Adoleshentët e grabisin dhe më pas i vënë gjobë biznesmenit nga Kruja

Dy 16-vjeçarë kanë grabitur dhe i kanë vënë gjobë një biznesmeni në qytetin e Krujës.
27-vjeçari me inicialet E.D kishte bërë denoncim disa ditë pas grabitjes dhe gjobëvënies ndaj tij.
Biznesmeni krutan ka deklaruar në polici se më 4 dhjetor, në afërsi të banesës së tij, i kanë zënë pritë dy persona dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur t’i grabisin me forcë dy varëse floriri që mbante në qafë si dhe aparatin celular.
Trembëdhjetë ditë pasi e kanë grabitur, dy adoleshentët, duke e kërcënuar nëpërmjet telefonit, i kanë kërkuar 27-vjeçarit edhe shumën prej 200 mijë lekësh, raporton Panorama.
I trembur për jetën e tij dhe të familjarëve, 27-vjeçari i është drejtuar sërish policisë, e cila ka bërë të mundur identifikimin e bashkautorëve si dhe arrestimin e tyre.
Gjatë hetimit,policia ka bërë të ditur se 16-vjeçarët H.E dhe S.K, sendet e vjedhura i kishin shitur në Tiranë.
Pasi është bërë i mundur dokumentimi i plotë i ngjarjes, rasti i është deleguar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.
Tema
Add new comment