Lista që do turpëronte çdo President

Dje duhet të ketë qenë një ditë e zymtë, gati-gati e papërballueshme për Bujar Nishanin. Paradite, ai ka mësuar se këshilltari i tij për marrëdhëniet me publikun, ishte nisur drejt policisë së Tiranës, për t’u marrë në pyetje si i dyshuar në disa afera korruptive të konsumuara që në kohën kur punonte në Ministrinë e Brendshme së bashku me Nishanin. Në drekë Presidentit i duhej të mblidhte KLD-në, një mbledhje e detyruar nga skandali i plasur në sistemin e drejtësisë pas fakteve dhe video-filmimeve të kryera nga emisioni “Fiks Fare”. KLD-ja u mblodh, shkarkoi gjykatësin e Pukës që hetoi emisioni i “TCH” por…ajo që doli nga mbledhja e KLD-së ishte një situatë ku e ku më e rëndë se sa rrjeti i mitmarrjes që u zbulua në Pukë. KLD-ja shpërndau dje një raport që evidentonte gjendjen e gjyqësorit në Shqipëri dhe të situatës me krerët e gjykatave.
Përmbajtja e këtij raporti e kthen ekspozimin e tij nga vetë KLD-ja në një “autogol” të rëndë, pasi nuk ka nevojë për defter e kalem për të zbërthyer këtë raport. Dokumenti flet aq qartë…sa vetëm KLD-ja mund të ketë aftësinë për të mos ia dëgjuar oshtimën. Situata përmblidhet në pak fjalë kështu: Nga 23 gjykata të shkallës së parë që ka ky vend, 14 prej tyre i kanë kryetarët “pezull”, të komanduar ose jashtë afateve. E njëjta situatë vijon dhe me gjykatat e Krimeve të Rënda. Ndërsa për Gjykatat e Apelit, nga 7 të tilla vetëm njëra prej tyre ka kryetar që funksionon sipas ligjit. Sa i përket gjykatave administrative, nuk gjendet asnjë kryetar i vetëm që ushtron këtë funksion me kompetencë të plotë.
Më pas shkojmë tek emrat e gjykatësve, në pjesën dërrmuese të tyre ata janë njerëz të infiltruar në sistemin e drejtësisë pas vitit 2008 dhe janë lidhje të ngushta të Shkëlzen Berishës dhe të Argita Berishës. Shembulli dhe treguesi më spektakolar është ai i Joana Qeleshit, e komanduar si kryetare e Gjykatës së Durrësit. Qeleshi ka punuar deri në vitin 2010 në zyrën avokatore të drejtuar nga Argita Malltezi dhe Flutura Kola. Ishte ajo vajza e “vogël” që sapo kishte mbaruar studimet dhe që atëherë Argita dhe Flutura e dërgonin në QKR, taksa e tatime që të dorëzonte dokumentet të cilat duhej të regjistronte kjo studio. Emri i saj dilte thuajse në çdo akt të QKR-së kur media nisi botimin e dosjes Fazlliç në vitin 2008.
Joana Qeleshi është një person që di shumë nga sekretet e ruajtura me fanatizëm të vajzës së ish-kryeministrit. Është ndër më të besuarat e Familjes. Mjafton vetëm komandimi i saj në një gjykatë tepër të rëndësishme si ajo e Durrësit, që KLD-ja, e gjitha, pa asnjë përjashtim të askujt, të na sqarojë se mbi ç’bazë u zgjodh zonja Qeleshi. Çfarë kishte aq mbresëlënëse në CV-në e saj? Si e besuan një gjykatë me punë tepër voluminoze dhe me dosje të rëndësishme në duart e kësaj vajze? KLD-ja ka detyrimin të thotë gjithashtu se përse mbahen të varur dhe si në “çengel” krerët e disa gjykatave prej më shumë se 3 vitesh, kur mandati i një kryetari gjykate është 4 vite. Zor se mund të gjendet një justifikim racional që do shpjegonte pamundësinë e KLD-së për t’i dhënë drejtim kësaj situate.
Duket si një skemë e mirë organizuar për të mbajtur me çdo kusht “njerëzit e besës” në kreun e gjyqësorit. Është një skemë që do turpëronte çdo President Republike që njëkohësisht është dhe kreu i KLD-së. Por gjurmët dhe tentakulat e Familjes së ish-kryeministrit janë të ngulura shumë më thellë nga ç’mund të vërtetojë ky raport i KLD-së. Për shembull pjesa dërrmuese e stafit drejtues dhe të pedagogëve në Fakultetin Juridik të Tiranës janë po ashtu të uzurpuara nga “ma t’besuarit e krejtave”. E njëjta situatë paraqitet dhe në shkollën e Magjistraturës. Pra, Familja, jo vetëm mban aktualisht gjyqësorin nën zaptim dhe kontroll arbitrar, por kontrollon në mënyrë integrale dhe kapilare edhe “filizat e ardhshme” të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Praktikisht situata tregon se kanë arritur jo vetëm ta pushtojnë sistemin por edhe të sigurohen se do e mbajnë gjatë nën zgjedhë.
Duke parë këtë realitet, do ishte paradoks dhe idiotësi t’ia besoje mëkëmbjen e sistemit dikujt si Presidenti Bujar Nishani. Ai është thjesht një kolopuç që bën si i thonë, është shumë i vockël përballë këtij pushtimi të madh, është pjesë e ingranazhit që tjetër kush ia tërheq fijet, asgjë më tepër. Ndaj dhe rrugët bëhen të qarta: Ose ky sistem do na mbajë të gjithëve nën zgjedhë dhe të ngujuar, ose këtij sistemi i do dhënë derma një orë e më parë, nga themelet. Çdo manovër tjetër do ishte lojë kolopuçësh.
