Rriten pagat për 2800 mjekë dhe infermierë (Vendimet e qeverisë)

Postuar në 28 Nëntor, 2013 04:02

Të paktën 2800 mjekë dhe infermierë do të përfitojnë një rritje page me 4 përqind të pagës aktuale që ato marrin. Vendimi i parë i qeverisë së re për rritje pagash ka shkuar për punonjësit e mjekësisë. Vetë Rama  ka folur disa herë për rimëkëmbjen e sistemit të shëndetësisë, madje disa javë më parë bëri dhe një vizitë të papritur natën vonë në spital për të parë nga afër punën e mjekëve. Një nga problemet më të mëdha në këtë system është korrupsioni dhe kjo masë merret për të minimizuar  këtë fenomen.

Vendimi :“Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura”.Vendimi parashikon rritjen e pagave për personelin mjekësor, mesatarisht me rreth 4%, konkretisht për 2800 mjekë dhe infermierë të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalit Ushtarak të Forcës Tokësore.”

Vendime të tjera të qeverisë

U miratua vendimi për lejimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të kryejë procedurën e prokurimit të shërbimit për menaxhimin e laboratorëve të informatikës në shkolla, i cili, deri më 31 tetor 2013, është kryer me fonde të akorduara nga Banka Botërore.

Vendim tjetër i miratuar është edhe ai për lejimin e Shtëpisë Botuese të Teksteve Mësimore për kryerjen e procedurës së prokurimit, me objekt “Për shtypjen e teksteve mësimore” dhe botimit të çdo lloj njoftimi prokurimi për këtë shërbim.

Miratimi i marrëveshjes së grantit nr.TF 014761, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA). Marrëveshje e grantit, prej 700 000 $ (USD), synon përgatitjen e projektit të sigurisë dhe mirëmbajtjes rrugore, si dhe rritjen e kapacitetit të Autoritetit Shqiptar të Rrugëve në menaxhimin e aseteve rrugore dhe sigurisë rrugore.

Vendimi për rishpërndarje fondesh në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë. Vendimi synon rishpërndarjen e fondeve ndërmjet disa programeve brenda buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë, për të realizuar disa investime të rëndësishme dhe të domosdoshme, si: blerje a riparime të aparaturave të rëndësishme spitalore (llambë për skanerin e spitalit të Korçës, ndërtim bunkeri për instalim akseleratori në QSUT etj.).

Vendimi për lejimin e Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për disa institucione të varësisë, me fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2013 për këtë ministri. Vendimi ka për qëllim lejimin e kryerjes së procedurës së prokurimit për blerjen e lëndëve djegëse, me qëllim sigurimin e ngrohjes për disa institucione spitalore, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Vendimi për pjesëmarrjen në stërvitjen shumëkombëshe të një kompanie këmbësorie të Komandës së Forcës Tokësore dhe të një toge të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Qendrën e Bashkuar Ndërkombëtare të Gatishmërisë (JMRC)), në Hohenfels, Gjermani.

Vendimi ka si qëllim lejimin e një kompanie dhe të një toge të Forcave tona të Armatosura, që të marrin pjesë në stërvitjen ushtarake që do të zhvillohet në Gjermani. Prezenca e njësive tona në këtë stërvitje mundësohet dhe mbështetet nga Zyra Amerikane e Bashkëpunimit të Mbrojtjes (ODC) në Ministrinë e Mbrojtjes.

Vendimi për disa ndryshime në vendimin nr.459, datë 23.9.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Komitetit Shtetëror për Kultet”, të ndryshuar.

Vendimi synon kalimin e Komitetit Shtetëror për Kultet në varësi institucionale të ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për arsye se bashkërendimi i marrëdhënieve me komunitetet fetare është parashikuar si një nga fushat e përgjegjësisë së kësaj ministrie.

 

Vendimi për pezullimin e përkohshëm të udhëzimit nr.1, datë 18.7.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara”.

Pezullimi i zbatimit të këtij udhëzimi vlerësohet si masë e përkohshme deri në realizimin e ndryshimeve ligjore në zbatim të politikave dhe programit të Këshillit të Ministrave për një organizim më të mirë të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara, në mënyrë që procedura për dhënien me qira të këtyre tokave të kontrollohet më mirë.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.