Zhvlerësimi nga “Standard and Poor’s”, menaxhimi i financave edhe më i vështirë

Postuar në 09 Dhjetor, 2013 02:41

Flet zv.ministri i Financave: Buxheti u përdor për zgjedhje

Zhvlerësimi i borxhit publik të Shqipërisë nga “Standard and Poor’s”, nuk është një lajm i mirë për ekonominë. Zëvendësministri i Financave, Erjon Luçi, thotë se tani menaxhimi i financave të vendit do të jetë më i vështirë. “Ne mund të kemi tani terma më të vështira financiare në tregun ndërkombëtar. Gjithashtu edhe agjentë të tjerë tregtarë të huaj, privatë mund të shtrëngojnë termat e tyre për Shqipërinë, kështu që kjo e bën akoma më të vështirë detyrën e menaxhimit të borxhit”, tha Luçi.

Rikthimi i besueshmërisë te financat publike është shndërruar tashmë në një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë. Zëvendësministri Luçi thotë se pikërisht për këtë qeveria është duke punuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.” Ajo që ne po mundohemi të bëjmë për momentin, është të gjejmë balancën e saktë ndërmjet rifitimit të besueshmërisë së financave publike dhe orientimit drejt politikave të rritjes, por kjo e dyta mbetet gjithmonë objektivi kryesor. Në këtë rast do të shtojmë edhe atë që e kemi theksuar disa herë, që duhet rritje e qëndrueshme ekonomike dhe jo thjesht rritje ekonomike”, tha zëvendësministri.

Një ditë më parë, “Standard and Poor’s” njoftoi se e ka ulur vlerësimin për borxhin publik të Shqipërisë nga B+ në B, për shkak të rritjes së fortë të detyrimeve të qeverisë dhe devijimit të tyre nga parashikimet e mëparshme prej 58 për qind në 67 për qind të Prodhimit Kombëtar. Sipas gjigantit ndërkombëtar të financave, kjo rritje e borxhit erdhi për shkak të përdorimit elektoral të buxhetit në periudhën para zgjedhjeve dhe njohjes së detyrimeve të prapambetura nga qeveria e re, të cilat vlerësohen në masën 4 për qind të Prodhimit Kombëtar. Shërbimi i vlerësimit “Standard & Poor’s Ratings Services” tha të premten se e kishte ulur renditjen e tij për borxhin kombëtar në monedhë të huaj dhe vendase për Shqipërinë në B nga B+, ndërsa ka afirmuar renditjen afatshkurtër të vendit në B. Pritshmëria e renditjes mbetet negative, tha “Standard and Poor’s” në një deklaratë.

Ky veprim vjen pas një rritjeje domethënëse të papritur të barrës së përgjithshme të borxhit qeveritar. Raporti i S&P vijon më tej:

Pasi fitoi zgjedhjet parlamentare në qershor të vitit 2013, “Aleanca për një Shqipëri Europiane”, një koalicion i udhëhequr nga Partia Socialiste, erdhi në pushtet në shtator. Ne presim që administrata e re të ndërmarrë reforma zgjedhore, gjyqësore, parlamentare, si dhe reforma në administratën publike. Këto reforma do e ndihmojnë Shqipërinë të plotësojë kushtet e statusit të vendit kandidat në BE, ndoshta deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2014. Megjithatë, financat publike të Shqipërisë u përkeqësuan ndjeshëm gjatë vitit 2013, pjesërisht lidhur me politikën ekspansioniste fiskale përpara zgjedhjeve. Ne tani presim që deficiti i përgjithshëm i qeverisë të rritet në 6.5% të PBB-së në vitin 2013, nga 3.5% që ishte në vitin 2012, bazuar në një performancë më të dobët të rritjes sesa pritej, një rishikim statistikor i PBB-së dhe, ç’është më e rëndësishmja, në identifikimin e një “stoku” pagesash të prapambetura (të papaguara) vlerësuar aktualisht në 4% të PBB-së. 30% e pagesave të vonuara lidhen me rimbursimet e papaguara të Taksës mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe pjesa tjetër me faturat e papaguara të infrastrukturës, që lidhen me ndërtimin e rrugëve.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.