Ferdinand Poni dyshohet për zhdukjen e pajisjeve të blera me tender

Postuar në 08 Dhjetor, 2013 04:02

Prokuroria e Tiranës ka në dorë dosjen e referuar nga Task-Forca e Krimit Ekonomik në Polici për ish-Zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, në lidhje me veprat penale të dyshuara “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”. Kreu i të djathtëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës, akuzohet se kur ka ikur nga posti, nuk ka lënë të rregullt inventarin e Gjendjes Civile. Bëhet fjalë për pajisjet dhe automjetet e blera për llogari të Gjendjes Civile dhe Regjistrit Civil, të tenderuara vite më parë. Një sasi e madhe pajisjesh dhe materialesh, si dhe disa makina, rezultojnë të zhdukura nga Ministria e Brendshme, pa asnjë lloj dokumentacioni dhe shkrese zyrtare përcjellëse. Mësohet se dëmi ekonomik i shkaktuar nga ky veprim shkon në miliona lekë dhe pritet që të përcaktohet saktësisht nga hetimet që po kryen organi i akuzës. Por për blerjen e tyre në tendera janë harxhuar shuma të konsiderueshme parash nga buxheti i shtetit. Burime zyrtare konfirmuan lajmin e objektit të abuzimit për gazetën DITA, por ende mbajtën sekret detajet e e këtij operacioni financiar. Për këtë shkak janë thirrur në polici për të dhënë shpjegime vetë ish-zëvendësministri Ferdinand Poni dhe ish-zëdhënësi i ministrisë. “Nuk mund të japim hollësi për këtë dosje. Por mund të themi se ish-zyrtari ka pasur përgjegjësi administrative për këto pajisje, materiale dhe makina që janë blerë me tendera, por aktualisht nuk gjenden”, tha një burim nga grupi hetimor për gazetën. Ai shtoi se dëmi financiar është i konsiderueshëm, por do bëhet edhe një ekspertizë ekonomike. Prokuroria do vijojë fazën hetimore me marrjen në pyetje të Ponit dhe ish-zëdhënësit, për të zbuluar se ku kanë përfunduar këto materiale të Gjendjes Civile dhe automjete. Sipas hetimeve të kryera nga Drejtoria e Inspektimit të Brendshëm në MB, në Drejtorinë e Gjendjes Civile mungojnë baza materiale të konsiderueshme që janë zhdukur pa gjurmë, si pajisje kompjuterike, printera, hardisqe, pajisje të tjera dhe mjete transporti. Për të gjitha këto nuk është gjetur dokumentacion referues se ku kanë përfunduar, si rasti i nxjerrjes jashtë përdorimit apo dërgimit në magazina. Për këtë shkak është dyshuar rreth një korrupsioni masiv dhe vjedhjeje nëpërmjet procesit të tenderit fiktiv apo një akt kriminal i zhdukjes së kësaj baze materiale. Poni ka pasur përgjegjësinë e kryerjes së tenderit, administrimit të tyre deri në momentin e largimit dhe dorëzimit me inventar të rregullt zyrtar. Poni mësohet se nuk e ka pranuar përgjegjësinë gjatë marrjes në pyetje në polici dy javë më parë, duke thënë se kishte dhënë vetëm sqarime për çështje administrative. Hetimi ndaj tij po kryhet në gjendje të lirë për shpërdorim detyre, së bashku me ish-zëdhënësin e dikasterit.

 

Dosjet ndaj Isuf Çelës dhe Ram Oruçit

Më parë, Inspektimi i Brendshëm ka dërguar në polici dhe më pas në prokurori, dosjet penale për shpërdorim detyre dhe vjedhje në ngarkim të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të MB, Isuf Çela për blerjen e dy karrigeve të shtrenjta 1400 dollarë dhe shërbimeve të tjera, pa dijeninë e eprorëve dhe në mënyrë abuzive. Po kështu u denoncuan ish-drejtori i Parkut të Mjeteve të MB, Ram Oruçi, përgjegjësi dhe magazinieri, për vjedhje të 16 ton karburanti naftë dhe vaj lubrifikant. Karburanti është tërhequr nga depozitat në muajin prill, para zgjedhjeve dhe më pas është zhdukur pa gjurmë, ndërsa duhet të ishte në ambientet e Ofiçinës. Po kështu është abuzuar me automjetet e Policisë së Shtetit, ku 67 prej tyre janë nxjerrë jashtë përdorimit në Lundër.

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.