Deputetët, strehim falas dhe 17 mijë lekë telefon të paguar

U paguhen 6-12 ditë dieta në muaj, sipas vendbanimit të tyre
Strehimi - “Kuvendi mbulon shpenzimet për strehimin e deputetëve. Mënyra e përmbushjes së këtij detyrimi përcaktohet me vendim të Byrosë së Kuvendit”, thuhet në pikën 9 të projektvendimit.
Rrogat - “Pagesat e llogaritura sipas pikave 7, 8 dhe 9 kalojnë me transfertë në llogarinë personale bankare të deputetit, pas datës 20 ( njëzet) të çdo muaji”
Shpërblimi - Pjesëmarrja në komisionet e përhershme paguhet deri në 12 mbledhje në muaj, ndërsa në komisionet e posaçme paguhet sipas vendimit të Kuvendit për krijimin e tyre.
Herion Mesi
Projektvendimi për statusin e deputetit i hartuar me konsensus mes shumicës dhe pakicës parlamentare do të votohet në seancën e sotme. Nisma ishte parashikuar për t’u votuar të enjten e kaluar, por seanca u shty për shkak të aksidentit tragjik, ku humbi jetën deputeti Olldashi
Përkundrejt masave shtrënguese financiare të qeverisë së re, Kuvendi ka marrë përsipër të shpërblejë deputetët e tij, ku përveç pagës bazë, ata përfitojnë strehim falas nga Kuvendi. Në projektvendimin e plotë për mënyrën e trajtimit të deputetëve, për më tepër, Kuvendi do të mbulojë shpenzimet telefonike për deputetët përgjatë gjithë vitit, për vlerën mujore prej 17.000 lekë. Sipas këtij projektvendimi, i hartuar me konsensus të plotë mes palëve për trajtimin e deputetëve, mësohet se deputeti do të shpërblehet edhe për çdo pjesëmarrje në mbledhjet e komisionit të përhershëm ku bën pjesë. “Përveç pagës bazë, deputeti shpërblehet për pjesëmarrje në mbledhje të komisionit të përhershëm ku bën pjesë. Në këtë rast, masa e shpërblimit është 2 000 lekë për çdo mbledhje. Masa e shpërblimit për kryetarët e komisioneve të përhershme të Kuvendit është 2500 lekë dhe për kryetarët e nënkomisioneve, 2200 lekë për mbledhje. Kryetari i grupit parlamentar merr 5-15 për qind mbi pagën e deputetit, në raport me numrin e anëtarëve të grupit. Pjesëmarrja në komisionet e përhershme paguhet deri në 12 mbledhje në muaj, ndërsa në komisionet e posaçme paguhet sipas vendimit të Kuvendit për krijimin e tyre”, thuhet në draftin parlamentar. Në nismën e re për të rishikuar trajtimin e deputetëve, i vetmi ndëshkim i parashikuar në draft, është që për çdo mungesë pa shkaqe të përligjura në seancat plenare të Kuvendit, deputetit i ndalohet paga ditore. “Mungesë pa shkaqe të përligjura për efekt page quhet çdo mungesë, përjashtuar rastet kur me miratimin e Kryetarit të Kuvendit, deputeti merr pjesë në veprimtari parlamentare brenda ose jashtë vendit”, thuhet në projektvendimin e Kuvendit. Por, me projektin e ri, Kuvendi merr përsipër të paguajë vetëm pasaportën diplomatike të deputetit dhe jo të bashkëshorteve të tyre. Ndërkohë, gratë e deputetëve, sipas statusit të deputetit, do të kenë pasaportë diplomatike, por tashmë i duhet që ta paguajnë vetë. Sa i përket dietave, deputetët që banojnë në rrethin e Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 6 ditë në muaj, ndërsa deputetët që banojnë jashtë rrethit të Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 12 ditë në muaj. Projektvendimi i ri është hartuar edhe si detyrim sipas ndryshimeve të rregullores për publikimin e shpenzimeve çdo dy muaj, si dhe raporteve të BE-së për Shqipërinë që nga 2007-2013. Në nenin 105 përcaktohet detyrimi i Kuvendit për të bërë transparente dokumentet, ndërsa në nenin 106 përcaktohet se cilat do të konsiderohen dokumente parlamentare.
Shqip
Add new comment