Rama: Nuk na mungojnë tre ligje, por tre pushtete. Shifrat e vrasjeve të grave, tragjike

Postuar në 28 Janar, 2013 08:33

 

Kryesocialisti Edi Rama i ka cilësuar tragjike shifrat e vrasjeve të grave në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në tryezën e organizuar nga Partia Socialiste, për parandalimin e dhunës në familje, Rama e lidhi rritjen e kriminalitetit në vend me rrënimin moral e profesional të policisë, si dhe rrënimin ekonomiko- social të vendit.

“Sot Shqipëria është vendi me numrin më të madh të vrasjeve si dhe është vendi me numrin më të madh të vdekjeve në rrugë. Kemi sot një vend që ka trajtimin më të ulët financiar në rajon të policisë dhe policia jonë është më e keqpaguara se çdo polici tjetër e rajonit, paguhet më mirë në Kosovë dhe Bosnjë. Policët nuk i marrin më shpërblimet, s’paguhen për orët shtesë, mbeten rëndom edhe mbrapa makinës duke e shtyrë atë. Çështja e krimit nuk është çështje që trajtohet vetëm në përplasje me krimin, e rëndësishme është beteja me shkaqet e krimit”, theksoi Rama.

Kreu i opozitës i është përgjigjur edhe deklaratave të ditëve të fundit të Partisë Demokratike për 3 ligjet e mbetura pezull për votim në Kuvend. “Shqipërisë sot nuk i mungojnë tre ligje për të hyrë në Evropë, por tre pushtete; pushteti legjislativ që është peng i ekzekutivit, ekzekutivi që është peng i korrupsionit dhe gjyqësori që është peng i korrupsionit dhe ekzekutivit”, tha ai.

Ndërsa deputetet gra që kanë marrë fjalën në tryezën e PS-së kanë theksuar domosdoshmërinë e marrjes së masave kundër këtij fenomeni që po shënon përditë e më shumë viktima. Deputetja Olta Xhaçka theksoi se 27 gra kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje gjatë vitit 2012. Sipas saj duhet të këmbëngulet fort në ndëshkueshmërinë dhe zbatimin  korrekt të ligjit.

“Ky fenomen është përgjegjësi e të gjithë ne, por mbi të gjitha e qeverisë për të ndërmarrë masat e duhura. Mungon vullneti i atyre që qeverisin për të ndaluar rastet e dhunës. Kryeministri i pari të mos përdorë fjalët më të shëmtuara për ndonjë grua, që kryetarja e parlamentit të mos heshtë. Heshtja nuk i shërben atyre që ikën e sot vuajnë dhunën”, tha Xhaçka.

 

 SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.