Qeveria kthen të shkëlqyerit në atdhe, nuk ka para

Postuar në 27 Janar, 2013 08:27

 

Ekselenca

Shpresa Mezini

Në dhjetor të vitit 2011, Ministria e Arsimit bëri thirrjen e parë të hapjes së procedurave të aplikimit për fondin e ekselencës për vitin 2012-2013, vendim i miratuar nga qeveria. Duke iu referuar vendimit, procesi i aplikimit nisi në janar të vitit 2012, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e dosjes me dokumentacionin përkatës ishte fundi i marsit të vjetshëm. Në përputhje me afatet dhe kriteret e përcaktuara në VKM nga Ministria e Arsimit, studentët apo maturantët nisën aplikimin për të përfituar bursë studimi, qoftë bachelor, master apo doktoraturë.

“Përzgjedhja e kandidatëve kryhet para fillimit të çdo viti akademik nga komisionet përzgjedhëse, të ngritura me urdhër të Ministrisë së Arsimit. Këto komisione kanë në përbërje profesorë të universiteteve, në varësi të fushës, si edhe nga përfaqësues të MASH-it. Kur fondi i veçantë plotësohet edhe nga donacione, në komisione merr pjesë edhe një përfaqësues i tyre. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, thuhet në vendimin e miratuar në muajin dhjetor 2012. Kështu, duke iu referuar udhëzimit, dosjet e kandidatëve kalojnë në disa duar për të verifikuar dokumentacionin, ndërsa pas kësaj aplikantët që plotësojnë kriteret dhe që zotërojnë dokumentacion të rregullt kalojnë fazën e parë, për t’iu drejtuar të dytës, që është intervistimi.

“Mbi bazën e numrit të bursave që disponohen, si edhe të listës së përzgjedhjes përfundimtare, të përpiluar nga komisioni përzgjedhës, ministri i Arsimit dhe Shkencës miraton brenda 5 ditëve nga zhvillimi i intervistës, listën e kandidatëve fitues. Kandidatët njoftohen menjëherë përmes email-it për klasifikimin e tyre, fitues ose jo fitues. Sekretariati teknik i pranimit njofton me shkrim institucionin pritës dhe udhëheqësin shkencor për kandidatët fitues”, përcaktohet në vendimin e MASH-it.

Shkeljet

Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta “Shqip”, procesi i intervistimit, të paktën për bursat e sistemit bachelor, është mbyllur në fund të muajit korrik të vitit të kaluar, ndërsa në gusht, fituesve u është komunikuar lajmi i mirë, ndonëse jo zyrtarisht. E megjithatë, pavarësisht këtij fakti, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, nuk e ka firmosur ende listën e fituesve, pas afro 6 muajsh, duke shkelur kështu udhëzimin e firmosur prej tij, që parashikon firmosjen e listës së fituesve brenda 5 ditëve nga shpallja e tyre. Mirëpo kjo nuk është e vetmja shkelje që ka bërë Ministria e Arsimit. Këtë nuk e provojnë vetëm VKM-të, por edhe deklaratat e prindërve, të fëmijëve që kanë nisur studimet në 1 prej 15 universitetet më të mira të botës, në vitin 2012-2013. Në vendimin e pandryshuar, thuhet se studentët duhet të përzgjedhin 1 prej 15 universiteteve të listuara në rankimin e 2 prej agjencive rankuese si “Times” dhe “Shanghai”. Kështu, në përputhje me këtë pikë, kandidatët i janë referuar rankimit të këtyre 2 agjencive, për të përcaktuar universitetin ku do të studiojnë. Edhe pse aplikuesit i janë referuar me përpikëri pikave të udhëzimit të MASH-it, duke respektuar çdo detaj të tij, papritur zbardhet një vendim i ri i miratuar nga Këshilli i Ministrave, në dhjetor të vitit 2012, i cili vjen me disa pika të ndryshuara. Një nga ndryshimet është përjashtimi i agjencisë së rankimit “Shanghai”, duke lënë në fuqi vetëm rankimin e bërë nga “Times”. Por kjo ka penalizuar automatikisht nga lista fituesit që i janë referuar rankimit të agjencisë “Shanghai” kur kanë përzgjedhur universitetin, ku edhe vijojnë studimet.

