Arrestohet Xhelal Mziu

Policia ka arrestuar kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, pas një urdhër arresti të nxjerrë nga “Task Forca” e Prokurorisë së Tiranës.
Gjykata kishte vendosur masën e sigurisë me burg për kryetarin e Bashkisë Kamëz dhe pas këtij vendimi, rreth orës 18:00, policia e ekzekutoi atë me arrestimin e tij.
Akuza që rëndon mbi kryebashkiakun Mziu është ajo e shpërdorimit të detyrës dhe mosbarazisë në tendera publik.
Mziu është arrestuar në afërsi të selisë së Presidencës. Më pas, policia ushtroi kontroll në banesën e tij, për sekuestrimin e dokumentacionit.
Policia shpalli në kërkim edhe Drejtorin Juridik të kësaj Bashkie, Atli Hoti, 37 vjeç, i cili nuk u gjet në banesë. Policia tha se është vënë në gjurmët e tij dhe po kryen kontrolle për ta arrestuar. Akuzat që rëndojnë mbi kryebashkiakun Mziu dhe shefin e zyrës juridike në këtë Bashki janë ajo e shpërdorimit të detyrës, si dhe shkeljes së barazisë në tendera.
Sipas hetimeve paraprake të Prokurorisë së Tiranës, të nisura në muajin shtator të këtij viti, ka dyshime se ata kanë kryer akte korruptive. Prokuroria, e cila kërkoi në gjykatë arrestin me burg, për Mziun dhe një zyrtar tjetër të lartë të kësaj Bashkie, dyshon se ata kanë kryer veprime të kundraligjshme në rastin e prokurimit të rrugës Valias i Ri - Laknas.
Komisioni i Prokurimit Publik kishte shpallur fituese një firmë, e cila u skualifikua nga komisioni i Prokurimit të Bashkisë. Pas ankesës së bërë nga firma kishin filluar edhe hetimet. Gjatë këtyre hetimeve rezultoi se ka dyshime për akte korruptive.
Top Channel
Add new comment