Berluskoni përjashtohet nga Senati

Senati italian votoi për përjashtimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit Silvio Berluskoni nga jeta parlamentare, pas dënimit të tij për shmangie taksash me kompaninë mediatike, “Mediaset”. Në këtë mënyrë, njeriu që ka mbizotëruar politikën në vendin fqinj për 20 vjet, ka humbur imunitetin dhe është i ekspozuar ndaj dënimeve penale për një sërë çështjesh që akuzohet.
Përpara se të kryhej votimi këtë pasdite, kavalieri mbajti një tubim në Romë para mijëra mbështetësish. “Kjo është një ditë zie për demokracinë”, tha Berluskoni. Ai u angazhua se do të qëndrojë në politikë dhe se do të drejtojtë partinë e tij, “Forza Italia” për të vijuar përpjekjet për një vend më të mirë. 77-vjeçari shprehu zotimin se do të luftijë fort edhe jashtë jetës parlamentare.
Debati në Senat për përjashtimin ose jo të Berluskonit, u shoqërua me diskutime të forta nga anëtarët e djathtë dhe të majtë të Dhomës së Lartë të Parlamentit italian. Në fund, 171 senatorë votuan pro përjashtimit, kundrejt 135 prej tyre që ishin kundër. Veç dënimit përfundimtar me një vit burg për çështjen “Mediaset”, Silvio Berluskoni është edhe në mesin e një procesi gjyqësor për marrëdhënie seksuale me një minorene, marokenen Rubi, si dhe për blerjen e votës së një senatori të majtë.
MAPO
Add new comment