Amnistia e Vitit të Ri, qeveria do të lirojë 1000 të dënuar

Postuar në 23 Dhjetor, 2013 03:02

Ministria e Drejtësisë ka përgatitur draftin që do të miratohet nga Qeveria në mbledhjen e fundit të këtij viti. Bëhet fjalë për të burgosur, të cilëve u kanë mbetur edhe pak kohë burg, ose janë duke kryer dënime për vepra penale të lehta. Arsyeja kryesore e amnistisë, mbipopullimi i qelive

Ministria e Drejtësisë do të dërgojë, në mbledhjen më të afërt të qeverisë, një amnisti, ku priten të përfitojnë të paktën 1 mijë të burgosur. Sipas burimeve, të cituara nga Top Channel, bëhet fjalë për të burgosur, të cilëve u kanë mbetur edhe pak kohë burg, ose janë duke kryer dënime për vepra penale të lehta. Një nga arsyet, që Ministria e Drejtësisë pritet ta kërkojë këtë amnisti, mbetet fakti i mbipopullimeve të burgjeve në vend. Shqipëria është e detyruar të tërheqë nga vendet e Bashkimit Europian një numër të madh të burgosurish shqiptarë, sidomos nga Greqia dhe  Italia, ku ndodhet kontingjenti më i madh i shqiptarëve që vuajnë dënime. Deri tani, kthimi i tyre në Shqipëri nuk bëhet i mundur, për shkak të numrit të lartë të të burgosurve që vendi ka.

Ulja e mbipopullimit në sistemin e burgjeve

Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve thuhet se, janë 22 institucione të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në të gjithë vendin. Në muajin tetor të 2012-ës u inaugurua paraburgimi më i ri në Elbasan, i cili ndikoi në përmirësimin e standardeve dhe kushteve të sistemit në tërësi. Mesatarisht, gjatë vitit 2012 u trajtuan 4850 të burgosur, nga 4750 të trajtuar në 2011 ose 2.05% më shumë. Kapaciteti i burgjeve deri në datë 03.10.2012 ka qenë 4417 dhe pas vënies në funksion të IEVP Elbasan, kapaciteti u rrit me 120 vende dhe shkoi në 4537 ose e shprehur në përqindje 2.7% më shumë. Miratimi i ligjit “Për dhënie amnistie”, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ku 512 persona me liri të kufizuar u përjashtuan nga ndjekja penale, vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit, si dhe hapja e IEVP Elbasan, ndikuan në lehtësimin e një prej problemeve më të mprehta të sistemit, si ai i mbipopullimit. Si rrjedhojë, mbipopullimi në burgje u ul nga 7.7% në vitin 2011, në 1.6% në fundin e vitit 2012. Kjo është shifra më e ulët e mbipopullimit në sistemin e burgjeve gjatë 10 viteve të fundit.

Statistika e vitit 2007 tregon se, mbipopullimi ka qenë 938 persona, në vitin 2008, 900, fundi i 2009, 360 persona. Kjo ka ardhur si rezultat i ngritjes së institucioneve të reja dhe miratimit të ndryshimeve të Kodit Penal me synim vendosjen e Shërbimit të Provës

Monitorimi

Specialisti holandez: Në burgje ka mbipopullim 

Mbipopullimi dhe korrupsioni janë dy nga problemet më thelbësore të sistemit të burgjeve në Shqipëri. I ndodhur në Shqipëri para disa javësh, për një trajnim me drejtorët e burgjeve dhe paraburgimeve në të gjithë vendin, specialisti Holandez Jan van den Brand, në një prononcim për mediat, deklaronte se mbipopullimi që shihet në burgjet shqiptare e bën mjaft të vështirë procesin e menaxhimit. Si njohës i mirë i sistemit shqiptar të burgjeve, të cilin e inspekton që prej vitit 1998 ai sheh si problematikë edhe emërimet politike.  "Ju përballeni me mbipopullim në burgje. Ky është një nga problemet kryesore të sistemit. Ai përbën gjithashtu një kërcënim në menaxhimin e mirë të burgjeve. Gjithashtu një tjetër problem sipas këndvështrimit tim, edhe pse e respektoj këtë gjë, është vendimmarrja politike. Drejtuesit e burgjeve këtu nuk ndërrohen për shkak të cilësive të tyre, por për arsye politike"- u shpreh  Jan Van Den Brand. Për specialistin holandez, mundësia e korrupsionit në sistemin e burgjeve në Shqipëri është e madhe, ndaj dhe, sipas tij, është e domosdoshme ndërhyrja në legjislacion.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.