Rexhep Qosja: Nuk mund të luftohet korrupsioni pa nxjerrë para gjyqit Sali Berishën

Akadamiku Rexhep Qosja flet për 100 ditët e para të qeverisjes “Rama” dhe thekson se lufta kundër korrupsionit nuk do të jetë e suksesshme në qoftë se nuk dalin para drejtësisë edhe të ashtuquajturit ‘peshq të mëdhenj’, si ish-kryeministri. “Sali Berisha duhet të nxirret në gjyq!”, thotë Qosja në një intervistë për GSH.
Qosja thotë se përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria është Berisha dhe qeverisja e tij e keqe.
“Lufta ndaj korrupsionit është një ndërmarrje politike dhe juridike tepër e rëndësishme për shtetin shqiptar, për popullin shqiptar dhe për demokracinë shqiptare. Suksesi në këtë luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar në Shqipëri (dhe në Kosovë) është kusht i parë për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian. A do ta çojë Qeveria e sotme shqiptare deri në fund këtë luftë kundër korrupsionit mbetet të shihet. Mendja ime e thotë se kjo luftë kundër korrupsionit nuk do të jetë e suksesshme në qoftë se nuk nxirren para drejtësisë edhe të ashtuquajturit peshq të mëdhenj – ata që e kishin korruptuar e frikësuar gjyqësorin, ata që largonin prokurorët dhe gjykatësit e pavarur, ata që bënin çmos që të mos merreshin në përgjegjësi juridike fajtorët kryesorë të tragjedisë së Gërdecit dhe të vrasjes së katër demonstruesve më 21 janar dhe të një vargu vrasjesh të tjera, dorasit e të cilave kanë mbetur të pazbuluar deri sot.
Mendja ime e thotë se kjo luftë kundër korrupsionit, që po e bën Edi Rama me Qeverinë e tij, nuk do të jetë plotësisht e suksesshme, nuk do të jetë e çuar deri në fund, nuk do të bëhet premtuese për komprometimin moral dhe juridik të të ashtuquajturës kulturë e pandëshkueshmërisë, nuk do të bëhet përbërës i kulturës politike shqiptare në qoftë se Drejtësia shqiptare, nuk do ta bëjë atë që do të bëhej në të gjitha demokracitë moderne: në qoftë se nuk ballafaqohet me drejtësinë, domethënë në qoftë se nuk nxirret në gjyq, protagonisti kryesor, autokrati i pseudodemokracisë së potershme në Shqipëri, shkelësi i Kushtetutës e i ligjeve, cenuesi i pavarësisë së institucioneve të pavarura, mbuluesi pushtetor i sa e sa ndodhive korruptive e ky është kryeministri i qeverisë së ndëshkuar politikisht prej popullit në zgjedhjet e 23 qershorit”, thotë Qosja.
Akademiku kosovar shton se në luftën kundër korrupsionit, Rama duhet të bëjë kujdes edhe nga hakamrrjet primitive.
“Nuk mund të kem mendim të prerë në këtë pyetje tuajën. Jam i vetëdijshëm se, siç e thashë, lufta që po bën Qeveria e sotme, në krye me Edi Ramën, nuk është e lehtë dhe nuk është e pa rreziqe në të cilat janë të përmbajtura vrazhdësi, rrena e dinakëri të pa skrupuj dhe gatishmëri për hakmarrje primitive. Mund të besohet se suksesi në këtë luftë kundër korrupsionit, në kushtet e Shqipërisë e të Kosovës, në masë të madhe do të varet prej përkrahjes që sot po i jepet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.
E di se fajtori kryesor për shumë, shumë nga të këqijat, më të mëdha e më të vogla, që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë 23 viteve të demokracisë rurale me argatin e tij do të bëjë çmos, bash çmos, çka mund të lejohet e çka nuk mund të lejohet, për të penguar këtë luftë kundër korrupsionit, për t’iu shmangur drejtësisë.
Gjuha agresive, aq shpesh e tollovitur e Partisë së tij, gënjeshtrat e kërcënimet që po shqipton lakej i tij tani në krye të kësaj partie, fjalia e tij kërcënuese se Qeveria e Edi Ramës po luan me zjarrin, populizmi i tij sa i programuar në kuzhinën e paraardhësit, sa prodhim instinktesh – të gjitha këto u çojnë porosi Edi Ramës dhe Ilir Metës se në Shqipëri mund të ndodhë ajo që ish kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ia paratha Italisë në qoftë se e çon në burg: do të ketë revolucion!
Në Itali kjo fjali e karagjozit Silvio Berluskoni do të mbetet një komedi karakteristike për stilin e tij politik, por në Shqipëri ajo nuk është e liruar prej ngjyresash”, thotë ai.
Tema
Add new comment