I arratisuri Maringlen Përgjini dorëzohet në polici

I akuzuari për vrasjen e Martin Shtjefnit shkon vetë në komisariat: Jam i pafajshëm
Ardi Bushi
Vetëdorëzohet në polici Maringlen Përgjini, i akuzuar për vrasjen e Martin Shtjefnit. Pas 16 ditësh në arrati, ai është paraqitur dje në orën 09:30 në Komisariatin e Kurbinit. Përgjini pretendon se është i pafajshëm dhe se vrasjen e ka bërë dikush tjetër. Pretendon se ka qëndruar në arrati, duke iu shmangur arrestimit, në pritje të zbardhjes së të vërtetës. Pak minuta para vetëdorëzimit në Komisariatin e Policisë së Kurbinit, Maringlen Përgjini ka deklaruar se “po dorëzohem në Komisariatin e Policisë së Kurbinit, pasi kam informacione se në Policinë e Lezhës po manipulohet ngjarja e ndodhur më 9 janar në një lokal në Zejmen, duke më akuzuar mua si autor i vrasjes”. Ai këmbëngul se nuk ka vrarë dhe plagosur njeri.
Para vetëdorëzimit
Disa minuta para se të kalonte portën e Komisariatit të Kurbinit, Maringlen Përgjini pohoi se vetëdorëzimi në këtë qytet po bëhet me qëllimin e vetëm se drejtësia po vihet në vend. Ai ka thënë se në Lezhë po tentohet të manipulohet çështja. “Akuzohem për vrasje dhe plagosje, ku asnjë nga këto krime unë nuk i kam kryer. Unë kam deklaruar edhe më parë dhe vazhdoj të deklaroj se vrasjen e ka kryer Ergys Nika. Megjithatë, tashmë unë do jap përballë tij, përballë policisë dhe prokurorisë të vërtetën dhe për të hedhur poshtë të gjitha manipulimet e kësaj ngjarje. Do të bashkëpunoj me policinë për të zbuluar ngjarjen dhe jo për ta manipuluar atë. Unë po akuzohem, sipas informacionit që kam, nga personat që më kanë thirrur për të pirë kafe në këtë lokal, se unë qenkam autori. Unë po ju them hapur, kjo tregon se edhe telefonata e kryer nga Anton Toni dhe Ergys Nika ka qenë e përllogaritur mirë, për të më bërë mua këtë puç. Nuk i druhem së vërtetës dhe për këtë kam marrë iniciativë për t’u vetëdorezuar. Unë pres përballjen në polici me Ergys Nikën, për të vërtetuar se ai është autori i vrasjes së Martin Shtjefnit. Ndërsa vendin se ku është plagosur, ai do ta tregojë vetë, pasi kur ka dalë nga lokali, nuk ka qenë i plagosur. Ergys Nika, të gjithë këtë manipulim të ngjarjes, po e bën për t’i shpëtuar burgut, duke përfituar se unë deri tani kam qëndruar gojëkyçur dhe nuk kam pasur mundësi të flas për organet e policisë dhe drejtësisë, por nuk mundet të mbaj gjakun e askujt. Nika, deri tani, ka pasur mundësi për të manipuluar situatën, megjithëse shpresoja që policia nuk do ishte e njëanshme në zbulimin e këtij krimi, duke dëgjuar autorin e vrasjes dhe duke u ndikuar nga një pohim i tij, thënie të cilat nuk janë të vërteta. Ndërsa për Martin Shtjefnin kam pasur respekt dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që u kam dërguar edhe njerëz në shtëpinë e tij, duke u deklaruar se unë nuk kam gisht në vrasjen e tij dhe u kam treguar se kush është autori. Ajo që më vjen vërtet keq është fakti që Ergys Nikën e kam pasur shok dhe nuk e kam pritur kurrë që ai do të më akuzojë për një gjë të cilën nuk e kam kryer. Gjatë kësaj kohe, kam qëndruar në Lezhë, e natën malit, sigurisht i fshehur prej policisë, por jo nga familja Shtjefni, pasi nuk i kam asnjë borxh”, ka pohuar për gazetën “Shqip” Maringlen Përgjini.
Nëna e të arratisurit
Së bashku me Maringlenin, para Komisariatit të Policisë së Kurbinit kishin shkuar edhe familjarët e tij. Nëna e tij, Pashka shprehet se “kam ardhur për të dorëzuar djalin në polici, pasi është i pafajshëm”. Ajo thotë se, që natën e krimit, ai na ka treguar se nuk ka asnjë faj dhe nuk është i përfshirë në vrasje, por rastësisht ka qenë në tavolinë me viktimën, i cili kishte shkuar në tavolinën e Maringlenit, duke folur me të normalisht, pa asnjë problem. “Dje në mbrëmje, pas daljes së Maringlenit në media, i cili deklaroi se kush është autori i vrasjes së Martin Shtjefnit, familja e Ergys Nikës më ka dërguar njerëz në shtëpi, duke më thënë se më ke borxh plagosjen e djalit. Unë një pyetje kam: Ku ishte deri dje kjo familje, pse nuk erdhi për të na akuzuar për plagosje?. E gjithë kjo bëhet për t’i mbyllur gojën djalit tonë që të mos tregojë të vërtetën. Por ne jemi të bindur se e vërteta do dalë dhe Maringleni nuk është as autori i vrasjes dhe as plagosjes dhe kjo ishte edhe arsyeja që ne vendosem të dorëzohej”, tha Pashka.