***
Lista që do turpëronte çdo President
Kryetarët e komanduar dhe pa mandat në 14 gjykata të Shqipërisë në shkallë të parë, ndërsa situata në gjykatat e Apelit është dhe më alarmante vetëm kreu i Apelit të Tiranës është rregullisht i mandatar. E njëjta situatë dhe me gjykatat e krimeve të rënda dhe ato administrative
Këshilli i Lartë i Drejtësisë po përpiqet të bëjë një farsë lidhur me kryetarin e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, duke analizuar mundësinë e shkarkimit të tij nga detyra. Sipas një materiali që vetë KLD ua ka shpërndarë anëtarëve të saj për mbledhjen e sotme, rezulton se Shtjefën Lleshi me vendim nr.286, datë 21.03.2012, pra një vit e gjysmë më parë, rezulton pa mandat si kryetar gjykate dhe vendi i tij i punës është shpallur vakant. Përpjekja e KLD-së për të shqyrtuar rastin e tij korruptiv, pas transmetimit të emisionit “Fiks Fare”, është një përpjekje për të shpëtuar sistemin korruptiv dhe këtë gjyqtar nga penalizimi dhe për t’i quajtur si masë ndëshkimore atë që në të vërtetë ai nuk e ka më si detyrë, postin e kryetarit të Gjykatës së Pukës. Duke qenë prej një viti e gjysmë në detyrë për shkak të mos emërimit të një kryetari tjetër, autoriteti i gjykatës është shkatërruar, pasi të gjithë e kanë parë atë si një drejtues të përkohshëm në ikje. Kjo ka bërë që kancelarja të sillej si e zonja e shtëpisë, duke ndarë zarfet me lekë, sekretarja po ashtu, dhe gjithë gjykata të vazhdonte pazaret në vend të punës. Por një situatë e tillë alarmante nuk është vetëm në Gjykatën e Pukës. Vetëm në 9 gjykata të Shqipërisë në shkallë të parë kemi kryetarë të emëruar dhe riemëruar brenda mandatit dhe 14 të tjera, pra shumica e gjykatave të Shqipërisë, drejtohen njësoj si në Pukë nga kryetarë pa mandat ose të komanduar.
Raporti i KLD-së: Ju prezantojmë kaosin
Plot 14 gjykata të vendit vazhdojnë të drejtohen me gjykatës të komanduar si kryetar, ose vazhdojnë detyrën edhe pa mandat. KLD, e cila ka detyrë funksionale menaxhimin e sistemit të drejtësisë, e ka krijuar këtë pasiguri tek gjyqtarët me qëllim që t’i ketë ata nën kontroll dhe të ndjehen të pasigurt. Kështu, rezulton se:
Në Gjykatën e Beratit, Agron Valva është kryetar i deleguar prej shtatorit 2012, ndërkohë që vendi është shpallur vakant nga marsi i vitit 2012.
Në Gjykatën e Dibrës, kryetari Halil Vani është i deleguar nga tetori i vitit 2012.
Në Durrës, Joana Qeleshi, e njohur si ish- pjesë e studios së Argita Berishës, është e deleguar nga korriku i vitit 2013.
Në Korçë, Admir Belishta prej prillit 2011 vazhdon detyrën, ndërkohë që është shpallur vendi vakant.
Në Krujë, Rexhina Merlika vazhdon detyrën, ndërkohë që është shpallur vendi vakant nga marsi i vitit 2013.
Në Kukës, Granit Qypi, i deleguar, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në qershor 2010.
Në Kurbin, Alfred Gjoni vazhdon detyrën ndërkohë që është shpallur vendi vakant në mars 2012.
Në Lushnjë, Anila Karanxha, e deleguar, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në maj 2013.
Në Sarandë, Alltun Çelaj vazhdon detyrën ndërkohë që është shpallur vendi vakant në mars 2012.
Në Shkodër, Arbër Çela i deleguar, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në shtator 2012.
Në Tropojë, Dritan Seçi vazhdon detyrën, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në mars 2012.
Në Vlorë, Skënder Haluci, i deleguar, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në mars 2012.
Në shkallën e parë të Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, i deleguar, ndërkohë që është shpallur vendi vakant në nëntor 2010.
Apeli, situatë më dramatiket
Situata në Gjykatën e Apelit është më dramatike. Nga 7 gjykata vetëm një ka kryetar me mandat, ajo e Tiranës, ndërsa gjashtë të tjera, përfshi atë të Krimeve të Rënda, janë me komandim ose vazhdojnë detyrën pa mandat. Pa mandat është dhe kryetari i Gjykatës Administrative në Tiranë, Durrës, Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër. Kjo situatë absurde në sistemin e drejtësisë shqiptare vjen nga fakti se drejtuesit e KLD, Bujar Nishani dhe Elvis Çefa, kanë ngrirë emërimet për shkak të situatës politike dhe për të mbajtur në lojë miqtë e familjes Berisha, të infiltruar në gjykatë. Kjo ka bërë që KLD të humbasë funksionin e saj dhe të jetë përgjegjëse për situatën dramatike ku ka përfunduar drejtësia shqiptare.
Dita
Add new comment