Ferdinand Poni, dy akuza për korrupsion

Tiranë – Ferdinand Poni “viziton” policinë ku pyetet për tenderin e pasaportave të vitit 2008 dhe abuzimet me ndarjen e granteve për pushtetin vendor. Ish-zv.ministri i Brendshëm i Qeverisë “Berisha” dhe njëherësh kryetar i grupit të këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, Ferdinand Poni, është shoqëruar dje në policinë e Tiranës. Poni është mbajtur në ambientet e sektorit të antikrimit ekonomik ku është marrë në pyetje në lidhje me dy raste abuzimesh që janë duke u hetuar, thanë burimet e policisë. Vetë ish-zv.ministri i Brendshëm i pyetur nga gazeta “Shekulli” në telefon ka pohuar se ka qenë në polici dhe është pyetur si person me dijeni për objektin e hetimit, por ka theksuar se, “Nuk ka asgjë të vërtetë në ato që thuhen për këtë çështje. Jam marrë në pyetje si person që ka dijeni”. Ai nuk dha shpjegime të mëtejshme duke u shprehur se ndodhje në një mbledhje. Nga policia nuk ka ende të dhëna zyrtare, por jozyrtarisht mësojmë se, Poni është marrë në pyetje për shpërdorim detyre. Lajmi konfirmohet nga burime të policisë, të cilat shtojnë se seanca e pyetjeve ka nisur dje në orën 16:00 dhe ka përfunduar në orën 17.00. Ndërsa bëhet e ditur se çështja po hetohet nga krimi ekonomik i policisë së Tiranës.
Skandali i pasaportave
“Shekulli” ka raportuar skandalin që lidhet me tenderin e pasaportave qysh në vitin 2008. Firma SAGEM e cila fitoi tenderin e pasaportave dhe kartave të identitetit u akuzua nga firmat e tjera pjesëmarrëse për parregullsi në proces. Mosparaqitja e mostrave origjinale nga ana e SAGEM, vonesa në dorëzimin e ofertës dhe mospasja e certifikatës ISO 27'000, janë vërtetuar edhe me pamje filmike të zhvillimit të tenderit. Vetëm pak kohë pas publikimit të emrit të "SAGEM" kanë mbërritur edhe ankesat e para nga firmat e tjera konkurruese në tender. Ato kanë renditur një listë me shkelje, të cilat Ministria e Brendshme i ka miratuar që në ditën e parë kur ka bërë hapjen e tenderit. Pamjet filmike tregojnë qartë se në momentin kur ka ardhur radha e kompanisë franceze "SAGEM" janë vënë re problemet e para, por edhe kontestimet e para të konkurrentëve të tjerë. Sipas një ankese që ka mbërritur në atë kohë në redaksinë e "Shekullit", shkelja e parë e firmës franceze "SAGEM" është se në tenderin e kartave në Shqipëri nuk plotësoi detyrimin ligjor të dorëzimit të specimeneve (mostrave) të kartave të parashikuar nga termat e referencës. Në pamjet filmike tregohet se vetë përfaqësuesi i firmës "SAGEM" ka pranuar gjatë zhvillimit të tenderit që nuk patën kohë, që të përgatisnin specimenet e kartave me polikarbonat.
Ai është justifikuar duke thënë se gjatë transportit me avion, mostrat që duhet të paraqiste në Tiranë ishin dëmtuar dhe për këtë arsye i kishte zëvendësuar me disa të tjera. Kjo gjë është vënë re edhe nga zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili ka bërë hapjen e zarfeve. Mostrat e paraqitura nga francezët ishin disa karta krediti si dhe një kartë për punonjësit e një firme në Itali, por asnjë mostër të ndonjë kartë identiteti në mënyrë që të shihej cilësia e punës së bërë nga firma franceze. I pyetur nga Poni për këtë rast, vetë përfaqësuesi i "SAGEM" ka pranuar se dosja e tij ishte e paplotë për arsye teknike. Një tjetër shkelje e kontestuar nga firmat e tjera konkurrente në tender ishte edhe mospasja nga ana e firmës franceze "SAGEM" të certifikatës ISO 27'000. Në hapjen e dokumenteve, FerdinandPoni ka konstatuar se në dosje ndodhej një certifikatë ISO 27'000, por ajo nuk ishte e firmës "SAGEM", por e firmës "Sagem-Orga GmbH", me adresë në Heinz-Nixdorf-Ring 1, 33106 Paderborn, Germany. Në këtë firmë "SAGEM" është ortake, por nga ana juridike "Sagem-Orga GmbH" nuk ishte pjesëmarrëse në tender.
