Spartak Ngjela: A do ta pranojë “prokurori” i Berishës dosjen Imami?

Postuar në 11 Dhjetor, 2013 15:20

Avokat Spartak Ngjela komenton akuzat ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami duke hedhur dyshimet e tij se kjo çështje do të mbyllet pa u hapur. Ngjela thotë se nuk mjafton vetëm të ngresh akuza por duhet të ketë drejtësi e në këtë pikë ai mendon se këto akuza të PS-së nuk do të merren fare në konsideratë nga kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili është zjedhur nga Berisha. Ngjela në një koment të gjatë në facebook kujton raste të tjera të hershme korrupsioni kur dosjet janë mbyllur pa dënime dhe parashikon të ndodhë e njëjta lojë dhe në këtë rast.

Komenti i Ngjelës:

“Ëngjëjt në qiell janë nje gjë e zakonshme, por neve na bën përshtypje sepse s’jemi në qiell. Në Shqipëri sot korrupsioni, domethënë vjedhja është një gjë e zakonshme, por neve nuk na bën më përshtypje se jemi ketu. Kurse të gjithe kanë thënë se po e luftojnë korrupsionin, madje më shumë nga të gjithë e kanë luftuar ata që kanë vjedhur më shumë; duke mbaruar me Berishën, prandaj sigurisht që s’na bën më përshtypje as kjo. Edhe akuza ka pasur, por gjykimet ose kanë humbur afatet, ose i ka rrëzuar ekspertiza. Edhe me këtë jemi mësuar, prandaj ndoshta nuk do të na bëjë përshtypje që dhe akuzat e reja të rrëzohen për afate të pazbatuara apo për nga ekspertizat, që gjithmonë kanë qenë të ekspertëve shqiptarë, të cilët, si e zakonshmja e jetës sonë, patjetër që janë të korruptuar. Por përfundimisht, nuk ka problem, pse a s’jemi mësuar tani që të ngopemi me lugën e zbrazur? Nga Erodi te Pilati është quajtur kjo sorollatje, që gjithmonë mbetet një lojë e humbur dhe një pasojë e trishtë që dëmton vetëm njerëzit e ndershëm, që s’janë të pakët sot në Shqipëri . Por ja që kjo nuk mjaftokërka për të mposhtur të ligën! Por le të shohim, çfarq do të kemi këtë herë: një afat të humbur, apo një ekspert “çlirues”? Por kam një mendim të ri; ata që do të përdorin afatin apo ekspertin çlirues, nuk do ta kenë të lehtë këtë herë. Nuk e di as vetë pse e kam të rrënjosur këtëmendim.

Denoncimi që i është bërë Arben Imamit, si ish ministër i Mbrojtjes, ka ngjallur shumë diskutime. Të shumtë janë ata që me entuziuazëm flasin se “filloi goditja e korrupsionit”, por gabohen. Denoncimi nuk është asgjë, sepse akuzën e ngre vetëm Prokurori. Kush ju tha që të gëzoheni apo të shpresoni para kohe? Prokurori është i emëruar nga Sali Berisha. Kaq naive nuk duhet të jenë entuziastët. Shenjat janë që Prokurori i Përgjithshëm nuk do ta pranojë filllimin e kësaj çështjeje penale. Por pyetja është kjo: Po ky kryeministër dhe kjo qeveri nuk e dinë këtë? Sigurisht që e dinë. Por, gjithashtu, a nuk e dinë që kanë 85 deputetë? Edhe këtë e dinë. Por, a e kuptojnë se reforma duhet të nisë nga Prokurori i Përgjithshëm? Kjo ka diçka më shumë, sepse këtu duhet të ngrihen në diskutim dy arsye, ose këta s’e njohin fare ç’është shteti, akuza dhe gjykimi; ose luajnë rolin e budallait. Qe s’e njohin shtetin kjo kuptohet nga sjellja që kanë deri tani, por që të mos e dinë edhe pengesën e Prokurorit, kjo nuk besohet. Atëherë pse luajnë rolin e budallait. Që të mos bëjnë asgjë, dhe që të thonë: “Ja ne e ngritëm denoncimin, por Prokurori nuk e pranoi”. Kam përshtypjen se kjo do të ndodhë. Po shqiptarët çdo bëjnë, do ta pranojnë këtë lojë? Kjo pritet për t’u parë, unë mendoj se shqiptarët këtë herë nuk do ta pranojnë një lojë të tillë”.

 

 

 

 

MAPO

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

<p>Me logjiken e Ngjeles, qe prokurori i pergjithshem nuk e pranon ceshtjen penale, sepse e ka vene Berisha, i bie qe prokurori i mundshem i pergjithshem qe do te vihet nga Rama, ta pranoje ceshtjen penale edhe sikur Imami te mos kete faj dhe te mos pranoje asnje akuze per korrupsion qe mund tu behet funksionareve socialiste ne te ardhmen edhe sikur te kene faj.</p><p>Hajde avokat, hajde, logjike e hekurt prej avokati s&#39;ke c&#39;i thua......</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.