Lobim pro statusit/ Letër e 8 ministrave të Jashtëm të BE: Mbështesni Shqipërinë!

Ndërsa Hollanda është në kërkim të aleatëve për t’i thënë jo statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, tetë shtete anëtare bëhen bashkë në apelin për votën ‘pro’.
Ministrat e Jashtëm të Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Estonisë, Hungarisë, Irlandës, Italisë dhe Sllovenisë, i janë drejtuar përmes një letre ministrit të Jashtëm të Lituanisë, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-se dhe Shefes për Politikë të Jashtme të BE, Kethrin Ashton.
Në këtë letër, tetë shefat e diplomacisë së vendeve anëtare të BE-së, shprehen se japin mbështetjen e plotë për një vendim pozitiv për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, ashtu siç Komisioni rekomandon. Ata argumentojnë në letrën dërguar përfaqësueses së lartë të BE-se dhe kryesuesit të Këshillit Europian, se Shqipëria ka përmbushur kushtet që iu përcaktuan një vit më parë, duke miratuar me shumicë të gjerë votash në Kuvend tre ligjet e mbetura, ai për Gjykatën Administrative, administratën publike dhe reformën parlamentare.
Paralelisht, shprehen ata, zgjedhjet si një tjetër kusht u mbajtën në përputhje dhe respekt të lirive themelore, sipas raporteve të OSBE-ODHIR. Më tej, ata rendisin si arritje të vendit, përmirësimet e bëra në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe fillimin e bashkëpunimit mes organeve ligjzbatuese.
“Përveç kësaj, qeveria e re në Shqipëri ka marrë një angazhim të fortë për të luftuar korrupsionin dhe e ka vendosur këtë në krye të prioriteteve në përputhje me programin e saj. Prej dy muajsh qeveria shqiptare ka bërë një progres të rëndësishëm, veçanërisht në angazhimin e saj të shprehur për një dialog konstruktiv dhe të qëndrueshëm me opozitën, që është jetike për procesin e reformave”, thuhet në letër.
Në letrën e tetë ministrave të Jashtëm renditet edhe një tjetër element i cilësuar prej tyre i rëndësishëm, rezoluta e miratuar me unanimitet në Kuvendin e Shqipërisë në 27 nëntor 2013, që sipas tyre rikonfirmon se procesi i integrimit në BE mbetet në krye të axhendës kombëtare të Shqipërisë.
“Për këto arsye ne besojmë fuqimisht se Shqipëria ka përmbushur plotësisht kushtet e vendosura nga BE. Këshilli duhet t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”, thuhet më tej.
Një vote pro e Këshillit për Shqipërinë, thuhet në letër, jo vetëm do të inkurajonte Shqipërinë për të vijuar përmbushjen e reformave, por do t’ju dërgonte mesazh edhe vendeve të tjera kandidate potenciale se puna e fortë në drejtim të arritjes së standardeve shpërblehet, duke e lidhur këtë me vetë besueshmërinë te BE.
“Një votë pro e Këshillit do të provonte edhe njëherë se zgjerimi i BE ka një fuqi transformuese dhe efekte qëndrueshmërie, në të mirë të të gjithë qytetarëve të BE-së”, shkruhet në letër./TCH
Tema
Add new comment