I pyetur nga Poni për këtë çështje, përfaqësuesi i firmës franceze është shprehur se është një nën kompani e saj dhe kanë të njëjtën certifikatë. Firmat konkurruese në tender kanë paraqitur edhe një tjetër objeksion në lidhje me këtë çështje, i cili nis që në momentin që firma franceze "SAGEM" është pranuar për të marrë pjesë në tender. Sipas tyre, gjashtë firma kanë dorëzuar dokumentacionin përkatës në protokollin e Ministrisë së Brendshme. Kjo ka ndodhur deri në orarin e caktuar sipas procedurave të tenderit, në orën 14.00. Por "SAGEM" në këtë kohë nuk kishte mbërritur ende dhe nga komisioni u vendos që të shtyhej tenderi deri sa të vinte edhe konkurrenti i fundit. "Sipas Dispozitës 9, të Dokumenteve Standarde të Procedurës së Konkurrimit, ofertat e paraqitura pas mbylljes së afatit kohor dhe të dhënat e paraqitura ose jo, në zotërim të Autoritetit Kontraktues në datën dhe orën e caktuar të mbylljes së afatit, nuk do të merren në konsideratë. Pavarësisht ankesave, në procesverbalin e këtij tenderi është shkruar se kjo kompani e ka dorëzuar ofertën e saj në orën 14.00",- u shprehën përfaqësuesit e firmave të tjera pjesëmarrëse në tender.
Videoja, ja shkeljet e tenderit
Edhe pse kompania e shpallur si më e mira e mundshme lë mjaft dyshime pas ofertës së saj. Zv.ministri Poni është i vetmi në panelin e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme që aktivizohet në proces. Pjesa tjetër e komisionit dëgjon në heshtje. Herë me ndonjë pyetje e herë me batutë, Poni përcjell kalimin dorë më dorë të dosjeve të ofertave. Poni ( numëron): 26 faqe për eksperiencën në Nigeri të kompanisë Sagem. ISO 27000, çertifikatë e Sagem-
Ogra: Këtu janë plan-vendosjet, besoj. Çfarë është kjo Sagem-Ogra? Sagem: Është një nënkompani tjetër...
Poni: Nuk ka shembull karte ID në polikarbonat. A nuk keni sjellë ndonjë rast karte në polikarbonat?
Sagem: Nuk kemi patur kohë të mjaftueshme për t'i sjellë në polikarbonat. Kemi sjellë një hibrid të ngjashëm..
Poni: Po hibridi? Çfarë ka të veçantë hibridi juaj?
Sagem: Nuk patëm mundësi, pasi kërkesa ishte në fund të janarit dhe nuk u arrit. Në cilin material është oferta për kartat elektronike?
Poni: Si në cilin material? Do të marrim atë që kemi kërkuar...
Konsorciumi RIE, Itali-Hungari
RIE: A mund t'u themi diçka, një vërejtje? Për shkak të transportit në rrugë ajrore, na është dëmtuar dokumentacioni dhe mungojnë.. Bëmë të pamundurën për të krijuar failet origjinale, por nuk mundëm dot.
Poni: Çfarë doni të thoni me këtë?
RIE: Besoj që nuk është në ndonjë cilësi të mirë, që do ta shikoni këtu. Poni: Ne po shohim ç'është... Ne këtu nuk bëjmë asnjë vlerësim për dosjen... Do të bëjmë një evidentim të kujdesshëm, vetëm kaq. Kjo është kartë krediti... Pastaj, të gjitha këto janë karta krediti?
RIE: Ka shembuj, ka disa kampionë të ndryshëm, pasi kemi humbur origjinalin, jemi munduar t'i përshtatim. Ato janë për sistemin mjekësor të regjionit të Ventos, për sanitaret profesioniste.
Poni: Por nuk keni shembuj të kartave të identitetit, siç i duam ne, apo jo? Siç ishin pasaportat, psh. Kjo është një kartë identiteti në UK, të paktën kështu thotë një mostër, kjo është një visa card..(tregon materialet në dosje) Indra, Spanjë Ka paraqitur marrëveshje bashkëpunimi me IBM, DataCard& Oberthur Poni (numëron) 13 pasaporta, 2 më pak seç kërkohen. Zetes, Belgjikë. Castro i "Bundesdruckerei" proteston për mbërritjen me vonesë të përfaqësuesve të " Zetes".
Poni: Ka një letër që i drejtohet ministrit për verifikimin e kësaj certifikate. Dokument për strukturën e kartës, që ka dhe një tabelë... Pastaj ka një strukturë të testuar e kartës në polikarbonat, sipas testit ISO 10373 dhe raporti është origjinal, në janar 2007, me 34 faqe. A mund të më jepni një shpjegim se ç'janë këto raporte?
Zetes: Ato janë prova të ndryshme që përputhem me standardet ISO.
Nishani: Skualifikuam tre firma
Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, ka shpallur në atë kohë përfundimet e procesit të vlerësimit të ofertave të bëra për prodhimin e letërnjoftimeve të reja elektronike dhe pasaportave biometrike të shtetasve shqiptarë. Ministri Nishani ka informuar publikun se në drejtim të komisionit të vlerësimit të ofertave janë paraqitur 7 propozime dhe pas shqyrtimit të standardeve që ato paraqesin, komisioni ka arritur në përfundimin se për shkak të mungesës së dokumentacionit minimal, janë skualifikuar tre prej ofertuesve.
Shekulli
Add new comment