Denoncimi i gazetarit: Nxirret flori, duke u fshehur pas ndërtimit të HEC

Aleksandër Ndoja është një gazetar i vjetër, korrespondent i Mirditës. Pak ditë më parë, ai ka denoncuar atë që e quan si “një skandal për të vënë Kujën”. Ndoja dëshmon se disa punonjës shqiptarë të një kompanie turke e kanë kontaktuar pak ditë më parë duke i dhënë tre kampionë mineralesh me përmbajtje të lartë floriri. Sipas Ndojës punonjësit në fjalë i kishin dëshmuar atij se nuk dëshironin që emrat e tyre të bëheshin publikë duke ia besuar Ndojës denoncimin e kësaj çështje. Më pas Ndoja ka bërë fillimisht publike në faqen e tij në “Facebook” këtë episod duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve shtetërore duke ofruar dhe pamje të mineraleve që ai posedonte tashmë. Ndoja shprehet i bindur se kompania turke ndërsa ka hapur tunele për ndërtimin e hidrocentraleve, gjatë punimeve në tunele ka siguruar dhe mineral me përqindje të lartë floriri të cilin po e nxjerr ilegalisht jashtë Shqipërisë.
Zoti Ndoja ju keni denoncuar disa ditë më parë vjedhjen e asaj që ju e quani vjedhjen e rezervave të bakrit dhe floririt në Mirditë nga një kompani që po ndërton një hidrocentral. Mund të na thoni se si është kjo histori?
Aleksander Ndoja
Unë kam bërë publike me aq mundësi sa kam pasur një episod tepër interesant që më ka ndodhur disa ditë më parë. Disa punonjës të një kompanie turke që ndërton disa hidrocentrale në lumenjtë Fan i Madh dhe Fan i vogël më kanë sjellë disa copëza mineralesh ku duket qartë përmbajtja tepër e lartë e bakrit. Punonjësit janë shqiptarë dhe të nxitur edhe nga vonesa e pagave dhe diskriminimi nga ana e kompanisë turke erdhën tek unë duke sjellë këto kampione mineralesh që të denoncoja si gazetar faktin që kompania turke nën koperturën e ndërtimit të një hidrocentrali në fakt ishte duke bërë vjedhje të floririt dhe të bakrit.
Po ç’lidhje kanë hidrocentralet me mineralet? Hidrocentralet janë mbi tokë, mineralet janë nën tokë apo jo?
Nuk është kështu. Pjesë e projektit për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve nga firma turke është dhe hapja e një tuneli që çan malin dhe që lidh Fanin e Madh me Fanin e Vogël. Kompania është duke operuar aktualisht në zemër të tunelit në fjalë dhe punonjësit më kanë dëshmuar se kompania po ngarkon kamionët me këto minerale.
Po përse nuk shkuan në prokurori këta punonjës?
Arsyeja e parë mendoj unë është sepse kanë frikë. Ata dhe mua më përsëritën disa herë që të mos bëja publikë emrat e tyre pasi kanë frikë se rrezikojnë vendet e punës në mos edhe më tepër se kaq.
Sa kampionë të tillë ju sollën këta punëtorë?
Më sollën tre kampionë të tillë aktualisht kam vetëm një në posedim pasi dy të tjerë i kam çuar në ekspertë për t’i analizuar dhe shkencërisht. Ndërkohë siç edhe mund ta dini këtu në Mirditë ka shumë ekspertë të bakrit dhe të floririt që menjëherë sa e kanë parë kampionin kanë thënë se bëhet fjalë për flori madje me një përqindje tepër të lartë.
Sa peshojnë mesatarisht këto kampionët që keni ekspozuar?
Këto variojnë nga 300-400 gramë.
Faksimile të fotove që i janë bërë mineraleve të
floririt të siguruara nga punonjësit e firmës turke
Në qytet flitet nën zë për këtë çështje? Qarkullon si fjalë që ka vjedhje të floririt në tunelet e hapura për hidrocentralin?
Problemi është se janë vetë punëtorët shqiptarë të kompanisë turke që e denoncojnë nën zë këtë punë dhe disa persona të lidhur me industrinë e bakrit prej vitesh me siguri që kanë një farë informacioni.
Kur ka nisur puna për këto hidrocentrale?
Ka disa muaj, nuk ka shumë kohë, por kompania në fjalë edhe disa vite më parë ka qenë e implikuar në skema të tilla të shfrytëzimit të punimeve publike në këtë zonë me qëllimin e vërtetë nxjerrjen e paligjshme të floririt.
