Naço çon në Qeveri amnistinë, ja kush do përfitojë ulje dhe liri

Postuar në 25 Dhjetor, 2013 02:48

Ministria e Drejtësisë i dërgoi dje Qeverisë për miratim projekt-ligjin dhe relacionin për amnistinë e të dënuarve për krime të lehta dhe të arrestuarve deri më 30 nëntor po për këto krime. Gazeta DITA disponon të plotë projekt-ligjin që po e boton, ku specifikohen kategoritë, krimet, moshat, koha dhe përafërsisht numri që përfiton. Nga të dënuarit pritet të lirohen 200-300 persona nga kjo amnisti, kurse mbi 500 të tjerë pritet të përfitojnë ulje të dënimit dhe lirim nga paraburgimet për veprat për të cilat janë arrestuar. Pasi të miratohet në Këshillin e Ministrave në mbledhjen e 26 dhjetorit, e fundit për këtë vit, projekt-ligji do kalojë në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në Parlament. Më tej, pasi të miratohet nga ligjvënësit, do priten 15 ditë për botimin në Fletoren Zyrtare dhe gjatë kësaj kohe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do hartojë listën e të dënuarve që përfitojnë, kurse Shërbimi i Provës për ata që janë në ndjekje alternative dhe paraburgime. Amnistia është e njëjtë si ajo e vitit 2012, po me ato kritere përafërsisht ndërsa ndërmerret edhe për të ulur mbipopullimin me rreth 1 mijë vetë në burgje.

Kush përfiton nga amnistia

Plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas këtij ligji, personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht, me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji. Përfitojnë personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me kusht, me gjobë apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim.

Personat e dënuar me burgim, të cilëve, në datën 30 nëntor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet. Të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2013, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji. Të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2013, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të nenit nr. 4 dhe të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale të rënda.

Të arrestuarit deri në 30 nëntor

Quhet ndryshe pushimi i ndjekjes penale. Dhe përfitojnë një kategorie e madhe të ndaluarish në paraburgime. Procedimi penal nuk mund të fillojë dhe nëse ka filluar duhet të pushojë për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2013, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet, ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë apo alternativ. Sipas kompetencës së dhënë nga Kodi i Procedurës Penale dhe në varësi të fazës apo të shkallës së procedimit penal, prokurori ose gjykata vendosin mosfillimin e çështjes penale apo pushimin e çështjes penale për veprat penale që amnistohen.

Përzgjedhja

Përzgjedhja e kategorisë së personave që përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në këto kritere; Lloji dhe masa e dënimit, koha e mbetur e dënimit, mosha aktuale e personit të dënuar, mosha e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale. Në thelb mbetet rrezikshmëria e ulët e personit apo veprës penale.

Procedurat

Dje ministria dorëzoi si Relacionin, ashtu edhe Projekt-Ligjin në Qeveri për miratim. Mbledhja e fundit është e 26 dhjetorit 2013, pra të enjten. Aty, pasi të kalojë në Këshillin e Ministrave, ka nevojë për të kaluar në Komisionin e Ligjeve dhe prej aty në seancën e radhës në Parlament për votim. Për këtë vit nuk ka më mbledhje komisioni dhe parlament, kështu që amnistia pritet të zbatohet në janar 2014. Pasi të votohet, do pritet të hyjë në fuqi në Fletoren Zyrtare, që kërkon 15 ditë. Gjatë kësaj kohe, pas miratimit në parlament, Drejtoria e Burgjeve përgatit listën e të dënuarve që përfitojnë dhe të paraburgosurve dhe po kështu Shërbimi i Provës.

Projektligji i plote:

“PËR DHËNIE AMNISTIE”

Në mbështetje të neneve 81 pikat 1 e 2 shkronja “ë” dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Qëllimi dhe parimet e ligjit

1. Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit të gjithë personat që plotësojnë kriteret sipas dispozitave të këtij ligji.

2. Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik.

