai.
Lideri i PDK’së ka folur edhe për momentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se kjo ndodhi vetëm pak kohë pasi erdhën në pushtet.
“Mos harroni se vetëm pesë javë pasi që jemi votuar për të udhëhequr vendin, Kosova shpalli pavarësinë e saj”, ka rikujtuar ai.
"Ne nuk jemi perfekt, por jemi më të mirët në skenën politike të Kosovës”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, djali i Ukshin Hotit, Andi ka prezantuar një dokumentar për Hashim Thaçin, në të cilin kreu i PDK’së prezantohet prej kohës së luftës, negociatave në Rambuillet, çlirimi i Kosovës, transformimi i UÇK’së, shpallja e pavarësisë e deri te vizita e fundit e Sekretares amerikane Hillary Clinton.
Kongresi Zgjedhor i PDK’së do të vazhdojë edhe të dielën, ku pritet të votohet për Kryetarin e Partisë e Këshillin e Përgjithshëm.
Zgjedhjet në PDK kanë filluar më një nëntor dhe kanë zgjatur gati dy muaj. Në Prishtinë, Viti, Prizren e Gjilan ende nuk janë zgjedhur Kryetarët e Degëve.
EXPRESS
Add new comment