Kerry: SHBA-të mbeten aleati juaj i palëkundur, mirëpresim dhënien e statusit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar një komunikatë me rastin e 101-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në dokumentin që mban emrin e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry theksohet se , SHBA-të qëndrojnë krah Shqipërisë si një partner “i palëkundur”.
Sekretari Kerry nënvizon se, SHBA-të vlerësojnë tranzicionin paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare si edhe mirëpret dhënien e statusit kandidat për anëtarësimin në BE.
Mesazhi i John Kerry-t:
Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, i dërgoj urimet më të mira popullit të Shqipërisë ndërkohë që ju festoni Ditën e Pavarësisë më 28 nëntor.
Që nga themelimi i republikës demokratike, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara duke zhvilluar zgjedhje të suksesshme shumëpartiake. Shqipëria është një forcë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe ne jemi veçanërisht mirënjohës për kontributin e Shqipërisë në Forcën Ndihmëse Ndërkombëtare për Sigurinë në Afganistan si dhe për vullnetin e treguar për të pranuar ish-rezidentët e Kampit Ashraf për një qëndrim të përkohshëm.
Kalimi paqësor i pushtetit këtë vit dhe përmirësimet ligjore nënvizojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin popullin e Shqipërisë, ndërkohë që ata vazhdojnë të kërkojnë përparimin e sundimit të ligjit dhe reformave ekonomike, dhe ne mirëpresim rekomandimin e Komisionit Europian që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit.
Ndërsa ju festoni me familjet dhe miqtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë me ju si partner dhe aleat i palëkundur. Shpresojmë që në të ardhmen të vazhdojmë miqësinë dhe bashkëpunimin.
SHEKULLI
Add new comment