Ankesat

Fondi i ekselencës është kthyer në një makth të vërtetë si për fituesit, ashtu edhe për prindërit e tyre. Ndërsa fituesit i janë drejtuar 1 prej 15 universiteteve më të mira të botës për të ndjekur studimet që prej tetorit të vitit 2012, moslëvrimi i fondit nga qeveria apo ndryshimi i disa pikave në VKM-në e miratuar në dhjetorin e vjetshëm, ka trazuar tej mase të rinjtë. E megjithatë disa prindër rrëfejnë për gazetën “Shqip” se problemi nuk është mosçelja e fondit, sepse mund ta kuptojnë që qeveria është në vështirësi ekonomike, por përjashtimi i disa pikave që skualifikon automatikisht nga lista fëmijët e tyre. Ata thonë se kjo që po bën Ministria e Arsimit është shkelje e rëndë dhe se vendimi i ri ka efekt prapaveprues, në një kohë kur fituesit i kanë nisur studimet. Sipas tyre, me këto ndryshime fëmijët e tyre do të duhet të kthehen në atdhe dhe të lënë përgjysmë studimet të traumatizuar. Ndërsa e vetmja zgjidhje mbetet financimi prej prindërve, shifra që, siç thonë vetë ata, janë të papërballueshme, duke pasur parasysh të ardhurat mesatare të një familjeje shqiptare. Në artikujt e tjerë të publikuar për këtë çështje në gazetën “Shqip”, kemi mësuar se dy studentë janë kthyer, duke lënë përgjysmë studimet në pamundësi për të shlyer pagesën brenda afatit të përcaktuar nga universitetet. Por, ka edhe nga ata prindër, të cilët nuk tërhiqen, pasi mendojnë se po kërkojnë të mbrojnë të drejtën, atë që fëmijët e tyre e fituan me mund e djersë, pa kurrfarë ndërhyrje. Ata i bëjnë thirrje Ministrisë së Arsimit, të respektojnë fituesit e shpallur vjet, ndërsa vendimin e ri të publikuar pas aplikimeve të kandidatëve në përputhje me të vjetrin, ta fusin në fuqi për kandidatët e ardhshëm.

 

 

Premtimet

Tafaj dhe Berisha zhgënjejnë ekselentët

“Do të mbështesim çdo vajzë dhe djalë që aplikon në 15 universitetet e para të botës, pavarësisht nga numri i atyre që fitojnë, ndaj dhe duhet të gjejmë një mekanizëm që të inkurajojmë të gjitha ekselencat nga matura, vitet e para dhe vitet në vazhdim, që me guxim dhe kurajë të aplikojnë në këto universitete. Ne sot kemi rreth 67 kandidatë, të cilët kanë përfituar nga fondi i ekselencës dhe në total brenda 2013-s do të ketë 300 përfitues.

Unë ju garantoj se i vetmi fond që është pa limit është ky fond”, deklaroi Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të fondit të ekselencës, në janar të vitit 2012.

Në të njëjtën linjë si Kryeministri ka qenë edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili i ka vlerësuar studentët e ekselencës si më të mirët e sistemit arsimor. “Nga 67 kandidatët e shpallur fitues në vitin e fundit që sapo kanë filluar studimet në shkollat e huaja, 19 studentë ndjekin studimet bachelor dhe master në 15 universitetet më të mira të botës, ndërsa 41 të rinj mbështeten për të kryer studimet e doktoratës”, sqaroi Tafaj, po në janar të vitit të kaluar. E ndërsa deklaratat ngjajnë premtuese, si Kryeministri i vendit edhe ministri i Shkencës bien ndesh me realitetin aktual, ku paratë jo vetëm që nuk janë shpërndarë, por me ndryshimet e miratuara së fundmi do të skualifikohen shumë të rinj fitues. Për sa kohë asnjëra palë nuk ka reaguar zyrtarisht për këtë çështje, studentët më të “fortë” do t’i rezistojnë realitetit të hidhur, me shpresën e një zgjidhjeje optimale, ndërsa më të “dobëtit” do të kthehen të zhgënjyer në atdhe, duke lënë përgjysmë studimet e nisura prej tetorit të vjetshëm deri tani. Sh.Me.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.