Si quhet kompania turke?
Kompania quhet “Aydiner Insaat”
Ju thoni që ka vetëm disa muaj që ka nisur punimet, po më parë si ka mundur kjo kompani që të njëjtën gjë të ketë bërë edhe vite më parë?
Kam shkruar për këtë gjë edhe në medie. Kompania turke që ju përmenda ka qenë e angazhuar si nënkontraktore edhe për kryerjen e punimeve dhe hapjen e tuneleve ose kryerjen e gërmimeve të thella për ndërtimin e aksit Rrëshen-Kalimash. Kjo kompani diku tek 4-5 vite më parë madje ndërsa ishte duke hapur një tunel, njoftoi bllokimin e tunelit si pasojë e një rreziku që u kanosej punëtorëve nga një shkarje në tunel, por të dhënat që vinin nga punëtorët shqiptarë flisnin se ky bllokim ishte i qëllimshëm pasi kompania kishte konstatuar prezencë të mineraleve të çmuara gjatë gërmimeve dhe natën këto minerale ngarkoheshin dhe niseshin për në Durrës. Për këtë çështje kam shkruar dhe si gazetar.
Mendoni se fakti që jeni vetëm ju që e thoni këtë gjë dhe që asnjë institucion ligj-zbatues si SHISH, prokuroria apo policia nuk duket se ka marrë dijeni për këto zhvillime mund të vërë në dyshim këtë që ju pretendoni?
Unë kam bërë thirrje publike që këto institucione që ju përmendni të nisin urgjentisht hetimin dhe verifikimet për këtë që po ju them. Ju nuk e njihni realitetin në Mirditë. Policia dhe organet hetimore këtu nuk janë funksionale njësoj si në kryeqytet dhe shumë aktivitete këtu mbulohen dhe me bashkëpunimin e tyre. Unë ju siguroj se çdo hetim i drejtë dhe i paanshëm do vërtetonte këtë që unë kam denoncuar pak ditë më parë.
Njoftim i Kryeministrisë i datës 10 Maj2013
Kryeministri Berisha ishte sot në rrethin e Mirditës ku mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve në Gojan, Gjegjan, Peshqesh, diga e Urës së Fanit dhe hidrocentrali i Fangut, të cilat do të ndërtohen në rrjedhën e lumit Fan i Madh dhe Fan i Vogël nga kompania turke Aydiner, investim me vlerë 146 milionë euro, Ky projekt bazohet në bashkimin e dy lumenjve, Fanit të Madh dhe të Vogël, me një tunel 32 kilometër të gjatë, por dhe të një dige të larte prej 84 metër. Fuqia totale e instaluar e tyre është 111 prej MË dhe prodhimi vjetor i 7.1 për qind të nevojave të vendit.. Në këto projekte tepër të mëdha në fushën e energjetikës pritet të hapen 950 vende pune. Në rrethet Pukë, Shkodër e Lezhë po ndërtohen 27 HEC-e me fuqi të instaluar 243 MË dhe prodhim vjetor të energjisë 1210 GËH.
* * *
Si u degradua industria e bakrit në Shqipëri
Sipas raporteve të vendburimeve të njohura për bakër në Shqipëri ekzistojnë rreth 17 milionë ton rezerva (industriale dhe gjeologjike ) nga i cili afro 2 milionë ton me bakër të pasur.
Rubik
Para viteve ’90, si ndër industritë më të vjetra në vend, industria e bakrit ka funksionuar me cikël të plotë, duke realizuar një shfrytëzim kompleks të lëndës së parë dhe një gamë të madhe produktesh e konkretisht: mineral dhe koncentrat piriti, bakër elektrolitik, bakër vajerbars, tela dhe kabllo, aliazhe bakri, tunxh dhe bronz bllok, fletë tunxhi, acid sulfurik, ar dhe argjend, selen teknik dhe të rafinuar, sulfat bakri, skorje furre e granuluar dhe fraksionuar etj. Treguesit e rentabilitetit të saj varionin 4 deri 6%, ndërsa në fund të vitit 1990, vlera e tij ishte në nivel më të ulët.