Neni 2

I dënuar

I dënuar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet personi i dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Neni 3

Kriteret për përfitimin e amnistisë

1. Plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas këtij ligji:

a) personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht, me gjobëapo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

b) personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me kusht, me gjobëapo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

c) personat e dënuar me burgim, të cilëve, në datën 30 nëntor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

ç) të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2013janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

d) të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2013 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

dh) të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 139, 140 e 141 të Kodit Penal.

Neni 4

Kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë

1. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:

a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74 e 75 të Kodit Penal;

b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76 , 77, 78, 78/a, dhe 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81 të Kodit Penal dhe vrasje e mbetur në tentativë, si dhe neni 77 i Kodit Penal Ushtarak;

c) vepra penale, të kryera me dashje, kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, paragrafi i dytë i nenit 88, dhe 89/a të Kodit Penal;

ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 106, 107/a dhe 108, 108/a të Kodit Penal;

d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, paragrafi i dytë dhe i tretë i nenit 109/b, 109/c, paragrafi i parë i nenit 110, 110/a, 110/b, 110/c dhe 111 të Kodit Penal;

dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenet 114, në paragrafin e dytë dhe në paragrafin e tretë të nenit 117 të Kodit Penal;

e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, paragrafin e tretë të nenit 124/b, nenet 128/a dhe 128/b, 130/a, të Kodit Penal;

ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 135, 136, paragrafi i dytë i nenit 137/a, paragrafi i dytë i nenit 138, 138/a, 139, 140, 141, paragrafi i dytë i nenit 141/a, paragrafi i dytë i nenit 143, 143/a, 143/b,144/a, paragrafi i tretë i nenit 152, 175, në paragrafin e dytë dhe në paragrafin e tretë të nenit 180 të Kodit Penal, si dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 59 të Kodit Penal Ushtarak, të nenit 186 të Kodit Penal;

f) vepra penale kundër mjedisit, të parashikuara në nenin 206/b të Kodit Penal.

g) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225 të Kodit Penal;

gj) krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 e 228 të Kodit Penal;

h) vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 233, 234, 234/a e 234/b të Kodit Penal;

i) krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 248, 250, 258, 259, 259/a, 260, 265, 266, 270, paragrafi i parë dhe i katërt i nenit 278, 278/a, paragrafi i dytë i nenit 279, paragrafi i dytë i nenit 282, 282/a, 283, 283/a, 283/b, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 286, 287, 287/a, 288, paragrafi i dytë i nenit 289, 290, si dhe paragrafët e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të nenit 298 të Kodit Penal;neni 70 i Kodit Penal Ushtarak;

j) vepra me qëllime terroriste të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 230/d, 231, 232, 232/a, 232/b, 233 të Kodit Penal.

k) vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në nenet 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh e 319/e të Kodit Penal;

l) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara në nenet 325, 326, 326/a, 327, 327/a, 328, 328/a, 329, 330, 330/a, 331 dhe 332 të Kodit Penal;

ll) vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

2. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.

Neni 5

Pushimi i ndjekjes penale

1. Procedimi penal nuk mund të fillojë dhe nëse ka filluar duhet të pushojë për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2013, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë.

2. Sipas kompetencës së dhënë nga Kodi i Procedurës Penale dhe në varësi të fazës apo të shkallës së procedimit penal, prokurori ose gjykata vendosin mosfillimin e çështjes penale apo pushimin e çështjes penale për veprat penale që amnistohen.

Neni 6

Dispozitë zbatuese

Ngarkohen Ministri i Drejtësisë, Ministri i Punëve të Brendshme, Ministry i Mbrojtjes dhe Prokurori i Përgjithshëm për zbatimin e këtij ligji.Neni 7

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Dita

Comments

Submitted by geg koka (not verified) on

<p>PRSH ,desha infomacion per nje te denuar qe ndodhet ne burgun e shenkollit i denuar per vepren penale te shkeljes se rregullave te qarkullimit rrugor ,te nenit. 290/1 ,jeni te lutur te na jepni nje informacion me te plote ,a e perfshine amnistija kete person apo jo ,jeni te lutur te na merrni nekonciderae ,faleminderit per mirkuptimin ?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.