23 vjet nga lëvizja e Dhjetorit, Rama: Mbetet unike, jehonë për transformimin e Shqipërisë

Grupimi “Dhjetor ’90” ka zhvilluar ditën e sotme një aktivitet me rastin e 23 vjetorit të lëvizjes studentore që solli ndryshimin pluralist. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryeministri Edi Rama, si një nga protagonistët e kësaj lëvizjeje.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama vlerësoi rëndësinë e madhe historike të lëvizjes së dhjetorit, e cila sipas tij qëndron edhe sot si një dinamikë unikale dhe burim frymëzimi për transformimin e shoqërisë shqiptare.
“Lëvizja e Dhjetorit është forca e atyre ëndrrave që e sjellin Shqipërinë gjithmonë e më pranë Europës, shumë më ndryshe nga ato ditë që të gjithë ne që ishin këtu e jetonim ëndrrën si një realitet. Sot dhe për çdo dhjetor t`i kthehemi pas atij dhjetori që të shohim se ku jemi, se kush më shumë e kush më pak kemi qenë protagonistë dhe të japim llogari. Lëvizja e dhjetorit e jetoi të tashmen me forcën që përkuli të gjithë kufijtë, tejkaloi kufijtë e të shkuarës. Një ëndërr që mori forcë nga bashkimi dhe i bashkoi të gjithë. Kjo është një ëndërr që edhe sot na jep fuqi për të ecur para. Edhe në këtë dhjetor kemi ende ëndrrën e Shqipërisë europiane. Por jo vetëm për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa, por për t’u bërë europianë, për të ndërtuar një model të suksesshëm, për ta bërë Shqipërinë pjesë të lëvizjeve të ndryshme. Falë asaj lëvizjeje, sot shqiptarët e kanë Europën pjesë të përditshmes së tyre. Mbetet ende legjitime krenaria për atë dhjetor. Përpjekjet dhe kërkesat e asaj lëvizjeje janë dhe mbeten gjithmonë burim i një jehone të fuqishme për të vënë në lëvizje transformime të shoqërisë tonë”, tha Rama.
Shqip
Add new comment