Prova
“Do t’i tregoj policisë edhe për pistoletën”
“Nuk i druhem së vërtetës dhe për këtë kam marrë iniciativë për t’u vetëdorëzuar. Unë pres përballjen në polici me Ergys Nikën, për të vërtetuar se ai është autori i vrasjes së Martin Shtjefnit. Ndërsa vendin se ku është plagosur, ai do ta tregojë vetë, pasi kur ka dalë nga lokali, nuk ka qenë i plagosur. Ergys Nika, të gjithë këtë manipulim të ngjarjes po e bën për t’i shpëtuar burgut, duke përfituar se unë deri tani kam qëndruar gojëkyçur”.
Burgosja
Pas marrjes në pyetje në Komisariatin e Policisë së Kurbinit, Përgjini është dërguar në dhomat e paraburgimit të burgut të Shënkollit
Rrëfimi
Përgjini, i vetëdorëzuari i djeshëm, tregoi për “Shqip” të gjithë ngjarjen
I arratisuri: Kush qëlloi mbi viktimën
“Kam qenë në Lezhë, u nisa tek lokal ‘Universi’ në Laç për të fjetur me të dashurën time. Në momentin që po nisesha, më telefonon Anton Toli, i cili më kërkoi që të takohesha tek lokali, pasi kishte muzikë ‘live’. Mbërrita tek lokali. Në oborr kam qëlluar dy herë me pistoletë, duke bërë shaka, pa hyrë në lokal. Lashë të dashurën në makinë dhe kam hyrë në lokal, me pretekstin që të takoja Anton Tolin, e më pas do largohesha për tek lokal ‘Universi’, ku kisha prenotuar hotelin. Sapo futem në lokal, kam përshëndetur, në krahun e majtë në hyrje të lokalit, Martin Shtjefnin, i cili ishte ulur me një person, të cilin emrin ia di që i thërrasin Gjovi, pasi Martinin e njihja prej kohësh dhe një natë më parë kisha biseduar me të për t’i shitur makinën. Kam vajtur dhe jam ulur në tavolinë me dy vajza, të cilat quheshin Mona dhe Egla, të cilat kishin qenë të ulura me Anton Tolin dhe Ergys Nikën, pasi këta më bënë telefonatën dhe nuk i gjeta aty për momentin. Por, unë i njihja dy vajzat, pasi sikurse e thashë, kam qenë klient i rregullat i lokalit. Mora në telefon Anton Tolin dhe i thashë që kam ardhur tek lokali dhe do largohem, pasi i thashë se kam të dashurën në makinë. Ai më tha erdha. Gjatë kësaj kohe, kam dalë dhe kam vallëzuar me njërën nga vajzat, me Eglën. Sapo futet Antoni me Ergysin, vura re që Ergysi ishte i shqetësuar. Pasi u pyetëm se si e kishim kaluar ditën, futem në tualet për problemet e mia. Kur kthehem gjej në tavolinë edhe Martin Shtjefnin së bashku me Gjovin. Kam nisur të bisedoj me Martinin për shitjen e makinës dhe i thashë që nuk është bisedë që bëhet këtu, pasi ka shumë zhurmë nga muzika dhe dalim e bisedojmë jashtë. Më tha, kam gjetur një person që do të blej makinën dhe më lë numrin e telefonit. Dolëm jashtë dhe pasi ai më kërkoi numrin e telefonit dhe i thashë nuk më kujtohet numri im, i thashë me jep numrin tënd. Më dha numrin, i bëra zile dhe më pas jemi futur brenda. Martini ishte në krahun tim të majtë, pothuajse përballë. Në këto momente, shikoj që Ergys Nika nxjerr pistoletën dhe e qëllon Martin Shtjefnin. Në moment i drejtohem çfarë bëre? Ai menjëherë më hedh pistoletën në tavolinë duke më thënë edhe ai çfarë bëre. I pari që është çuar nga tavolina ka qenë Antoni, Ergysi, e më pas Egla dhe Mona, më pas jam çuar edhe unë. Në momentin që unë po dilja nga dera, sigurisht i tronditur, futet në lokal Ergys Nika dhe merr armën e krimit. Unë ika nga vendi i ngjarjes, pasi isha me të dashurën dhe u nisa për në fshatin tim Manati, ku i tregova vëllait se ku do shkoja me të dashurën, për të ditur vendndodhjen time. Jam kthyer sërish dhe kam kaluar pranë lokalit gjatë rrugës dhe kam hedhur pistoletën për të evituar kontrollet që mund të bënte policia. Unë mund t’i tregojë edhe policisë vendin ku është hedhur arma për ta gjetur atë dhe për të ekzaminuar armën dhe gëzhojat që kam qëlluar jashtë dhe gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Kam qëndruar në hotel dhe të nesërmen pashë në televizor emrin tim që dyshohesha për vrasjen. U habita, ndërsa dërgova të dashurën në shtëpi dhe ika për t’u fshehur derisa të dilte e vërteta”.
Pas vrasjes
I pari që është çuar nga tavolina ka qenë Antoni, Ergysi e më pas Egla dhe Mona, më pas jam çuar edhe unë
SHQIP
Add new comment