Në ketë periudhë prodhohej çdo vit rreth 1 milionë ton mineral bakri e piriti, 50 mijë ton koncentrat bakri, 12 deri 15 mijë ton bakër elektrolitik, 8 deri 10 mijë ton tela dhe kabllo, 20 deri 25 mijë ton acid sulfurik, 3 deri 4 mijë ton tunxhe dhe bronze, etj. Përqendrimi i saj ishte në Veri te vendit, në rrethet Mirditë, Pukë, Kukës, Shkodër, Kurbin, ku ziheshin me punë rreth 12 mijë veta, pa përfshirë këtu shërbimin gjeologjik.
Dhe përveç plotësimit të nevojave të vendit, kjo industri ofronte disa produkte të saj në eksport, si mineral piriti, bakër elektrolitik, katankë dhe disa dimensione të telave të bakrit, selen teknik dhe skorje të granuluar dhe fraksionuar. Vetëm nga metalet e çmuara realizoheshin çdo vit të ardhura neto rreth 1,5 deri 2 milionë dollarë, pa marrë parasysh faktin se disa sektorë të ekonomisë, e në veçanti industria e prodhimeve artistike, furnizohej me fletë tunxhi e argjend, nga Uzina e Bakrit Rubik, prodhimet e të cilës ishin mjaft të preferuara për tregun vendas dhe eksport. Niveli i prodhimit të bakrit ishte optimal, krahasuar edhe me vende të tjera prodhuese, po të përdorim indeksin e prodhimit për frymë të popullsisë e konkretisht Polonia, si prodhuese e dytë në Evropë, me rreth 400 mijë ton në vit, realizon 1 ton bakër për 100 banorë, ndërsa vendi ynë rreth 1 ton për 200 banorë.
Nga viti 1991, nis ”strategjia” shkatërruesve e industrisë së bakrit
-Në periudhën 1991-1992 aplikohet pagesë papunësie në masën 80%.
-Nga viti 1992-1997 kemi veprimtari të industrisë në pothuajse tërë sektorët, me një nivel prodhimi në kufijtë e vetëm 30% të kapaciteteve përpunuese, mungesë strategjie për ecuri të degës, mungesë e investimeve për mirëmbajtje e rinovime teknologjike, kosto tepër të lartë përballë një konjunkture tregu të ulët etj.
-Viti 1997, e gjen të konservuar këtë industri, veprim ky i mirë, referuar ngjarjeve të asaj periudhe, megjithatë nuk shpëtoi pa u shkatërruar Uzina e Bakrit në Laç, e pjesërisht disa sektorë të tjerë.
Më tej kemi një eufori të qeverisë së majtë, duke u mbështetur në një “këshilltar të djathtë”(!), e cila menjëherë, në bazë të një programi joreal dhe pa asnjë oponencë, fillon punë në Uzinën e Bakrit Rubik. Mungesa e sinkronizimit të sektorëve, e në veçanti të minierave dhe fabrikave të pasurimit, me atë të shkrirjes dhe rafinimit, rivënia në punë e disa sektorëve jo rentabël, si dhe mos finalizimi i produktit në tela e kabllo, solli atë që paralajmërohej nga specialistët, dështim total, brenda një periudhe disa mujore. Ky program i kundërshtuar edhe nga specialistët, “groposi” plot 2,5 milionë dollarë të siguruar nga qeveria nga kontrata me kompaninë kanadeze “NEBEX”, duke humbur shansin për një riaktivizim gradual të atyre sektorëve që mund të përballonin konkurrencën në treg.
-Në një periudhë të shkurtër, mars 1998 deri në shkurt 1999, është punuar më tepër në gjendje “avarie: me programe provizore të improvizuara, duke thelluar detyrimet financiare, deri në fund të deklarimit të mbylljes së veprimtarisë.
-Maj 1999, struktura administruese “ALBAKER” rezultonte me rreth 8 milionë dollarë borxhe.
-Në vitin 2002 u arrit të jepen me koncesion disa sektorë të industrisë së bakrit, kompanisë turke “BER-ONER”. Kjo kompani dyshohet për shkelje të rënda të kontratës që ka lidhur me shtetin. E njëjta kompani ka në koncesion dhe vendburimin e ri të Munellës, i cili është studiuar nga shërbimi gjeologjik i Pukës dhe llogaritë kanë dalë shumë të dobishme, ai përfaqëson vendburimin më të madh polimetalor në Shqipëri. Në të, përveç trupave të bakrit e të zinkut, përvijohen edhe trupa te metaleve të çmuara duke i rritur shumë vlerën.
Dita
Add new comment