Festa e Bajramit të Madh

Besimtarët myslimanë mbyllën agjerimin dhe në orët e para të mëngjesit të së enjtes kryen faljen e Bajramit të Madh.
Dita e Fiter Bajramit festohet pas 30 ditë agjërimi të Muajit të Ramazanit, ku besimtarët myslimaneëushqehen vetëm në vaftet syfyr në mëngjes e iftar në darkë si një sakrificë për të pastruar shpirtin nga mëkatet e bëra gjatë vitit.
Pas 30 ditë agjërim besimtarët i falen Zotit për më shumë paqe dhe mirësi ndërmjet tyre.
Sipas traditës, festa e Bajramit të Madh vazhdon më pas në shtëpitë e besimtarëve myslimanë me drekën tradicionale ku ftohen më të afërmit për ta kaluar bashkarisht dhe të gëzuar këtë ditë të rëndësishme të besimtarëve myslimanë.
Një ditë më parë, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça uroi të gjithë besimtarët me rastin e festës.
“Unë i uroj të gjithë besimtarët myslimanë gëzuar Fiter Bajramin. Paqe, dashuri, lumturi dhe harmoni sjelltë në familjet tuaja festa e Bajramit. Zoti thotë: Për mua agjeruat në Muajin e Ramazanit dhe sipas urdhërit tim, falët Namazin e Bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja, të pastër dhe të falur nga gjynahet. Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe vendin tonë!”, tha në urimin e tij, kreu i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça.
Politika uron besimtarët
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Bajramit të Madh.
“Ju uroj nga zemra Gëzuar Bajramin, festën më të madhe dhe më të bukur të myslimanëve, festën Tuaj, festën time, festën e të gjithëve, atë festë gjatë së cilës gëzohen pa dallim, i madh e i vogël, burra e gra, të varfër e të pasur, të gjithë nën shenjën e bashkimit dhe besimit të pafundëm dhe të pakushtëzuar ndaj Zotit. Le të na bëjë ky Bajram ta shohim botën dhe jetën me sytë e të dobtëve dhe të varfërve. Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Presidentit Nishani.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht kryebashkiak i Tiranës, Lulzim Basha uroi besimtarët myslimanë për festën e Bajramit.
“Uroj që sakrifica e agjerimit të kthehet në begati për të gjithë”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Bashës.
Ndërkohë, në emër të qeverisë së re dhe të kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama në Komunitetin Mysliman Shqiptar përcolli urimin zv.kryeministri i ardhshëm, Niko Peleshi.
“Në emër të kryeministrit Rama dhe qeverisë së re ju uroj gëzuar. Le të urojmë për vite dhe ditë të begata që presin të gjithë shqiptarët”, tha zoti Peleshi.
Bajrami në Kosovë
Edhe në Kosovë besimtarët myslimanë dolën në mëngjes për të kryer faljen e Namazit të Bajramit të Madh.
Besimtarët u mblodhën në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Në fjalën e rastit, kreu i Komunitetit Mysliman të Kosovës, Naim Tërnava bëri thirrje për paqe dhe solidaritet mes njerëzve.
“Ju ftoj që të dominojë bashkimi, vëllazërimi, harmonia solidariteti dhe bashkimi i ndërsjellë sepse vetëm kështu jeta do të ketë kuptimin e saj”, tha ai.
Një urim për festën e Bajramit të Madh u ka dërguar edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Dita e Bajramit të Madh është një ditë feste që vjen pas Muajit të Ramazanit e karakterizuar me sakrificë. Uroj që këtë dita ta shënoni së bashku me më të dashurit tuaj, me të mirat që Zoti ua ka dhuruar”, thuhej në mesazhin e presidentes Jahjaga.
Top channel
Add new comment